Lufta për hapësirën ajrore

15 Nëntor 2011, 20:32Blog TEMA

Nga Remzi Ejupi

Ka ardhur koha që të vendoset se kush do ta marrë nën kontroll hapësirën ajrore të Kosovës, sepse KFOR-i do ta dorëzojë shumë shpejt këtë përgjegjësi. Një mundësi e mirë kjo për Shqipërinë përpara se ajo t’i bjerë në dorë ndonjë vendi tjetër. Ndërkohë që Bashkimi Evropian (BE) javën që vjen, më 21 nëntor, publikon listën e zezë të vendeve që nuk i plotësojnë kushtet e sigurisë ajrore.

Dokument ky shumë i rëndësishëm për sigurinë e transportit ajror është duke u diskutuar këto ditë në Komitetin e Sigurisë Ajrore të BE-së. Dhe pikërisht tani në momentin më kritik kur duhet të vendoset se kush do ta marrë në dorë hapësirën ajorore të Kosovës, Autoriteti i Aviacionit Civil të Republikës së Shqipërisë mori vendimin e revokimit të certifikatës së operimit ajror të kompanisë “Albanian Airlines”, duke ia bllokuar kështu tre aeroplanë.

Ky autoritet ka bllokuar edhe aeroplanin e vetëm të kompainsë “Belle Air”, e cila vë në pikëpyetje certifikatën e operimit dhe ekzistencën e saj sepse ka pasur të vetmin aeroplan. Apo mos ndoshta me “Bell Air” ka vepruar përkohësisht sa për ta arsyetuar vendimin dhe më pas për t’ia kthyer sërish certifikatën e operimit, kjo mbetet të shihet në ditët në vijim.

Por, nuk është sqaruar se cila ka qenë arsyeja e bllokimit të operimit të “Albanian Airlines”, e cila ekziston tash 20 vjet në Shqipëri. Bankrotimi i kësaj kompanie nga vetë shteti, e cila para pak muajsh i është nënshtruar kontrollit dhe ka dalë që gjithçka është në rregull me të, tregon se Shqipëria është një vend i pasigurt për të investuar.

Dyshohet se ky vendim është marrë për interesa të një grupi të caktuar të zyrtarëve që janë në pushtet, imazh ky i keq që po e përcjell tash sa vite këtë shtet.

Praktikat evropiane të revokimit të certifikatave vijnë për arsye sigurie apo për shkaqe financiare. Ndërkohë që kjo nuk është kompania e parë që denigrohet në këtë shtet, sepse edhe kompani të tjera përpara saj kanë pasur fatin e njëjtë, siç janë: “AdaAir”, “Albatros”, dhe “StarAirëays”.

Nuk është vetëm siguria që i kërkohet një operatori, por edhe aspekti financiar. Nëse nuk ka stabilitet financiar, apo kapital të mjaftueshëm një aviokompani nuk guxon as të rrisë flotën e saj. Mirëqenia financiare e aviokompanive është standardi i pakompromis i BE-së, e që fatkeqësisht Shqipëria është larg përmbushjes së saj.

Ajo çfarë bëri Shqipëria me bllokimin e aviokompanisë më të madhe shqiptare s’është tjetër pos tentativë që të paraqesë karshi autoriteteve të BE-së angazhimin e saj për të rregulluar tregun e transportit ajror ndërkohë që forcon në treg kompani të tjera. Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, tha se ky hap tregon punën e mirë që është bërë nga autoriteti.

Heqjen e të drejtës së operimit të këtyre dy aviokompanive, Olldashi e quan mbajtje nën kontroll të gjithë ato kritereve që janë të detyrueshme për t’u aplikuar, duke fshehur faktin se BE-ja është ajo që nuk i beson pavarësisë së Autoritetit të Aviacionit Civil të Shqipërisë. Bashkimi Evropian, duke vrojtuar me vëmendje situatën në Shqipëri, i ka dërguar një grup ekspertësh të Autoritetit të Aviacionit Civil të Italisë. Paralajmërim ky serioz që shumë kohë më parë i ka dhënë Evropa Shqipërisë.

Për fat të keq është pikërisht Shqipëria sikurse edhe Kosova që kanë hapur dyert tash sa vite për kompani të papërgjegjshme që kanë hyrë e kanë dalë nga tregu, pa i dhënë askujt përgjegjësi, të cilat janë pjesë e skandaleve, duke lënë udhëtarë nëpër aeroporte e borxhe pas vetes. Këto kompani në fund i kanë lënë në derë imazhin e keq dy vendeve që më shumë se kurrë sot u duhet këndjellje karshi BE-së.

