Shkatërrimi total i arsimit të lartë

19 Nëntor 2011, 22:05Blog TEMA

Nga Victor Meursault

Në vijim të një debati që shtrohet shpesh, sa herë një qeveri apo Ministër Arsimi vendos të ndërmarrë të ashtuquajtura reforma që prekin mijëra studentë të tanishëm, të tjerë të ardhshëm e sidomos profesionistët që rreken t’i afrohen tregut të punës, rreshtat e mëposhtëm paraqesin një përpjekje për ta analizuar këtë sistem dhe fazat e ndryshme nëpër të cilat ai është transformuar sipas vullneteve të një pakice që ka vendosur e vetme.

Le ta nisim analizën prej vitit 2005, në kohën kur kemi patur rotacionin e fundit politik që solli ardhjen e PD-sw në pushtet. Gjendja asokohe na paraqitej me universitetet publike e fakultetet përkatëse që gëzonin një autonomi të konsiderueshme, duke nisur nga vendim-marrja e deri te kuotat e studimit dhe mënyrat e pranimit të studentëve që përcaktoheshin nga vetë Institucionet e Arsimit të Lartë në bazë të kapaciteteve dhe mundësive që ato kishin. Paralelisht në kohën që flasim ushtronin aktivitetin e tyre vetëm 3 universitete private, të liçensuara e ende në hapat e parë të zhvillimit të tyre, të përqendruara secila vetëm në një profil studimesh. Kësisoj përqindja e atyre që nisnin ciklin e studimeve të larta ishte brenda normave të pranueshme për një vend si Shqipëria, duke llogaritur indekset përkatëse të popullsisë dhe të nevojave të tregut, ndërkohë që gjithashtu vlen të kujtohet një numër i konsiderueshëm deri diku konstant, i cili çdo vit largohet për të ndjekur studimet jashtë vendit.

Në këtë pikë zë fill ai që mund të konsiderohet shkatërrimi total i arsimit të lartë shqiptar, bazuar në interesa krejtësisht elektorale, personale të biznesmenëve të arsimit e jo vetëm. Ishte një ndër premtimet më të bujshme elektorale të opozitës së atëhershme, rritja e numrit të atyre që vazhdojnë studimet e larta, e në një mënyrë apo në një tjetër e realizuan, për fat të keq në kurriz të të gjithë studentëve, të cilët pa qenë të vetëdijshëm u bënë pjesë e eksperimenteve të një-pas-njëshme që vazhdojnë të bëhen edhe sot.

Në mënyrë marramendëse u rrit numri i Universiteteve Private, të cilat nisën të liçensohen nga Këshilli i Ministrave njëra pas tjetrës e në krye të 5 viteve arritën numrin e frikshëm – 58! Pa u ndalur gjatë tek ato që rëndom quhen “kioska” ku shiten diploma, a më keq pastrohen paratë, qartazi asnjë kriter, asnjë kontroll, asnjë shqetësim për atë që po bëhej, përkundrazi u vazhdua me bindje të verbër nën moton e tregut dhe mbi të gjitha në emër të së drejtës së studimit, kinse si një e mirë e madhe që po u bëhej studentëve të ardhshëm, e që sot mund të themi me sigurinë më të plotë se ishte e keqja më e madhe që mund t’u bëhej. E mira iluzore se askush nuk do të mund të mbetej pa një diplomë në xhep (të merituar apo të blerë), rezultoi me një perfundim të hidhur: një numër sa vjen e më i madh të papunësh me diplomë! Tingëllon si luks për një vend si Shqipëria.

U shqyen njëkohësisht dyert e universiteteve publike, nën të njëjtën moto, këto të fundit humbën çdo të drejtë mbi përzgjedhjen e studentëve të ardhshëm e iu imponuan dy apo tri-fishime të kuotave përkatëse të pranimit, përtej çdo kapaciteti e mundësie.

Është momenti që përfaqëson shkakun e gjithçkaje po vjen e do të vazhdojë të vijë si rrjedhojë katastrofale në arsimin e lartë të këtij vendi e që i shtrin metastazat mbi tregun e punës e pashmangshmërisht mbi ekonomitë e familjeve shqiptare. Është ky burimi i gjithë të këqijave që pasojnë, i gjithë arnimeve që mundohen të imponohen në formë shtrëngesash, në përpjekje për të rregulluar tregun e dalë jashtë kontrollit nga babëzia e privatëve dhe mungesa ose pajtimi i plotë me to i shtetit të kapitulluar.

Të vetëdijshëm për dëmin e pariparueshëm që u shkaktua me këtë politikë, zotërinjtë që gëzojnë diskrecionin e vendim-marrjes mbi çështje kaq delikate, nisën diku nga mesi i vitit 2009 të ndërmarrin një sërë iniciativash legjislative që të mund të rregullonin disi katrahurën që kish rrëmbyer sistemin. Do të ndalemi në tre pika në të cilat gjatë tre viteve të fundit kulmon e gjithë kjo përpjekje qesharake për të pastruar llumin e shkaktuar nga shqyerja e dyerve të universetiteve e inflacioni i diplomave pa vlerë që pasoi. Sigurisht që edhe në këtë tentativë në dukje të nevojshme, janë të përziera shumë interesa që ndërlidhen.

Së pari çdo student që përfundon ciklin e parë të studimeve (të quajtur Bachelor) dhe dëshiron të vazhdojë studimet e një niveli më të avancuar (mundësitë janë Masteri Profesional që zgjat rreth 1 vit dhe Masteri i Shkencave që zgjat 2 vjet), detyrohet me Ligjin e Arsimit të Lartë (Neni 26) që të mbrojë Gjuhën Angleze përpara se të përfundojë këtë cikël të dytë studimesh. E si të mos mjaftonte kjo, nuk njihet dëshmia përkatëse që lëshon Fakulteti i Gjuhëve të Huaja (UT) prej shumë kohësh, dokument i cili është plotësisht i vlefshëm në raste aplikimesh për punësim, duke u anashkaluar kështu në favor të TOEFL-it (nëpërmjet partnerit ndërkombëtar ETS Global që gëzon të drejtën eksluzive të çertifikimit për Shqipërinë), e njohur si e vetmja mënyrë për studentët, sigurisht kundrejt pagesave përkatëse jo të vogla që u shtohen 4-5 viteve të shkollimit dhe duke kujtuar vlefshmërinë e kësaj çertifikate që duhet rinovuar çdo 2 vjet. Nuk është e vështirë të kuptohen interesat që fshihen pas kësaj nisme, fat i madh për qendrën e ETS Global me TOEFL-in e saj në Tiranë!

Së dyti duhen përmendur politikat e ndërmarra së fundmi, me ligjin mbi Profesionet e Rregulluara të miratuar nga Parlamenti, i cili dëmton rëndë xhepat e studentëve dhe familjeve të tyre. I ashtuquajturi stazh i cili do të aplikohet për çdo të ri që del nga dyert e shqyera të universiteteve, për një periudhë që varion nga 1 deri në 3 vjet në varësi të profesionit, duke hequr shpërblimn e mëparshëm prej 50% të pagës për ata që i nënshtroheshin këtij stazhi, në këmbim të pagimit të siguracioneve në librezën e punës, është një politikë e dështuar që në gjenezë. Askush nuk do të jetë i interesuar për t’iu përmbajtur ligjit: studentët nuk mund të punojnë pa pagesë, në këtë formë ata kthehen në skllevër të punëmarrësve e detyrohen të paguajnë sërish për ta kaluar edhe këtë hallkë që u është imponuar. Askush nuk i mbron, bëhet fjalë për një shkëmbim të rëndomtë. Edhe këtu nuk është e vështirë të kuptohet se interesat e kujt favorizohen, fat i madh për punëmarrësit që do të lëshojnë këto dëshmi në fund të stazhit!

Pika e tretë ka të bëjë me atë që quhet Provimi i Shtetit, fillimisht për 10 profesione (si mjekësia, arkitektura, inxhinieritë, avokatia etj.). Si të mos mjaftonin të gjitha hallkat e renditura më sipër, që në thelb janë të gjitha kohë dhe para’ e humbur, studenti që aspiron të ushtrojë njërin prej këtyre profesioneve detyrohet t’i nënshtrohet provimit të Shtetit, duke patur të drejtën të provojë deri në 5 herë në rast dështimi, sigurisht me një kosto progresive që kulmon në miliona lekë vetëm si tarifë regjistrimi, pa i hyrë këtu marifeteve korruptive alla-shqiptarçe…

Të llogariten shpenzimet komplesive të 4-5 viteve të studimeve të larta, mbrojtja e Gjuhës Angleze, kostot e stazhit pa pagesë 3-vjeçar dhe provimi i Shtetit që të jep të drejtën për të ushtruar profesionin. Një proces që zgjat nësë ke fat (dhe para’/pushtet mbi të gjitha) minimalisht 6 vjet e shkon deri në 13 vjet (nëse je i ndershëm dhe mbështetesh mbi shpatullat e tua). Sepse çdo pushtet nuk mund t’i harrojë njerëzit e tij, e ata që i kanë mundësitë nuk do ta kenë problem ta zgjidhin këtë çështje në favor të tyre. Sepse këto masa shtrënguese me hije të dukshme klientelizmi godasin shumicën, godasin të pambrojturit dhe ata që nuk janë pjesë e interesave të fshehura.

Arsimi i Lartë në Shqipëri po shkatërrohet, universiteti publik po shkon drejt falimentimit dhe mijëra familje shqiptarësh do ta ndiejnë këtë barrë mbi supet e tyre shumë shpejt. Ekonomia shqiptare gjithashtu do të vuajë pasojat e aventurave të një grushti njerëzish që vendos për të gjithë pjesën tjetër. E sigurisht që kjo pakicë sunduese do nxjerrë përfitime të mëdha, qartazi siç u shpjegua më sipër. Në kurrizin tonë!

*respublica.al

6 komente në “Shkatërrimi total i arsimit të lartë”

  1. mali says:

    PS duhet te prononcohet per keto reforma alla vuçidoliste

  2. sara says:

    Artikulli eshte shume i goditur. Kjo qe po ndodh me Arsimin e larte dhe me arsimin ne pergjithesi eshte nje fatalitet. Pasojat kane filluar. Universitetet private do vazhdojne te krijohen (mund te shkoje numri edhe 200 apo 300 dhe mos u befasoni nga keto shifra), ndersa universitetet publike shume shpejt do fillojne t’u vene kycin dyerve te tyre, sepse kete kerkon kjo qeveri e korruptuar. Shoqeria shqiptare dhe sidomos te rinjte shqiptare duhet te reagojne. T’i lene kafenete, pabet dhe qejfet e shfrenuara dhe te ngrihen per te ardhmen e tyre. Arsimi privat eshte Piramida e re shqiptare.

  3. jani says:

    perfshi ketu dhe drejtuesit medioker dhe te korruptuar te universiteteve psh (univ i durresit apo te tjere) dhe cdo gje ka marre fund

  4. JO says:

    UNIVERSITETET PRIVATE JANE MENYRA ELEGANTE PER TE ZHVATUR ILUZIONIN E RREME TE RINISE
    SHQIPTARE E PER TE FSHEHUR KOMPLEKSIN DOMININUES TE INFERIORITET KULTUROR
    QE DOMINON NE SHOQERINE SHQIPTARE.MISERIA INTELEKTUALE NUK MUND TE FSHIHET
    ME DIPLLOMA FALLCO,TE CILAT DO TE DUKEN QESHARAKE E TE TURPSHME SAPO ATA QE E KANE BLERE
    DO TE PERBALLOHEN ME SHOQERITE E PERPARUARA.NJE UNIVERSITAR SHQIPTAR ESHTE I BARABARTE
    NE NJOHURI ME NJE NXENES SE SHKOLLES SE MESME NE PERENDIM.
    ME MIRE NJE E VERTETE E PAPELQYESHME SE NJE GENJESHTER E BUKUR.
    MOS KULTIVONI VETE MASHTRIMIN SE DO TE VAZHDONI TE
    FUNDOSENI NE VETEMOHIM.RROFTE E VERTETA!

  5. AK says:

    U be diploma me fshi b… sala ja futi dhe ketu shqiptareve ja di pikat e dobta. ne kohen e enverit vdisnin per universtet dhe sala ja u plotsoi deshirat ja u mori votat ju beri me shkolla e ju la papune. Profesionale ska idot popull

  6. Bergin says:

    Shume e vertete e hidhur.Fatkqesisht shume nga keta me diploma te blera punojne ne dikastere shteterore.Kjo ka te beje me bastardimin she kalbezimin total te shtetit qe karikon nje fenomen te tille.Ata qe kthehen nga perendimi me diploma u mbyllen dyert nga injoranca sepse i shikojne si rrezik per zenien e vendit te punes.Per sa kohe qe ne nuk do kemi shtet(momentalisht nuk kemi,kemi thjesht nje bande te stermadhe hajdutesh me gjithe shoqeri e farefis qe po e shkaterrojne cdo dite e me shume Shqiperine)do te ekzistoje i njejti problem.Kam njohur shume nga keta lloj tipash me diploma te tilla.Kane te theksuar ate injorancen e idiotit me diplome qe i eshte mbushur mendja top se eshte i zgjuar sepse ka ne xhep nje cop karton.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje