Një parodi e frikshme për pushtetin e korruptuar dhe shërbëtorët e tij. Çdo ngjashmëri me persona realë (nuk) është e rastësishme dhe e paqëllimtë!
Nga Enver Robelli
Zagari i pushtetit dallohet shpejt – dhe atë përmes dy ligësive të tij, mes shumë të tjerave. Së pari: ai është i guximshëm (!) për të futur kokën në fëlliqësi për interesa egoiste dhe klanore; ky është guximi i budallait të rrezikshëm; së dyti: ai me qejf dhe vullnetarisht e degradon veten në zvarranik. Për të bërë këtë ai i referohet atdheut, në rastin e Kosovës thirret në luftë, në heroizëm, në sakrificë – ndonëse kurrë s’ka qenë pjesë e tyre, madje shpesh është gjendur në anën tjetër të barrikadave, në atë të Zhikës dhe Zoranit.
Për figura të tilla zagarësh dhe zvarranikësh shkruan autori Kurt Tucholsky, mbase njëri prej gazetarëve më të mëdhenj gjermanë të shekullit XX-të. Zvarraniku lejon të degradohet në “gomar të dobishëm”. Angazhimi i tij politik dhe publik shton nivelin e zhurmës, por nuk ka asnjë dobi për shoqërinë, përveçse për xhepin e tij personal! Zagari i pushtetit të korruptuar (dhe të kriminalizuar) dallohet edhe me vese të tjera: pasioni i tij mizor nuk është vetëm gllabërimi i të mirave publike, por edhe aftësia shkatërrimtare për të çuar pluhur dhe për të gënjyer në emër të partisë, pushtetit, nahijes, rajonit, bandës… Zvarraniku mund të definohet edhe si qenie që s’di të dëgjojë, sepse sikur të dinte të dëgjonte – do të skuqej. Kush skuqet është i aftë të mendojë edhe për pragun moral, i cili nuk bën të shkelet.
Ferma e kafshëve
Zvarraniku e di që njeriu me lak në fyt, ai njeriu i poshtëruar nga pushteti, duhet së paku të shurdhohet me premtime, llafe (jo fjalë) përkëdhelëse, komplimente dhe vërejtje dashamirëse, së paku. Kështu do t’i turbullohet edhe më shumë mendja publikut – mbi “sukseset”, “të arriturat”, “rezultatet”. Zagari i pushtetit respekton ligjet e tij, të cilat i dizajnon tok me bashkëmendimtarët. E, ligjet e tij vlejnë për atë kategorinë e njohur nga romani “Ferma e kafshëve” të George Orwellit, kur derrat, në një moment, thonë: të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa janë më të barabarta. Zagari i pushtetit është i aftë që personalitetin e tij ta ndajë në dy pjesë: njëra anë e tij nuk dëshiron të mendojë, tjetra nuk mund të mendojë, sepse është e nxënë me fshehjen e gjurmëve të krimit, me kurdisje tenderësh, me thurje komplotesh, me krekosje patriotike, me shpifje nëntokësore. Njeriu i çarë në dy pjesë, shkruante Kurt Tucholsky. Dhe kishte të drejtë. Shumë madje. Zagari i pushtetit gllabëron bimë dhe mish, hithra dhe lakra, por kur e do puna, kur kërkon shefi, zagari është i gatshëm (“ham, ham”!) të kafshojë edhe dikë që ia turbullon ujin – shefit.
Plani për skllavërim
Kështu është puna: zagari i pushtetit të korruptuar gllabëron e kafshon “armiqtë e pushtetit” – atij pushteti që ia dhuroi Fjalorit të Gjuhës Shqipe fjalën “plagesë”. Zagari i pushtetit talljen me shoqërinë e percepton si patriotizëm dhe përbuzjen ndaj të pafuqishmit si shkathtësi, si dominim të opingës në asfaltin e përgjakur. Secili njeri ka (do të duhej të kishte) jetën e tij, mushkëritë e tij dhe flamurin e tij të ndershmërisë. E, çfarë ka zagari i pushtetit? Ai ka flamurin e krimit dhe korrupsionit. E valëvit kudo, në fletushka pushteti dhe në kafehane. Në bunar, në arë, në torishtë. Fundja, nga këtu, nga torishta, buron mendësia e zagarit, i cili ka ambicie të mëdha, ambicie monarkiste, sepse mendon se çfarë s’ia rrok mendja, ia rrok kuleta.
Ka zagarë që bëjnë zahmet për t’ia lehtësuar sundimin pushtetit votëvjedhës; shpesh votëvjedhja mbështillet me ambalazh patriotik. Mos u habitni nëse të tillët i shihni përherë bashkë, duke thurur plane të reja për skllavërimin e mëtutjeshëm të shoqërisë, për mposhtjen e atyre që nuk i bien tupanit të pushtetit. Autorja austriake Ingeborg Bachmann shkruante:
Skllavërimin s’e duroj
Unë jam përherë unë
Kur dikush të më mposht dëshiron
Më me qejf thyhem.
Kur vjen ashpërsia e fatit
ose pushteti i njeriut
Këtu, atëherë jam dhe mbetem unë
Dhe e tillë mbetem deri në forcën e fundit.
Prandaj gjithherë jam vetëm një
Unë jam përherë unë
Kur ngjitem, atëherë ngjitem lart
Kur rrëzohem, atëherë rrëzohem krejtësisht.
Meqë ra fjala te poezia në këtë parodi për pushtetin e korruptuar, m’u kujtua poeti e studiuesi i mërguar shkodran Arshi Pipa, i cili në një poezi e kishte tallur Enver Hoxhën pasi gjithandej flitej se në rini, si bjerrakohës në Paris, diktatori i ardhshëm shqiptar kishte qarkulluar nëpër rrethe homoseksualësh. Në fakt, vargjet e Arshi Pipës janë protestë politike kundër të gjithë zagarëve të pushtetit. Ata e nisin karrierën si zagarë dhe përfundojnë, nëse u jepet rasti, në torturues. Ja çfarë shkruante Pipa për shokun Enver Hoxha:
O bandill të lumtë bitha,
Ajo i shpjegon të gjitha!
Ç’duhen dituri e mend
Kur njeriu ka fatin tënd!
Në çdo tragjedi ka edhe pak komedi, ku duartrokitjet blihen po ashtu si edhe buzëqeshjet edhe përqafimet. Çmimi nuk është i shtrenjtë, sepse sa më i lodhur mileti, aq më lehtë është të gjunjëzohet i shkreti. Paralelisht me këtë proces ecën dëmtimi i demokracisë, delegjitimimi i institucioneve të rëndësishme të shtetit, dobësimi i parlamentit, duke e mbushur atë më figura që potencialisht janë në radarin e drejtësisë si shkelës të ligjit. Çmimin e paguan shoqëria, e fitimin e marrin zagarët e pushtetit dhe shefat e tyre. – Kjo ishte vetëm një parodi e frikshme që nuk ka të bëjë fare me Kosovën. Kjo është me rëndësi të theksohet në fillim dhe në fund të këtij shkrimi. Për të evituar keqkuptimet dhe për të nënvizuar se çdo ngjashmëri me persona realë (nuk) është krejt e rastësishme dhe e paqëllimtë!
10*
nje shkrim me i bukur se tjetri! eshte kenaqesi te lexosh z.Robelli.Edhe ne veri gjindet dikush i guximshem,nuk e kane shitur te gjithe…
te kerkoj falje per nderhyrjen,pasi nuk me takon para teje,por nje sugjerim,sikur te zevendesoje fjalen turke Zahmet me kohe? do tingellonte shume me bukur!
Hahahah sa shkrim i bukur athua z.Robelli a e ka botuare edhe kete shkrim ne gazetat e Kosoves qe edhe ne te kemi raste te lexojm sepse ky shkrim shume i pergjigjet komandantve tone(Kosoves)citoj-…thirren ne luft,ne heroizem,ne sakrific ndonse kurre s’ka qene pjes e tyre,madje shpesh eshte gjendure ne anen tjeter te barrikadave,ne ate te Zhikes dhe Zoranit……kjo kjo fraze eshte super per komandantat e Kosoves me ne krye Hashim Thaqiqin
F.L.MN.zoti Robelli
Fantastike .
Zoti Robelli! jeni nje gazewtar dhe analist i pelqyeshem por, futja e E.Hoxhes ne kete mesele duket krejt e pa vend. Jo pse ai ishte shenjt, por sepse s’ka lidhje me ato qe thua ti. Me duket se edhe ti je prekur nga sindroma e kohes, do me thene, qe te dukesh modern dhe demokrat, duhet doemos te sulmosh Hoxhen dhe, madje ta tallesh. Hoxha eshte sulmuar dhe duhet sulmuar per te gjitha zullumet qe ka bere, por ai nuk ka qene nje figure per t’u tallur. Citimet e Pipes nuk jane dinjitoze. Pipa vete ka qene spiun i Sigurimit te Shetit dhe pastaj i zbulimeve te vendit ku e derguan dhe ku ngrysi ditet e fundit te jetes. Ato qe shkruan Pipa per Hoxhen nuk jane asgje tjeter vecse mllefi i te persekutuarit per persekutorin. Ne vend qe ta ngrene, ato vargje e tregojne me se miri sa i vogel ishte ne te v ertete Pipa, qe, disa shqiptare, pa e njohur fare, na e paraqesin si figure te larte kombetare.
Mbetsh me shendet.
Niko