Fishekzjarret e panairit

16 Nëntor 2011, 21:15Blog TEMA

Nga Artan Mullaj

Panairi i Librit u mbyll me furinë e pashlyeshme të surprizave që la pas. Surpriza e parë ishte padyshim interesi i pazakontë i shqiptarëve për festën e librit! Gjithmonë interesi për librin interferon me ngushëllimin e zbehtë të krijuesve, që zakonisht shkruajnë por nuk shesin. Megjithatë, në garë midis tyre, disa autorë spikatën dhe shitën në mënyrë të pabesueshme, duke eklipsuar dhe surprizuar njëherësh të tjerët: Mijëra autografe të nxituara u shkarravitën mbi faqet e para të disa librave të supershitur në panair, në mënyrë që këto libra të shoqëronin me emocione më të mëdha lexuesit e tyre. Emocionet do të jenë ato që do të përcaktojnë ditë pas dite, fituesit reale të kësaj gare. Garë e fortë, e ashpër, që kish një fillim por do të ketë një vazhdim, dhe një fund natyrisht, mbas leximeve. Garë mes njerëzish publikë, që pasi janë shqyer së bëri politikë dhe moral, vite me radhë, synojnë të krijojnë një spektër të ri në ambiciet e tyre, krijimin. Një vlerë e shtuar mes mungesës barbare të vlerave, që vakuumon këtë vend kohë pas kohe.

Por ndërsa gara vazhdon, jashtë saj mbetën qindra krijues, të rinj e të vjetër, që si një bashkësi e dënuar, vazhdojnë të ndëshkohen me mosnjohje, nga panairi në panair.

Ne pamë se si emrat e spikatur të tregut të përshtypjeve në vend, ishin ata që i fituan përsëri përshtypjet sakaq. Kryetari i opozitës, në një rrëfim të sinqertë, si në një orvajtje të re për të krijuar një rrymë të re në publicistikë, të paqenë ndonjëherë, i ka trazuar shpirtrat e mbështetësve të tij me modestinë e fshehur në shpirtin lider të kryeministrit të ardhshëm. Dikush mund të thotë se sinqeriteti i shkruar i një politikani të rëndësishëm në karrierë është diçka që nuk ka të bëjë aq me modestinë, por me nevojën për të krijuar ekuilibra të rinj brenda vetes. Aq më mirë! Kujt më shumë se Edi Ramës do t’i duhej një stabilitet shpirtëror në prag të finales magjike, pas së cilës mund edhe duhet të jetë në pushtet? Vetërrëfimi është diçka si digat shkarkuese të hidrocentraleve, autori, aq më shumë kur është një lider, e sidomos kur është një artist-thyerës i tabuve, duke shkruar, shkarkon stresin, ashtu si uji i  tepërt dhe i panevojshëm shkarkohet prej digave të centraleve për të mos i rrezikuar ato. Në fund të fundit, ndjesia e shkarkimit të stresit  ndihmon të besosh se edhe kur gjërat janë zi edhe sterrë, mundësitë fshihen diku, mjafton të këmbëngulësh dhe mjafton mos përsëritësh gabimet e së shkuarës, që nuk kanë qenë të shumta, por as të parëndësishme.

Natyrisht, kjo ndjeshmëri është tjetërlloj për deputetin shkrimtar Ben Blushi. Vështirë ky i fundit të ketë hedhur kaq shumë firma as në kohën kur ishte zyrtar dhe ministër, sa hodhi në faqet e librave të tij për lexuesit në panair. Ndryshe nga kryetari Rama, që tërhoqi vëmendjen e militantëve dhe simpatizantëve me sportivitetin e një libri të hatashëm të shkruar brenda dy muajsh, Blushi kish qenë tërhequr në heshtjen e tij të krijimit, në “balzakërinë” e tij, shumë muaj me radhë. Rikthimet e befta të Blushit në skenën e ngjarjeve shqiptare, herë me romane e herë me politikë, sa surprizojnë, aq të kujtojnë Hënën në ditët e plota, kur ndriçon thuajse sa Dielli. Si Hënë e plotë u shfaq edhe këtë herë Blushi, i cili spikat me aristokracinë që ka në mënyrën se si e shpenzon kohën e tij.  Duke shkruar letërsi surreale me personazhe reale, duke dashur të jetë mbi kokat e të tjerëve, si aleat i zotit, por jo si një engjëll i tij, ndërsa engjëjt personazhe lëvizin nëpër rreshta e shkallare për të ndriçuar me pafajësinë e tyre errësirën e vendit, historinë e vendit, figurat e vendit dhe afshin, ofshin, efshin gjenetik të shqiptarëve, pra nga ky pozicion, Blushi është i pari në mënyrën se si synon të tregtojë fisnikëri me shumicë, duke shkruar libra në kohën më të keqe të letërsisë, dhe kjo është thuajse tronditëse. Nga ana tjetër, i pari ose i treti, gazetari i njohur dhe mirënjohur Blendi Fevziu, për shkak të paqartësisë së gjërave dhe për shkak të suksesit marrafrymës që pati libri i tij për Enver Hoxhën, ashtu si Shën Pavllo në portën e parajsës, në këtë panair, gazetari vetë ishte si portieri në hyrjen e suksesit: Fevziu u ndodh atje fluturimthi më një libër historik, analitik, artistik, publicistik për ish-diktatorin, duke ndezur sa kuriozitet të panjohur më parë tek lexuesit, aq edhe njëherazi xhelozi dhe zhgënjim për krijuesit e tjerë, shkrimtarë e poetë që shkruajnë e vuajnë, meditojnë e trishtohen që vepra të mira, si librat e Fevziut dhe Blushit, vepra të shkruara me vullnet edhe dhimbje, nuk do të dalin në dritë asnjëherë, por do të shuhen dhe ndëshkohen përjetësisht e barbarisht me haresë.

E adhurueshme pasha e surprizave që këta tre-katër autorë, të cilët  u dogjën si fishekzjarre prej dashamirësisë për publikun gjatë dhënies së autografeve, i dhuruan këtij panairi. E adhurueshme që panairi i zhurmshëm joshi dhe ylberoi lavdinë e tyre të re, në art dhe publicistikë, por  po  aq e trishtueshme, ishte që ky panair, fundosi edhe më shumë anijen e vjetër me vela  të krijuesve të panjohur. Një engjëll  i shqetësuar  flatroi nëpër stendat e panairit, për të vërtetuar zhgënjimin e tyre: Zhgënjimin e shpirtrave të njerëzve që vazhdojnë të krijojnë. U soll vërdallë, mes zhurmës së njerëzve dhe zhurmës së madhe të famës së shpërndarë në dy, tre, apo katër pena. Ky engjëll i zhgënjimit ishte aty, sepse ky panair errësoi edhe më shumë të ardhmen dhe lëngëzoi e lëndoi zemrën e poetëve të thjeshtë e të talentuar, që shkruajnë për askënd në vetminë e tyre. Dhe u largua thellë qiejve, pikërisht për këtë gjë…

I parë kështu, ky panair krijoi një polarizim të shëmtuar. Diferencat dhe krahasimet nuk patën atë dinamikë ndershmërie që kërkon nevoja njerëzore për promovimin e  talenteve të reja. As talente të reja dhe as libra të rinj nuk u shquan mbas reklamës rrëzëllitëse që ju bë autorëve politikanë dhe mediatikë, që pushtojnë ekranet, kur janë, por edhe kur nuk janë të nevojshëm. Mendoni se si do të zhvendosej rëndesa e vëmendjes sikur këtë herë, të kish shkruar një roman dashurie edhe Sali Berisha. Shyqyr që jo! Sepse do të kish një betejë më të egër luanësh të mëdhenj e të fuqishëm, për të rrëmbyer lavdinë. Do bllokohej panairi nga militantët demokratë dhe fansat që çast më të rëndësishëm të jetës së tyre kanë një autograf nga një njeri që del në televizor.

 

 

Nëse panairi, si një promovim i kulturës kombëtare, organizohet edhe për të shpërndarë mjegullën e padrejtësisë që zakonisht mbulon fatin e krijuesve, të rinj e të vjetër, ky panair nuk e ka kryer si duhet misionin e tij. Ky panair monopolizoi  publicitetin dhe mundësinë, sepse njerëz publikë, që shkruajnë ese, kujtime ose letërsi, e monopolizuan këtë panair. Në media dhe në panair u fol vetëm për “Shqipërinë” e Blushit, “Enver Hoxhën” e Fevziut, “Kurbanin” e Ramës dhe për” kujtimet e Helenës”, dhe shumë mirë që u fol për këto vepra, vlera e të cilave nuk duhet paragjykuar, pavarësisht teprisë së publicitetit që ju bë para dhe gjatë panairit. Por në media dhe ekrane nuk u fol aspak për vepra të tjera autorësh po kaq të mrekullueshëm, të njohur dhe të panjohur. Shqetësimi i shumë autorëve të tjerë se mbetën në panair si lulelakra garniture, për shkak të fokusimit mediatik dhe politik në autorët e lartpërmendur, vërteton pandershmërinë në krijimin e perceptimeve. Kjo është serioze. Librat e përmendur janë të shkëlqyer, por edhe sikur biblën të kishin shkruar, si evangjelistët, megjithë madhështinë e talentit të tyre, të mbledhur bashkë, këta autorë do të ishin realisht një pikë uji në oqean, përpara armatës së krijuesve shqiptarë..

Thithja e dhunshme e vëmendjes publike, për 3-4 botime, ndërsa u fol për 600 tituj të rinj në panair, është normale që të krijojnë me tepri  një lloj xhelozie  primitive tek autorët fatbrishtë. Nga njëra anë, nuk është faji i Fevziut nëse njerëzit i përpin babëzia të lexojnë e të kenë autografe prej tij. Por, nga ana tjetër, duke qenë primitive, kjo xhelozi është e shëndetshme. Njëlloj nuk është faji i këtyre krijuesve që e ndjejnë si një diktaturë të egër shpërfilljen dhe indiferencën vrasëse të realitetit shqiptar ndaj krijimeve të tyre. Dhe shtypja kthehet në dhimbje të shumëfishtë kur shumëkush dyshon se vëmendja e pakët e publikut orientohet në drejtim të gabuar.

Prandaj kish zbritur ai engjëlli i zhgënjimit, nga qielli, drejt e në panair!!!!.

Nëse pyesim pse ndodh kjo gjë, ky polarizim, ky kontrast, ky shpërqendrim, kjo natë, ky mohim, më parë duhet pranuar që kemi të bëjmë kryesisht me një pasojë që vjen për shkak të krizës shpirtërore të shqiptarëve. Mbase për shkak të krizës që kalon letërsia. Bota nuk është e gëzueshme edhe për këtë shkak, thotë Kadare. Mbase është çështje civilizimi. Nëse duam shpjegime për babëzinë e shfrenuar të njerëzve publikë për të rrëmbyer çdo hapësirë publiciteti në favor të tyre, dhe nëse duam shpjegime për babëzinë e turmës për ta pranuar këtë gjë, kjo mbase ka të bëjë me brishtësinë e marrëdhënieve të çuditshme që shqiptarët ndërtojnë zakonisht me liderët apo sundimtarët e tyre, për të cilat flet edhe Andrea Stefani në librin e tij, Komploti Kundër Lirisë!

17 komente në “Fishekzjarret e panairit”

  1. Kalorsi i zi says:

    Ju lumte Z Artan Mullaj,

    Mendoj qe kjo teme duhet trajtuar ne thelbesi per te nxjere konkluzionet e duhura per te korigjuar te ardhemen demokratike te raportit Popull-pushtet.

  2. remzi lani says:

    mero, mbaje me afer gazetes Artanin, qe te kesh me shum lexues cilesore ne gazete. flm

  3. ornela fb says:

    perulem para gjenialitetit te Kaderese se madh, por ndiej respekt para sistemit te plote te vlerave NJEREZORE e intelektuale te shkrimtarit dinjitoz Artan Mullaj..Suksese dhe presim sa me shume shkrime

  4. Ir says:

    Eshtë e drejtë çka thotë Artani. Në këtë pazar-panair nuk mund të ndaje shapin nga sheqeri. Ku ishin prurjet e reja? Pse nuk kishte një ndarje të librave të rinj të botuar në harkun kohor të një viti në çdo stendë shtëpie botuese? Përse nuk kish guida ku vizitori të informohej për letërsinë e mirë? Të gjitha zhurmat mediatike të drejtonin te 4 libra dhe vizitorët i çonin këmbët pikërisht në stendat ku shiteshin ata libra.
    Kam pasur rastin të vizitoj panairin e madh ndërkombëtar të librit në Frankfurt që është sa një qytet i tërë dhe, megjithatë arrin të marrësh gjithçka që dëshiron. Natyrisht ngushtica bën të vetën, por megjithatë duhet menduar më mirë për organizimin vitin që vjen.

  5. jo says:

    Skrimtaret analizojne nepermjet artit
    te tyre shoqerine dhe individin.
    Historianet shkruajne historine e diktatoret.
    Shtepite botuese n.q.s. duan te ndihmojne
    ngritjen kulturore te shqiperise te shtypin
    e shperndajne falas broshura ku ti shpjegojne
    njerezve;te mos shtyje ne autobuz,
    te mos peshtyjne çdo dy metra e kudo,
    te mos urinojne ne qender te tiranes
    sapo te shohin nje peme si qente endacake,
    te mos flasin pis ne prani te femijve edhe pse
    jane te vetet,te respektoje me te moshuarit,
    e te lahen shpesh.
    Mbase keshtu do te jene me te dobishem
    e me ndergjegje te paster se te pakten provuan
    te bejne diçka per ate popull te pafat.

  6. fiorel says:

    per cilet botues flisni. per keta hajdutet ordinere, qe poshterojne viktimat e tyre, si manjaket seksuale qe bejne sukse me kufomat. Botuesit shqiptare pa perjashtim, janr rrjepesit me te medhenj te shkrimtareve dhe poeteve. I vjedhin autoret nepermjet botimeve dhe i rivjedhin nepermjet shitjeve…
    shqiperia edhe botuesit i ka si politikanet, gjakpiresa!

  7. shyqyri rexhepi says:

    Po Stefani c’hyn ketu xhanem???????????????

    1. Kalorsi i zi says:

      E po Rexhep boshi, Stefani ka bere nje liber qe pershkruan qytetare si ty qe nuk ke vetem xhepat bosh, prandaj dhe nuk kupton por gjemon turmen. A kuptove

  8. sotiri says:

    ky i ka thene te gjitha mo, cte thush me…Njerezia skane buke te hane, spo can njeri kaptinen per libra

  9. kaloresi i bardhe says:

    hahahah, Kalores i zi, kokeboshi je ti, kur mendon se Andrea Stefani, Mero baze, Mustafa nano, Artan mullaj,e te tjere , te gjithe keta servilet e Edi Rames, dhe bashke me ta edhe Edi rama do ta rezojne Salen me shkrime dhe figura letrare. Jo koleg kalores, Sala eshte i pathyeshem, nuk pyet per analistet e majte dhe politikanet e majte, doni sdoni ju. kot e keni.

    1. Kalorsi i zi says:

      Me ne fund kur i tregove ”astaret e xhepave” nuk jane vetem bosh,, por dhe te cpuar dhe as leket as idete nuk rrine tek ju o kalores me kembe ne llum.

  10. kaloresi i kuq says:

    o kalo-rrs, ik bej nani, ose ik bej detyrat e shtepise para se te debatosh me mu. Tr…

    1. Kalorsi i zi says:

      Kur te duash ti mund te debatojme bashke mgjse prezantimin e ke bere si ngjyrat e ylberit, po prape mund te kesh ndonje limit.

  11. Poet says:

    Flaka e fishekzjarreve vertet eshte e shndritshme ,por shuhet shpejt bashke me jehonen dhe shitjen e ketyre librave qe s`erdhen si pasoje mrekullise se krijimit qe ata kane ,por si monopolizim i mediave qe u bene jehone. Urime z.Artan! Ju jeni nje shkrimtar me vlera bashkekohore dhe shkrimi permbledheds eshte domethenes!

  12. Nadia Shabani says:

    Nje artikull me kuptim shume te thelle i shkruar me nje ndjenje shpirterore te vrare dhe te lenduar per realitetin shqiptar ku shoqeria shqiptare fatkeqesisht eshte shume larg realitetit dhe njerezit akoma edhe mbas 20 viteve demokraci vazhdojn te kercasin mbas gurit. Bravo Artan Mullaj, eshte ashtu sic thoni ju. Nuk po them se librat e tyre nuk kane cilesi por ama ata nuk perbejne shumicen e armates se krijuesve shqiptar. Kam qene nje lexuese e rregullt e romaneve dhe librave te rinj por tani qe jemi jashte shtetit nuk i kemi mundesite ti gjejme dhe ti lexojme, por ajo qe dua te them eshte se ne Shqiperi shtepite botuese propogandojne me shume atje ku ka interes ekonomik pa ju bere vone per zhgenjimin dhe demtimin qe pesojne jo vetem autoret dhe krijuesit shqiptare por edhe letersia kombetare shqiptare ne pergjithesi. Por fatkeqesisht nuk kemi cfar te bejme, ky eshte realiteti. Gjithmone kur behen libra per diktatoret popujt jane kurioze te dine per sundimtarin e tyre te gjitha ngjarjet me imtesi.Nuk kam ndermend ta blej kurre ate liber te Fevziut se nuk me intereson, se une e kam jetuar ate sistem te Enver Hoxhes dhe nuk kam cfar te lexoj tjeter me interesante se sa ti vuash ne kurrizin tend.Nuk me intereson jeta e tij por ajo qe hoqem ne.Eshte e cuditshme se panairi i librit nuk behet ne menyre te barabarte ku te te gjithe autoret te jene te barabarte sipas krijimtarise dhe jo sipas postit publik qe ata kene.Por sic e thashe edhe me lart shtepite botuese punojne sipas interesit ekonomik.

  13. The core of your writing whilst sounding reasonable originally, did not sit well with me after some time. Somewhere throughout the paragraphs you actually managed to make me a believer unfortunately just for a while. I however have a problem with your jumps in assumptions and one would do well to help fill in those breaks. In the event that you can accomplish that, I would definitely end up being impressed.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje