Në çdo fushë të zhvillimit, qoftë ajo sociale, ekonomike, politike apo kulturore, shkencore apo arsimore ka pasur e do të vijojë të ketë një përballje për rrugët e zhvillimit.
Thelbi i përballjes, i ballafaqimit për zhvillim, është ai në mes implementimit të asaj që quhet model dhe rrugës tjetër që quhet reformë. E, ndërsa për modelin e zhvillimit, suksesi dhe dështimi përcaktohen nga aftësia dhe paaftësia në realizimin e tij, për rrugën e reformave suksesi dhe dështimi varen nga shumë faktorë. Si rregull, reformat zhvillohen për të përsosur modelin, për ta përshtatur atë e për ta bërë më efektiv.
Por si shpesh herë edhe këtë radhë, por tani në fushën e arsimit, tek ne flitet dhe veprohet për zhvillim reformash pa patur parasysh një model të caktuar. Pra ndryshe, i thonë reformë për reformë. Duket sikur qëllimi kryesor i qeverisë, është të krijohet ideja se edhe në fushën e arsimit diç po lëviz e po zhvillohet. Por duket se kjo situatë në arsim i ngjan legjendës së Rozafës ku qeveria prish atë që vetë ndërtoi me aq vështirësi për vite të tëra.
Sa më konservator të jetë sistemi në një fushë të caktuar të zhvillimit, sa më efektiv e i suksesshëm të jetë treguar modeli përkatës, aq më komplekse do të duhen të jenë reformat. Në këtë kuptim edhe modeli më i suksesshëm do të atrofizohej po qe se nuk do të “vaditej” me reforma.
Le të kujtojmë se në fushën e arsimit, të paktën këto gjashtëdhjetë vitet e fundit, ne kemi kaluar nga modeli në model. Diku, kalimi ka qenë me veprime drastike, diku më butë e diku edhe pa u kuptuar. Është rasti të kujtojmë vitet e para të kësaj periudhe ku si model u zgjodh ai lindor rus. Më pas, aty diku pas viteve shtatëdhjetë, nisin të duken tiparet e shkollës franceze, derisa aty nga fillimvitet nëntëdhjetë thuajse humbi çdo tipar i përcaktuar, çdo model arsimor i përcaktuar. Do të jetë periudha e pasviteve ’95, kur për herë të parë nis e flitet për aplikimin e një modeli arsimor perëndimor, por të papërcaktuar qartë.
Sidoqoftë, të paktën në strukturën e arsimit bazë e atë të mesëm, u duk të përvijohej një model i caktuar. Arsimi bazë kaloi nga struktura 4+3 (katër vite fillorja dhe 3 vite shtatvjeçarja) në sistemin (4+4) e më pas në sistemin ekzistues (5+4). Si pasojë edhe struktura e arsimit të mesëm ndryshoi. Ai kaloi nga katër vite shkollim në tre vite pas mbarimit të klasës së nëntë.
U duk se të paktën për nga struktura, sistemi ynë arsimor u reformua me modelin e përparuar të shumë vendeve të tjera perëndimore. Dhe kjo arritje nuk qe aspak e lehtë.
Për të arritur në këtë model strukture, në ato vite u diskutua gjerësisht dhe masivisht. U bënë diskutime pafund mes të specialistëve të arsimit. Shtypi i specializuar arsimor, gazeta e revista pedagogjike, takime, seminare, konferenca, diskutuan dhe vunë në fokus modelin e ri strukturor. Kuptohet që modeli në plane, programe, tekste, pra në kurrikul, do të derivonte dhe ndërthurej me modelin e strukturës arsimore.
Ç’ka u nënvizua më sipër është pjesë e zhvillimit normal. Po sot?
Është e çuditshme, por reale. Është dhënë “sihariqi” i strukturës së re (6+3) në arsimin bazë. E thënë ndryshe, po synohet hyrja në një reformë tërësore në piramidën e arsimit parauniversitar. Dhe, kush është në dijeni për këtë hap kaq të rëndësishëm?
Thuhet se Ministria e Arsimit dhe Shkencës, muaj më parë, formalisht ka njoftuar e ka tërhequr opinionet në shkolla. Provoni të realizoni një sondazh, sado të pjesshëm dhe sipërfaqësor, së pari tek ata që punojnë drejtpërdrejt në fushën e arsimit. Shkoni dhe pyesni mësuesit në arsimin bazë se, a janë në dijeni për këtë reformë, çfarë dinë më shumë për këtë hap, çfarë opinioni iu është tërhequr etj. Do të bindeni se dinë pak ose aspak për këtë çështje madhore. Dhe mendoni për një moment se flasim për opinionin e specialistëve të fushës. Po prindërit, si e kanë pritur këtë reformë?. Ç’mendojnë ata për këtë ndryshim të pritshëm? Duket se specialistëve të Ministrisë së Arsimit e Shkencës, mendimi i prindërve u intereson më pak se gjithçka.
Është e qartë se themelore në këtë situatë, sa delikate aq dhe të rëndësishme, mbetet tërheqja masive e opinionit të specialistëve por edhe ai i prindërve dhe në tërësi i shoqërisë. Pa hyrë aspak në thelbin e problemit, ajo që do të duhej të ndryshonte në këtë projekt të ministrisë së arsimit dhe shkencës, është këndvështrimi social i reformës së propozuar.
Reforma e arsimit bazë, duke synuar kalimin nga sistemi (5+4) në sistemin (6+3) vite shkollimi, nuk mund të konsiderohet kurrsesi një çështje e brendshme, një çështje specialistësh të MASH.
Problemi është se cilat janë arsyet, argumentet, që e shtynë ministrinë ( e jo tjetër) të ndërmarrë këtë hap të rëndësishëm. Thuhet se bëhet një shpërndarje më e drejtë e ngarkesës mësimore në vite, thuhet se ky ndryshim qenka i detyruar edhe nga fakti se është vërtetuar se fëmijët e moshës 6 deri 12 vjeç ndryshojnë mënyrën e të menduarit, krahasuar me ata të moshës 6 deri 11 vjeç.
Ka mundësi që këto argumente edhe mund të qëndrojnë, ashtu sikundër thjesht edhe mund të pyesim: Kur në arsimin bazë u kalua nga sistemi (4+4) në atë aktual nëntëvjeçar (5+4) si nuk u mbajt parasysh problemi i “shpërndarjes më të mirë” të ngarkesës mësimore. Po zhvillimi mendor, ai psikologjik, si ka mundësi të ndryshojë kaq thellë për fëmijët 6 deri 12 vjeç dhe kjo vetëm pas tre vitesh të mbylljes së reformës aktuale? A mendon ministria dhe specialistët e saj edhe për atë që bota e quan aspektin “konservator” të sistemit. Janë me dhjetëra plane, programe, tekste, kurrikula që e kanë kaluar provën e reformës (5+4).
Me qindra e mijëra specialistë e mësues u specializuan dhe kjo pati edhe kostot e veta financiare. Ata krijuan traditën, kaluan vështirësitë normale për diçka të re. Shkolla, pavarësisht problemeve të shumta të shfaqura, të paktën këtë provë e kaloi mirë duke u bërë bazë për reformën në sistemin e arsimit të mesëm (9 vjeçar). Tani do të duhet që të paktën mijëra e mijëra tituj tekstesh, librash, të hartohen rishtas, të botohen nga e para. Natyrshëm botuesit e industria botuese, dhe jo vetëm ata, do të kenë shansin të shtojnë të ardhurat e tyre me të tjera miliona. Po shkolla,nxënësit ç’përfitime do të kenë?.
Marrja e modeleve të provuara nga shtete të tjera dhe implementimi i tyre me sukses, rrit shpejtësinë e proceseve integruese të vendit. Kalimet nga modeli në model e nga “reforma” në “reformë” nuk e konsolidojnë sistemin, por çorienton atë, nuk krijon traditën, por paqëndrueshmërinë në emër të gjoja zhvillimit. Dhe kur kjo paqëndrueshmëri prek interesat e tërë shoqërisë, dëmet janë të mëdha. Hapa të tillë reformues s’janë e s’mund të jenë kurrë thjeshtë “produkt intelektual” i specialistëve dhe burokratëve, jo një kala Rozafe, por kërkesa që pasqyrojnë interesa madhore të shoqërisë.