“Bell Air”, sikurse në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, ka lënë gjurmë të këqija, e cila është pjesë e një liste goxha të gjatë të kompanive borxhlinj. Por, për dallim nga Shqipëria, në Kosovë nuk u morën licencat e operimit, përkundrazi ato e kanë pasur komoditetin e trajtimit me privilegj.

Menaxhmenti i Aeroportit të Prishtinës e ka stimuluar me afro gjysmë milioni euro incentivë “Bell Air”, e cila dështoi të mbajë linjën Prishtinë –Tiranë. Shembull ky që na ka treguar për tendencat që të merret tregu evropian dhe se nuk kanë interes për linjat mes dy shteteve tona, e cila në fund na doli të jetë kompani piramidale.

Ndërkohë doli Raporti i Progresit në tetor, i cili dha edhe një sinjal, shqetësimin e Komisionit Evropian për mënyrën sesi funksionojnë në Shqipëri autoriteti mbikëqyrës kombëtar dhe ai i aviacionit civil. Raporti i Progresit bëri të qartë decidivisht se sa i takon transportit ajror, Shqipëria ka bërë përparim të kufizuar me zbatimin e fazës së parë të Marrëveshjes për Zonën e Përbashkët Europiane të Aviacionit dhe se nuk ka pasur përparim në zbatimin e legjislacionit për sigurinë ajrore, duke i thënë se nuk ka as inspektorë të kualifikuar.

Kritika këto të ashpra ndaj një shteti në kohën kur po përgatitet lista e zezë, dhe në të njejtën kohë vendimi për hapësirën ajrore të Kosovës. Të gjitha zhvillimiet dhe sinjalet e Komisionit Evropian për mangësitë e programit të Sigurisë Shtetërore të Shqipërisë, janë pretekst i fortë që Shqipëria të jetë pjesë e listës së zezë. Vetë fakti që haptazi i është thënë se Shqipëria nuk ka përmbushur standardet e legjislacionit evropian sa i përket transportit ajror, tregon se ky mund të jetë skenar i përgatitur për të mos ia lejuar as ta marrë në dorë hapësirën ajrore të Kosovës.

Dorën në zemër, terrenin për një qasje të tillë e ka shtruar vetë Shqipëria, e që për fatin tonë të keq hapësira ajrore e Kosovës mund t’i takojë ndonjë shteti të padëshirueshëm për ne.

 

 

 

5 komente në “Lufta për hapësirën ajrore”

  1. brazili says:

    Me marre license kompanie fluturimi per firma shqiptare,eshte e pa mundur,Belle Air,zyrtarisht,katerciperisht,qeveritarisht, ka monopolin e fluturimeve,si kompani shqiptare.Albanian Airlines e fundosen,keshtu qe Belle Air,e ka monopolizuar tregun,sidomos per Itali.Ne Shqiperi,si ne cdo fushe,eshte e pamundur te besh biznese te tilla pa qene lidhur nyje me qeveritaret,per rrjedhoje jemi vendi me cmimet me te larta ne Evrope.Qeveria jone nuk ka c’ti beje Alitalias,Lufthanses,Malev etj, se edhe ketyre i heq licensat,dhe e dine vete pastaj si e menderosin.

  2. tomori beratit says:

    Edhe ne transportin ajror doli qarte babezia e pa fund e pushtetit te berishes qe nen siglen beleair te lul bashes falimentoi edhe linjen tradicjonale albania-airlania.Haram o hajduti me i madh qe ka njohur vendi yne

  3. Tiku says:

    “Një mundësi e mirë kjo për Shqipërinë përpara se ajo t’i bjerë në dorë ndonjë vendi tjetër.” Me sa kuptova e keni fjalen per mbrojtjen e hapesires ajrore te Kosoves! Hapesira ajrore e Shqiperise mbrohet nga Italia dhe Turqia sepse flota ajrore Shqiptare eshte shkrire!

  4. mucua i tanes says:

    Shoku, hapesiren ajrore te shqiperise e kontrollon aeroporti ushtarak i Larisas ne Greqi dhe Puglia ne Itali, shqiperia nuk ka benzine tu hedhi helikoptereve dhe jo me te kontrrolloje vijen kufitare me serbet, qe kane rezuar ne 1999 aeroplanin strategjik 117 f amerikan. gjej nje gazete tjeter te shkruash budadalleqe………..

    1. Lena says:

      O ti shoku lexo pak me me vemendje ,pastaj jepi mend dikut se ku duhet te shkruaj .Z.Eupi ka nje jete te tere qe merret me keto pune edhe besoji qe e di per cfare shkruan .Ketu flitet per autoritet e aviacionit CIVIL dhe jo ushtarak .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje