Minatorët e Bulqizës kanë vendosur që të pezullojnë sot punën në minierë në shenjë proteste. Ata do marrin pjesë në varrimin e kolegut të tyre, 39 vjeçarit Naim Shyti që humbi jetën ditën e djeshme. Ndërkohë pas varrimit do të diskutohet se çfarë masash do ndërmerren më tej. Minatorët thonë se ata punojnë në mungesë të kushteve të sigurisë. Për më tepër ata hedhin akuza se janë dërguar të punojnë në një zonë të rrezikshme, ku ishte paralajmëruar se do kishte rrjedhje gazi. Minatorët thonë se kishin me vete dhe lëndë plasëse, çka do e bënte edhe më fatal shpërthimin po të mos ishte se ata ishin larg. Ekspertët thonë se mungesa e ajrimit të duhur në minierë bëri që shpërthimi të ishte fatal. Në minierë janë realizuar vetëm 10 përqind e investimeve deri në momentin që ish- ministri i Ekonomisë, Genc Ruli vendosi me firmën e tij që të vazhdonte koncensioni.