"Letër zotit Lanksch"

22 Nëntor 2011, 22:35Blog TEMA
"Letër zotit Lanksch"

 

Bardhyl Demiraj

Hans, përsëri po më lë pa mënd! Miqtë e mi nuk munguan as këtë radhë të më vënë në dijeni, se si ti edhe këtë radhë hodhe shkumë e vrer ndaj shkrimtarit tonë: e sigurisht e si gjithnjë e bën këtë vetëm për hir dhe në kërkim të së vërtetës. Krijohet kështu një situatë aspak fatlume që mua personalisht më kujton gjithnjë luftën e famshme me mullinjtë e erës, por që për arsye etike, por edhe falë njohjes me ty këtu në Munih, ia lejoj vetes t’u përgjigjem me një shprehje të huazuar nga Fishta: “E ban për mirakandje!” Fishta sigurisht që e përdori këtë shprehje atëbotë vetëm për shqiptarët, madje edhe në këtë rast rreket të dallojë këtu një tufë karakteresh po-shqiptare, përgjithësisht shpirtvegjël, që mirakanden duke mëtuar se dinë të njollosin të zezën mbi të bardhë e si të tillë do të mund të arrijnë dikur të rrëgjojnë vlerat e kombit, qoftë edhe vetëm një syresh, siç është rasti me shkrimtarin tonë të madh.
Ky shkrimi yt i fundit dallohet gjithsesi kryekëput nga të mëparshmit, jo aq për egërsinë dhe mllefin në të shkruar: këto janë konstante të dhëna njëherë e përgjithmonë në stilin dhe sjelljen tënde ndaj Kadaresë dhe Shqipes Standarde. Në këtë shkrim të feks më shumë shënimi në fund të tij, pikërisht aty ku ti vë dorën në zjarr, duke nxirë kështu edhe më shumë të zezën mbi të bardhë dhe insiston se “ky shkrim bahet me dijen dhe pëlqimin e zonjës Erika Camaj”. Tipa të tillë karakteresh, Fishta sigurisht që as ka denjuar t’i zërë me gojë e me laps, se ndoshta edhe s’ka pasur në kohën e tij syresh po-shqiptarë sa të ligsht në shpirt aq edhe të mbrapshtë në karakter, thënë troç, që rreken të kapen pas kindit të grave për të hedhur lumin e për t’u bërë kështu sa më të besueshëm, që vjen me thënë se kanë prodhuar e shpërndarë aq shumë bërllok e vetëm për hir të së vërtetës u takon të krekosen mbi të, si kalorës të saj.
A i ke bërë ndonjëherë pyetje vetes, or Hans i mjerë!: kujt i intereson dhe sa i shërben vërtet së vërtetës ajo e vërtetë, të cilën ty të gënjen vërtet mendja se po e nxjerr vërtet në dritë të vërtetë? E akoma më keq: a është interesuar vërtet në Gjermani a në Munih, pikërisht aty ku jeton ti vërtet, ndonjë gjerman i vërtetë që të njohë atë të vërtetë që trumbeton ti? A i intereson kujt këtu në Munih e në kohën tonë të mësojë diçka për personin tënd se ke qenë nxënës e mik i Martin Camajt dhe që je ndërkohë edhe përkthyes i tij, sa kohë që ti vetë nuk i ofron (më) tregut e rretheve letrare gjermanishtfolëse qoftë edhe atë libërth me poezi lirike, që ke përkthyer dikur e që nuk u shit kurrë. Shqiptarët, përkundrazi të respektojnë e të nderojnë, madje edhe të laureojnë si përkthyes “i shquem” i Camajt. Përse kërkon tash që edhe të të urrejmë e të të linçojmë si njeri i ligsht, si gazetaxhi, që fut hundët vend e pa vend në jetën private të shqiptarit, kushdo qoftë ai.
Kadare nuk ka pasur ndonjëherë nevojë në karrierën e tij të gjejë e të gëzojë mbështetjen e Camajt për të qenë i madh, sikurse edhe Camaj për të për t’u bërë i madh. Mbështetjen tënde, jo se jo, as Kadare e as Camaj!!! Jemi ne, lexuesit e letrave shqip (në mos dhe gjermanisht) që kemi pasur e kemi nevojë për të dy, e për të gjithë ata që shkruajnë shqip. Ishte nevoja për të pasur midis nesh edhe Camajn, ajo që nxiti një grup të tërë studiuesish të letrave shqip, sigurisht edhe Kadareja i madh, madje edhe ish-nxënës llafepakë e punëshumë të Camajt (por jo ti!!!), që të ribotonim të plotë veprën e tij shqip për lexuesin shqiptar. Dhe tani e kemi edhe Camajn të plotë në treg, sikurse kemi pasur e kemi gjithmonë Kadarenë e madh. Është pikërisht kjo e vërtetë e prekshme, e lexueshme, pra reale, e cila na intereson shumë më shumë neve, lexuesve shqiptarë, sigurisht edhe atyre sqimatarë të “Shekullit”. Unë personalisht, si adhurues i shkrimtarit të madh shqiptar, por edhe si dashamirës dhe përgatitës për botim i veprës komplete të Camajt shkrimtar përjetova në panairin e sapombyllur të librit në Tiranë një gëzim të papërshkrueshëm, kur vështroja në stendën e “Onufrit” pranë e pranë jo vetëm opusin e tyre letrar, por edhe se si ata të dy na buzëqeshnin në sfond me fotot e tyre. Por ti nuk arrin as ta perceptosh e as ta përjetosh këtë, ndoshta se je jo-shqiptar.
Parë nga kjo perspektivë shkrimi yt, or Lanksh i mjerë!, sidomos shënimi yt në fund të tij kumton shumë, jo thjesht dhe vetëm mefshtësinë e tij në përmbajtje, por edhe ata tipa karakteresh që shoqëria shqiptare – jo vetëm në kohën e Fishtës – i ka mohuar dhe i mohon si gjëllitës në këtë botë.
Prof. Dr. Bardhyl Demiraj drejton katedrën e albanologjisë në Universitetin e Munihut”

6 komente në ““Letër zotit Lanksch””

  1. Glenn says:

    Shkrim shume i goditur.Komplimente profesor Demiraj. Vazhdon ne menyre te vrazde teoria e “berjes se rakise” qe te huajt aplikojne ne Shqiperi. Dhe ne fakt kjo eshte fatkeqesia jone dhe e tyre. Tek Opinioni para disa diteve ishte e ftuar nje historiane franceze dhe sharlatan si Lubonja nenkuptonin dhe i referoheshin si fjale “profesionisti historian ” vetem fjalen e saj dhe jo ate te Pirro Mishes dhe Pellumb Xhufit. Dhe fatkeqisia vazhdon ne ndihmen ne infrastrukture dhe marketing qe keta sharlatan i bejn shkaterrimit dhe gjunjezimit te mendimit dhe historise shqiptare ne emer te “demitizimit” te krijuar gjoja nga regjimi komunist. Do te deshiroja me gjithe shpirt qe profesor Misha ose Xhufi ti kujtonin atyre “rakiberesve” nga shtete te tjera dhe te ndihmuar nga njerez te deshtuar te mbushur nga maraze irracionale te shkaktuara nga burgjet komuniste qe le te fillojne po ua mbajti me “demitizimin” e Zhan Darkes ne France qe formoi identitetin francez apo Mbretit Artur( person qe ska egzistuar gjekundi ne Angli) qe u formua identiteti anglosakson apo dhe Vilhelm Telit te shpikur nga mendja fantastiko shkencore e ndonje zvicerani te ngjahem me Karla Del Ponten.Le ti marin keta pseudohistorianet keto dhe te fshijne menderen shqipatet kurse sharlatanet qe i ndjekin nga pas te fshijne mjekrat e palara me po ato letra.
    Dola pak nga tema por “demitizimi” i historise eshte nje proces po aq i ndyre sa edhe sulmi qe i behet personaliteteve te letrave shqipe.
    Falemnderit Profesor

    1. anticensurë says:

      glen!
      shkrimi tënd më pëlqn shumë më tepër se shkrimi i zotit demiraj!
      ti ke dhënë fakte në atë që ke shkruar!gjë që e bën të kuptueshëm shkrimin tënd për ne!
      ti kap disa pika të veçanta të politikës dhe mentalitetit të ndryshuar,nënshtruar shqiptar!
      ti thua atë që unë e them gjithnjë:përse duhet ti referohemi të huajve për gjuhën shqipe?kur për ta është gjuhë e huaj,sado mirë ta dijnë,sado mirë ta studjojnë!
      përse duhet të pyesim gjithnjë të huajt për mendimet e tyre për shqipërinë,kur ne vetë jetojmë në këtë vënd!ku pësojmë që gjithë pasojat,të mira e të këqija!sa so mirë ta njohë i huaji ai është gjithnjë i huaj!ne vëndas.
      po çmitizohet gjithçka shqiptare!nga këngët popullore deri te të kultivuarat.ishin komuniste!flisnin për nacionalizëm!kurse nacionalizmin amerikan francez e gjerman nuk i prekim me dorë!ata janë origjinal dhe të pa diskutueshëm!amerikani mund ti thurrë këngë dashurisë së tij për amerikën shqiptari jo!amerikani mund ti thurrë këngë banditëve të tij kriminelë,kurse shqiptari nuk mund ti thurrë këngë trimave që kanë luftuar për popull!
      shqiptari pyetet në emisione televizive “se a i vjen turp që është shqiptar”(nga adriana qatipi)kurse amerikani për të kundërtën”a ndjehesh krenar për të qënit amerikan”!përse ky ndryshim?
      vihet në dyshim qënja e heronjve tanë kombëtar,në të njëjtën kohë kur të tjerët vjedhin heronjt e tyre!zvicerianët e kanë vilhelm telin të marrë nga danimarka!kuptohet me ndihmën e shindlerit!
      francezi gjermani anglezi përkunojnë dhe pasurojnë gjuhën e tyre me fanatizëm.një pjesë e shqiptarëve,e denigrojnë e bastardojnë dhe përpiqen të shkatërrojnë dhe atë që është ndërtuar me shumë miundim!kemi rastin më flagrant të adrian klosit kur e quan shqipen një rangallë dhe anglishten një gjuhë që të “kënaq shpirtin kur e dëgjon”!harron i vafri klos se nuk ka qumësht më të ëmbël se qumshti i gjirit të nënës tënde!qoftë ajo dhe më e varfëra dhe më e shëmtuara!
      megjithatë për të mos u zgjatur shumë do të thosha shkrimi tënd më pëlqeu më shumë se ai i zotit demiraj sepse ai e ka pararqitur si një letër private dërguar “hansit”!në këtë letër ai i flet me mllef për shkrimin e tij!po të jetë kështu i jap të drejtë,por nuk është kështu!
      ai këtë shkrim e ka bërë për ne,që për fat të keq nuk mund të ndjekim të gjithë shkrimet që botohen në shqip e aq më pak në të gjithë botën!
      shpresoj që zoti demiraj herën tjetër të shkruante dhe për ne e jo vetëm për “hansin”!me këtë që them nuk është se kundërshtoj ato që ka shkruar,por thjesht se si i ka shkruar!të mbrosh dinjitetin e shqiptarëve dhe të shqipërisë është detyrë për ne të gjithë!gjithnjë duhet paraqitur fakti kjo është kryesorja!

    2. Gjergji says:

      Turp per kete shkrim.
      Lanksch thote nje fakt te jetuar te cilin z Demiraj nuk arrin ta pergenjeshtroje me lumin e fyerjeve dhe baltes qe i hedh dashamiresit gjerman te shqipes dhe mikut te kahershem te Martin Camajt.
      Nuk e njoh reputacionin e katedres se tij ne Mynih, por qendrimi absurd i shefit te saj me ben pesimist per mbarevajtjen e saj.
      Mjere ne per kete kaliber intelektuali e jo mjere Lankschi, qe i ka ne terezi problemet e veta.

      1. kirurg says:

        Gjergji, e ke ti gabim. Lankshi eshte kapur me cdo lexues qe nuk i vinte per mbare ne komentet e tij koti ne fb, i politizuar deri ne rrenje te flokut, deri ne neveri. Tepke sikur te ishte gazeta 55! Ai duhet te rezatonte kulture e tolerance, meqe eshte profesor i madh dhe futet ne forumet tona, helbete, meqe i ka ne rregull punet e tij e s’ka me se te merret. Epo ne s’ia kemi ngene dhe dikush duhej t’ia thoshte nje here e mire e fort bile.

  2. kosovari says:

    Më në fund… një tekst që mbron dinjitetin e shqiptarëve para sharlatanëve të tipit të Lankschit! Përgëzime për prof. Demirajn.

  3. anticensurë says:

    beeesoooo,stë marr vash se çdo të thuash!?
    unë nuk diskutova se si ka përkëthyer hansi apo në mund të përkëthej unë homerin!unë diskutova për këtë letër të “mbyllur”që ka përfunduar në një vënd të “hapur”!
    duke qënë e mbyllur,dmth ndërmjet të dyve,ata kanë sqaruar atë që kishin për të sqaruar!i dinë ku i kanë problemet dhe për ato flasin pa patur nevojë ti shpjegojnë!
    por meqë kjo është bërë e hapur duhe të na shkruaj,të paktën me shënime poshtë artikullit,se për çfarë bëhet fjalë!
    beso jo të gjithë mund ti kuptojnë problemet pa i parë ato!aq më pak ti zgjidhin!unë ndryshe nga ti duhet ta di problemin pastaj të jap mendimin tim,drejt apo gabim,gjithnjë subjektiv dhe modest!
    tashti për këtë fjali:
    “eshte njesoj sikur ti te perkthesh Homerin(keq apo mire,pune per ty)dhe une te them qe Homerin s’e ble se e ka perkthyer keq.”
    ! Anticensura;une di qe librin e shet”autori dhe jo perkthyesi”
    ja ke futur pak si shumë pordhës!
    jam dakord me ty që e shet autori,por me një kusht të “vogël”!
    kushti është që të jetë shkruar në gjuhën e lexuesit!dmth kur nuk duhet përkëthimi dhe përkëtyesi!
    nuk jam dakordme ty për homerin!po ta kisha perkëthyer unë dhe ti o beso nuk kishe për ta mbajtur dhe sikur të ta kisha dhuruar unë!këtu ka dy kushte të “vogla”!për ta blerë nuk bëhet fjalë!
    mund ta kishe pranuar për:
    -ta mbajtur si përkëthimin më të keq!
    -i vlerëson librat me metër,peshë ose kopertinë!
    sa për kohën që ti mendon se z.demiraj e ka humbur,prap e ke gabim!ai nuk ka humbur aspak kohë.ai i ka shprehur mendimin e tij një të njohuri të tij!duket që ja ka shprehur ashpër!ka bërë mirë apo keq nuk mund ta gjykoj!nuk e njoh çështëjen,si e kam thënë më parë.
    sa për dilemën e 28-29 nëntorit nuk dua të hyj në diskutim!për mua është 29 nëntori.dita që ka fituar QYTETARINË.është a s’është e “saktë”?!?!aq më bën!të vendosësh në gjë të tillë është subjektive!këtë subjektivitet po ta ilustroj me zhvejkun!
    “zhv del nga birrarija dhe pasi ndahet nga shoku i tij i zemrës i thotë:
    atëherë të premten në ora shtatë pas luftës”!
    askush nuk i kronometroi gjermanët kur dolën nga shqipëria!
    askush nuk mund të thotë se kishte mbetur apo jo ndonjë pas datës 28-29-30-31 apo 32 nëntor!
    29 u vendos si ditë e tillë dhe u festua për 50 vjet!
    prandaj,për mua është kjo datë!
    nuk më inteersoooojnë gomarllëqet e berishës me motivet se paskemi kopjuar jugaosllavët që shpallën rep një vit më pas!
    beeso unë festoj në 28 pavarsinë dhe në 29 çlirimin!
    si e festojnë të tjerët?”kujt i p……. se …. lisi”!
    përshëndetje dhe përpiqu të jesh më i saktë në shkrim!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje