Rimbursimi dhe kolaudimi

20 Shtator 2011, 21:40Blog TEMA

Nga Alqi Kadenasi

 

Me një këmbëngulje  karakteristike  për  organet  qeveritare  që  mbushin  buxhetin e qeverisë, pavarësisht  pasojave  që mund të sjellin në biznese dhe më gjerë, viti 2011 është konsideruar  si viti i  pajisjes së biznesit të vogël me kasa fiskale .

Të gjithëve na kujtohen  reagimet e biznesit  të vogël për vendosjen e kasave  fiskale . Pati jo pak  kundërshtime  për praktikën e vendosur nga Ministria e Financave  për  pajisjen me kasa . U bënë deri dhe protesta , pati dhe konfrontime me policinë. U angazhua një opinion i gjerë specialistësh dhe të interesuarish  që vunë në fokus domosdoshmërinë apo  mosdoshmërinë aktuale të pajisjes  me kasa për biznesin e vogël . U fol dhe u debatua shumë për llojet e kasave, firmat që  bënin furnizimin, por mbi të gjitha për kostot artificiale  financiare  që sillte për biznesin e vogël  ky vendim i  qeverisë.

E vërteta është se  tërë kjo situatë  nuk mbeti pa lënë gjurmë. Së pari u arrit një farë transparence për atë që ishte bërë nga ana e qeverisë në këtë fushë dhe së dyti, krahas ndikimit në uljen e  kostos së blerjes së kasave, qeveria u detyrua që të merrte përsipër rimbursimin e pjesshëm të blerjes së tyre.  Vlera e rimbursimit  prej 44  mijë lekësh, ndonëse nuk mbulonte të gjithë shpenzimet e biznesit të vogël, që në këtë rast rrotullohen diku tek 65 deri 70 mijë lekët, ishte një “fitore” jo e vogël e biznesit ndaj abuzimit  qeveritar me këtë masë  fiskale.

Por , ndonëse u duk se qeveria e vuri dorën në zemër  për biznesin e vogël, ajo  nuk mund të harronte “zakonin e vjetër”, sipas të cilit qeveria asnjëherë nuk nxjerr gjë nga xhepi, përkundrazi.

Së pari, rimbursimin ia delegoi (ngjeshi) pushtetit vendor dhe nuk e realizoi vetë. Bashkitë (komunat)  që  nga viti i shkuar, në pagesën e taksave vendore nuk kërkojnë më taksën e biznesit të vogël. Një  “lehtësim” që, për biznesin e vogël, shkon diku tek 6 mijë lekë në tre muaj.

Së dyti, biznesi i vogël e pagoi kasën fiskale me një veprim të vetëm financiar. Pra pagoi kesh të gjithë vlerën  e saj njëherësh. Dhe për këtë kategori biznesi, pagesa e plotë njëherësh e kasës, ishte me pasoja ekonomike jo të vogla.  Direkt apo indirekt, ky veprim duket se po reflektohet  në  bilancet financiare të kësaj kategorie biznesi, që nis nga mos pagesa në kohë e taksave e deri në mbylljen e shumë bizneseve.

Së treti, pak kush e di se deri ku është shtrirë skema e të ashtuquajturit rimbursim të këtyre kasave. A është  futur dhe a funksionon kjo skemë për të gjitha komunat  e bashkitë e vendit? Me siguri që skema ende nuk është implementuar  tërësisht në të gjitha njësitë e qeverisjes vendore. Këtë e vërtetojnë edhe lajmërimet e herëpashershme në mediat qeveritare për listën e re të komunave dhe bashkive  qe buxheti  i ka përfshirë në skemën e  rimbursimin e kasave.

Së katërti dhe mjaft interesante është skema e sapo implementuar  e kolaudimit vjetor të kasave fiskale. Pak kush e di që aktualisht ka nisur procesi teknik i kolaudimit të kasave që kanë kaluar vitin e parë të punës. Me këtë rast, masivisht, kanë nisur nga firmat shitëse të kasave njoftimet  që i bëjnë me dije  biznesit se duhet urgjent të kolaudojë kasat, në të kundërt kërcënohen me gjoba.

E vërteta është se si çdo pajisje, edhe kasa e ka të nevojshme mirëmbajtjen e saj teknike. Në kontratën e shitblerjes së saj është specifikuar edhe ky detaj. Deri këtu gjithçka në rregull. Problemi qëndron gjetkë  dhe përsëri sjell pasoja financiare të pamerituara për  këtë kategori biznesi.

Vlerës ende të pashlyer të blerjes fillestare të kasës financiare, biznesi i vogël është i detyruar që  t’i shtojë  edhe faturën e  kolaudimit prej afro 6 mijë lekësh të rinj. Natyrisht që paratë shkojnë në arkat e firmave përkatëse që kryejnë këtë shërbim,por pa asnjë dyshim qeveria në këtë veprim financiar merr pjesën e saj. E thënë ndryshe, nga një anë kemi rimbursim të kasës nga qeveria, nga ana tjetër përmes kolaudimit biznesi rimburson  qeverinë për rimbursimin e saj fillestar!?

A e dinë qeveritarët tanë, Ministria e Finabcave, se sa është vlera e kolaudimit, fjala vjen për një autoveturë apo për një autobus? Po vlera e formatimit të plotë, fjala vjen për një kompjuter, sa është? Dhe së fundi, sa është vlera e kolaudimit të një kase fiskale?

E thënë ndryshe, të kolaudosh sot një kasë fiskale të biznesit të vogël do të duhet të paguash në arkat e firmave një shumë të barabartë me atë që paguhet për kolaudimin e katër autoveturave njëherësh  apo të tre autobusave njëherësh. Cili specialist, cili organizëm teknik është ai që ka vendosur këtë tarifë? Kush e mbron konsumatorin që në këtë rast e ka emrin biznes i vogël dhe a duhet të vijojë kjo situate?

Për aq kohë sa biznesi i vogël do të vijojë të trajtohet  nga pushteti, vetëm si një burim i mbushjes së arkës së buxhetit, situata të tilla do të vijojnë edhe në të ardhmen. Veçse qëndrimi i organeve të pushtetit në këtë rast i ngjan atij të njeriut që pret pa vetëdije pemën ku ka hipur vetë.

 

2 komente në “Rimbursimi dhe kolaudimi”

  1. Ermal says:

    Jemi nje hap larg momentit kur vete polici te vij te fusi doren ne xhepin tend, te te marre c’ke ne portofol madje dhe ti t’i thuash atij faleminderit qe te ktheu portofolin.
    Shoqatat e biznesit jane inekzistente, biznesmenet renkojne me veten e tyre por nuk mblidhen t’ia shkermoqin dhembet Bodes. Sot eshte e pamundur te besh biznes te lire ne kete vend. Me biznes dua te them te nxjerresh buken e gojes per kalamajte se mos mendoni per vendosje te pasurise.
    Taksa e tatim fitimit 10% eshte koperture e kesaj qeverie, sepse ne total cdo biznes nga gjobat e kontrollove tatimore dhe manovrimet te tipit te “kases fiskale” i bie qe te paguaje 30-40 % tatime ne vit. Dhe kur mendon qe keto tatime shkojne per udhetimet e shumta te Xhozit, per blerjen e blindes se Berishes, per koncertet e Ciljetes dhe Elita 5, te vjen t’i vesh flaken dyqanit e te arratisesh nje ore e me pare nga ky vend.

    1. DEVIL says:

      Po nuk u terhoqen ne kohe keta, kam nje parandjenje se disave qe do bien ne dore te mllefit te turmes do u thyen brinjet me drunj e hanxhare. Se zullumet dhe veshtirsite nuk kane mbaruar madje tani do degjohen te reja. Koha do ta thote.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje