Adios Jobs – tungjatjeta zhgënjim!

14 Tetor 2011, 21:18Blog TEMA

Nga Halil Matoshi

 

Në botën që është në lëvizje, pos një pasaporte (që nuk ngjall dyshime nëpër aeroporte) dhe një kartele banke, të duhet gjithqysh një IPhone…

Që të jesh i lidhur me shtëpinë, qytetin dhe vendin, prej nga sapo ke dalë në botë…

Lexoni pse IPhone e ka ndryshuar botën…

 

Javën që shkoi ishim në Zagreb në një festival letrar dhe atje mora lajme shumë të këqija jo vetëm për vetë “Apple” (vdekja e krijuesit të saj Steve Jobs), por edhe për Kosovën dhe hapësirën gjeopolitike shqiptare.

Zagrebi të komplekson me rend dhe disiplinë qytetare, me ruajtjen e tërë trashëgimisë arkitekturale austro-hungareze, me gjelbërim e pastërti të kristaltë, me shtigjet për çiklistë e me tramvajet moderne, me përmendoret e shumta për shkrimtarë e artistë, e jo vetëm për heronjtë e luftës së fundit; kishte madje përmendore edhe për një këngëtar popullor dhe për një gazetare… Impresionuese janë libraritë e shumta e posaçërisht antikuariatet, ku një libër mbi njëqind vjet të vjetër mund ta blesh për 10 euro.

Si p.sh. libri “Fotografi nga udhëpërshkrimi i përgjithshëm: Evropa”, me autor dr. Ivan Hoic, i botuar në Zagreb tek “Matica Hrvatske” më 1894, e ku flitet edhe për tokat arbanase dhe arbanasët, si pasardhës të ilirëve, por që janë nën sundimin turk.

Në Zagreb ishim në Festivalin e letërsive të vogla. Me një grup njerëzish kryesisht të rinj kosovarë, që e duan shkrimin letrar dhe që e kanë pasion letërsinë, më duhet të sqarohem në fillim se ne prezantuam letërsinë e re, jozyrtare dhe joakademike të Kosovës. Performancën e kosovarëve media dhe posaçërisht shtypi zagrebas e vlerësoi shumë mirë. Raportuan gjerësisht të gjitha gazetat e ditës.

Por për këtë ngjarje kulturore nuk dëgjoi Ambasada e Republikës së Kosovës në Zagreb.

Nuk dua të paragjykoj, ndoshta kanë pasur agjendë të ngjeshur ato ditë…

Por si ndodhi që diplomatët kosovarë takojnë furraxhinjtë kosovarë dhe ia kërcasin muhabetit me ta dhe nuk duan t’i takojnë shkrimtarët, poetët e rinj të Kosovës, të cilët ndiejnë, reflektojnë dhe gdhendin fjalë filigrani për atdheun e tyre…

Natyrisht se këta nuk i thurin oda Qeverisë dhe Kryeministrit të tyre. Po a është ky një paragjykim që i frikëson diplomatët kosovarë në Zagreb?

Nga e kanë ditur ata paraprakisht se ata shkrimtarë do ta kritikonin Qeverinë e tyre në paraqitjet publike!? Shumë pretendencioze kjo!?

Mbrëmjen e dytë, derisa ne flisnim për letrat shqipe të Kosovës dhe lexonim literaturë në Zagreb, në afërsi të kryeqytetit kroat në Samobor, në Kishën e Shën Anastazisë, të mbushur përplot adhurues të muzikës kosovare, Petrit Çeku me Marija Kuhar mahniti ata. E në atë koncert nuk kishte përtuar të shkonte edhe vetë presidenti kroat, Ivo Josipoviq.

Nuk e di, nëse diplomatët kosovarë kanë qenë atje…!?

Për të marrë informata nga Prishtina, natyrisht në IPhone, klikoj www.koha.net:

Lajmi më i keq natyrisht se vinte nga Ministria e Brendshme kosovare, ajo kishte rënë në telashe të mëdha me ligjin, po bastisej nga EULEX-i për arsye që tashmë dihen: korrupsion!

Në Tiranë kishte vdekur Ramiz Alia, njeriu i dytë në rreshtin e parë, siç u cilësua nga njohësit e rrethanave politike në Shqipërinë diktatoriale, që ishte një ndër diktaturat më të egra dhe më të shëmtuara në Evropën Juglindore… Shqiptarët megjithatë e varrosën si burrështetas dhe me ceremoni shtetërore, si njeriun e tyre.

Kjo është fundja kulturë shtetërore, ose siç i thonë diplomatët Raison d’Etat! / Interes shtetëror (Raison d’être / arsyeja kryesore e ekzistimit të diçkaje)

Por zhgënjimi më i madh që na e “dhuroi” IPhone nuk ishte, të jemi të sinqertë, as vdekja e Jobsit dhe e Alisë, dhe çuditërisht as afera e armëve (korrupsioni) që implikon gjysmën e shtetarëve kosovarë, sepse lajm do të ishte sikur nga Kosova të jepeshin lajme se në ndonjë resor qeveritar nuk ka asnjë shkelje ligjore, dhe s’është avulluar asnjë euro. Zhgënjimi më i madh, të thuash, deri në shkallën kur njeriu në vendin e tij ndihet i poshtëruar, ishte rasti i tmerrshëm e skandaloz për një fjalim të pështirë të një hoxhe në Pejë, i cili i cilësoi fëmijët tanë (nxënëset) në shkollat publike kosovare, hiç më pak se prostituta!?

Emrin e këtij hoxhe agresiv që e ka pështyrë në fytyrë shkollën kosovare të Ramë Bujës, as Fuad Ramiqi bëhet kinse nuk e di, porse ashtu kot e ka marrë me vete sa për ilaç…

Ndërkaq absurd ishte fakti se shumica e atyre që falën xhumanë në Pejë nën drejtimin e këtyre “ideologëve të rinj të islamit” ishin nxënës të shkollave të mesme.

Sërish për sqarimin e fetarëve dhe jofetarëve, ky shkrim nuk ka të bëjë me fenë as me besimin ose mosbesimin, por me fyerjen e tërë fëmijëve, nxënëseve kosovare, pra ky shkrim u kushtohet fëmijëve të Kosovës, pra edhe fëmijëve të mi dhe mëton që t’i mbrojë ata nga fashizoidët proislamikë, nga fyerja publike që iu bë nga një kinse-hoxhë, në një tubim të lëvizjes “Bashkohu” në Pejë.

Së pari më imponohen disa (shumë) pyetje, për të cilat bartësit e institucioneve shtetërore por edhe prindërit do të duhej të kishin përgjigje para fëmijëve të tyre.

Pse ky vend nuk sjell lumturi për njerëzit e vet dhe posaçërisht për fëmijët, por vetëm dhunë dhe brutalitet?

Pse fëmijët e këtij vendi rriten nën trauma psikike dhe nën dhunë permanente verbale? Pse ata ballafaqohen me lehtësinë e padurueshme të të folurit për vrasjen dhe me vetë aktin e vrasjes?

Pse dhe me ç’të drejtë dikush në pikë të ditës, derisa shumë nga ato vajza të mrekullueshme mund të kenë qenë duke folur pikërisht për botën e lirë dhe pa kufij, për tolerancën si produkt i komunikimit, për mundësitë që të gjithë njerëzit ta kafshojnë “mollën” e Jobsit dhe “t’i hanë produktet” e saj, si në Prishtinë ashtu edhe në Kajro apo Mekë, dikush i cilëson ato prostituta.

E mbase ato do të kenë qenë duke folur me dhembje për humbjen e krijuesit të asaj “molle magjike”…

Kush u vërsulet kështu fëmijëve kosovarë dhe në emër të cilit Zot?

Fëmijëve që nuk kanë faj pse janë sjellë në jetë në një vend të mjerë, të rrethuar nga vrazhdësia dhe brutaliteti social, nga baballarë e hoxhallarë, si dhe priftërinj ekstremistë, abuzues e me mision ideologjik, që keqpërdorin fenë në shërbim të politikave agresive dhe arritjes së pushtetit.

Kush ua prish ditën kështu fëmijëve?

Fëmijëve, që askush në këtë vend nuk po i mbron, nga rritja nën pushtetin e injorancës dhe rrenës.

Po pse hesht shoqëria kosovare?

Pse heshtën institucionet shtetërore, që nga kryetari i Pejës e deri tek kryeministri dhe presidentja?

Pse heshti ministri i Arsimit dhe përgjithësisht shkolla kosovare?

Sepse oportuniteti dhe hipokrizia po e vret shoqërinë kosovare ende pa u ngritur në nivel të shoqërisë politike.

Pse televizionet kombëtare të atyre fëmijëve nuk shfaqin më filma vizatimorë, por japin protesta për ideologji të mëdha në rrugë e sharje në Kuvend?

Pse Qeveria e tyre vjedh, mashtron dhe bashkëvepron me krimin e organizuar?

Pse ata bien e zgjohen me fjalët korrupsion, nepotizëm, hajni, vrasje, dhunë…

Nxënësit në shkollat e mesme të Kosovës u përkasin moshave prej 14 – 18 vjeç.

Ata thjesht ende janë fëmijë, ende flenë me arushat e tyre lodra, me elefantë, mace dhe lepurushë…

Kush i ka dënuar ata dhe me ç’të drejtë?

Që të rriten sertë e parakohshëm?

Kush i ka privuar nga lumturia, nga lojërat e fëmijërisë, nga rrogat dhe pensionet e dinjitetshme të prindërve, nga të pasurit një punë për bashkëfamiljarët e tyre?

Kush i ka privuar nga të pasurit një shkollë të mirë, ku do të vlente slogani 3E: Tri herë edukim; dhe kush ua shpaguan jetën e bjerrë kot!?

Ata janë pengje të qeverisjes së keqe, të një kleptokracie që s’mbushet mend as s’ngopet me paratë publike, të një skene politike të pamend; të një shkolle në të cilën është rikthyer politika e ku sillen e pështillen edhe mësues abuzivë e vrasës potencialë.

Çka thotë për qytetarinë kosovare rasti që ndodhi para do kohësh në Prishtinë, kur një mësues vrau një zyrtar komunal me gjakftohtësi, në zyrën e tij.

A u kërkohet mësuesve, arsimtarëve dhe profesorëve tutje ‘certifikata e mjekut’?

Fëmijët, ata sjellin shumë gëzime në jetët tona, shtrojnë shumë pyetje naive dhe ndonjëherë marrin përgjigje po ashtu naive, e më së shumti marrin fyerje e abuzim në vend të përgjigjes.

Një të tillë e morën këto ditë në Pejë nga një përfaqësues i fesë në tokë…

Rasti i fjalimit të pështirë të një hoxhe nga Drenasi në Pejë është aq skandaloz sa do të duhej të reagonte dhe protestonte secili qytetar kosovar: Në mbrojtje të dinjitetit të vetes, familjes e posaçërisht fëmijëve. Dhe mbi të gjitha, femrave kosovare.

Pse heshtën institucionet shtetërore, që nga kryetari i Pejës e deri tek kryeministri dhe presidentja? Çfarë mund të na thotë ministri i Arsimit?

Oportuniteti dhe hipokrizia po e vret shoqërinë kosovare ende pa u ngritur në nivel të shoqërisë politike.

Pas debaklit që pësoi kjo lëvizje në aspektin shoqëror dhe juridik-legal, duket se ata s’u binden këtyre normave të shoqërisë civile së cilës i takojnë dhe ku ndërtojnë jetët e tyre, karrierat e tyre dhe ku rrisin fëmijët e tyre, në emër të Allahut.

Duke ua mohuar të tjerëve që të rrisin e edukojnë fëmijët e tyre në emër të humanitetit dhe dijes.

Nga Zagrebi i themi krijuesit gjenial Jobs, Adios, për t’u rikthyer në zhgënjim.

Dhe e vetmja fjali që më vjen duke e mbyllur këtë shkrim është: Larg duart dhe gojët e fëlliqura nga fëmijët kosovarë!

 

 

7 komente në “Adios Jobs – tungjatjeta zhgënjim!”

  1. ROBERT PRIFTI says:

    JE shume i larte z.HALIT MATOSHI per vete ekzistencen tuaj ne KOSOVE.Perballe injorances peshtjelle me “patriotizmin” arkaik mbizoterues ne trevat ballkanike (pa perjashtim)dhe reagimit tuaj prej qytetari eshte nje garanci dhe konfirmim qe injoranca obskurrative religjioze e gjysmes se henes pak gjasa ka qe do te gjej terren ketu ne KOSOVO.Gjithmon nje vezhgues dhe analist mjaft i kujdeseshem dhe objektiv ne ruajtjen e vlerave EUROPIANE dhe ne ballkanin e afortrizuar nga luftrat dhe urrejtjet fetare importuar nga lindja e larget .Suksese dhe respekte te LARTIT MATOSHI.

  2. sulo says:

    shume e kenaqe kete robert priftushin o halit me kete shkrim….vec mos harro ti shpjegosh se fanatizmi fetar e ruajti popullin shqiptar nga asimilimi sllav e grek….Ndersa per ty o halo kisha nje verejtje : here tjeter mos perdor dialektin letrar shqiptar por katunaresk personal qe ti ke ne shkrimet e tuja

  3. Votren says:

    Edhe kur ke te drejte ti je i besdisshem.Ketu ti pjeserisht ke te drejte ashtu si dhe hoxha qe pjeserisht ka gabuar.

  4. Landi- Sverige says:

    Halil Metoshi pershendetje. U befasova me shkrimin Tuaj shume te mire. Eshte e kunderta e nje shkrimi te para disa diteve ne TemA. Bravo.
    Ketu tregoni realitetin e hidhur te shoqerise kosovare e mbytur nga korupsioni dhe fondomentalizmi fetar. Fatkeqesisht kjo pamje paraqitet edhe ne Shqiperi, ndoshta ne permasa pak me te vogla por teper e rezikshme per te ardhmen e te dy vendeve ne endrren europiane. Ne nje kohe kur gjitonet po ecin me hapa gjigand perpara drejt europes, shqiptaret jo vetem qe spo ecin perpara por po bejne hapa mbas duke ju afruar periudhes me te zeze te tyre, asaj te sundimit otoman.
    Sa me pare ta kuptojne politikanet dhe qytetaret, aq me mire per ta dhe per femijet e tyre dhe per gjith brezat e ardhshem.

  5. net says:

    halil, ti mos ik gjate o burr, shih domethenien e emrit tend dhe i kupton gjerat…
    hoxha nuk eshte engjell dhe i pagabueshem, por gabimet e hoxhes ne krahasim me te tua jan shum te vogla…

    ti o halo mbete duke bere servilizem sa nga njera ane sa nga tjetera, ti me ke je?
    nuk po e marrim vesh se a je me vlerat apo je me interesin?

  6. net says:

    hmm, harrova, ti nese ke gje personale me hoxhen ik dhe debato me te personalisht, pi edhe nje caj me hoxhen, por mos e nxirr vrerin ne publik larg, apo sta mban te perballesh me hoxhen sy per sy? se ke frike se hoxha eshte me poet dhe me shkrimtar se ti?

    1. Landi- Sverige says:

      O Net. Ti kete kuptove ne kete artikull qe Halili ka probleme personale me hoxhen. Ai nuk ka frike se ndryshe nuk do te shkruante kete artikull qe gotet eresiren dhe vlereson vleren, qyteterimin, driten.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje