Mesiç: Nuk më financuan shqiptarët

25 Tetor 2011, 10:17Rajoni TEMA

Ish-presidenti kroat Stipe Mesiç sot në Gjykatën penale të Zagrebit ka përgënjeshtruar pohimet se fushata e tij presidenciale ishte financuar nga lobi shqiptar.

Në procesin gjyqësor që ka filluar pas ngritjes së kallëzimit penal nga Mesiçi kundër politikologut dhe publicistit Darko Petriçiç, ish-presidenti kroat deklaroi se shqiptarët që Petriçiç përmend, ai asnjëherë në jetë nuk i ka parë.

Mesiç ka theksuar se ka raporte financiare dhe revizioni i kryer lidhur me financimin e fushatës së tij presidenciale. Ai ka theksuar se nuk din asgjë lidhur me financierët e fushatës së tij apo shumën e parave, pasi që për të ishte kujdesur shtabi i tij zgjedhor. Sipas tij, asnjë shqiptar nuk ka dhënë ndonjë kontribut për fushatën e tij.

Mesiç gjithashtu ka pohuar se në garën zgjedhor nuk kishte hyrë pa para, por ka pranuar se gjatë raundit të dytë të ish-zgjedhjeve presidenciale, ishte rritur numri i sponsorizuesve të fushatës së tij.

Ish-presidenti kroat ka mohuar faktin se është një nga tre njerëzit më të pasur në Kroaci.

Petriçiç i cili ka bërë akuzat në fillim të procesit gjyqësor dhe fjalës së tij ka përshëndetur Mesiçin me përshëndetje në gjuhën shqipe “Mirëdita”, duke e pyetur veç tjera se a ka qenë edhe ish-agjent i UDB-së. Por, Mesiç këtë pyetje e ka vlerësuar si një idiotizëm të pastër.

Seanca e radhës gjyqësore është caktuar për më 16 nëntor, ku do të dëshmojnë edhe persona të tjerë të ftuar nga të dyja palët.

Petriçiç ka akuzuar ish-presidentin Mesiç se ai është eksponent i mafias shqiptare, e cila i ka financuar fushatën zgjedhore. (R.Demiri/INA)

2 komente në “Mesiç: Nuk më financuan shqiptarët”

  1. alban says:

    Ne Ballkan, Kroatet jane populli me miqesor ndaj Shqiptareve

  2. Vasil Gjika says:

    Mire ja bene Mesic ketij mashtruesi Serb.
    Mesic ketu nuk mbron vetem veten e tij, po mbron edhe emrin tone nga Serbofilet e paguar te Beogradit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje