Forma e re që ka zgjedhur lideri i opozitës shqiptare për të komunikuar me publikun me anë të penës (këtu futen edhe blogjet apo rrjetet sociale, si penë moderne) ka ngjallur reagime të shumta arenën mediatike.
Edi Rama duket kaq i dashuruar me mënyrën e re që ka zgjedhur për komunikim me publikun, saqë pothuajse e ka bërë mënyrën e vetme. S’kemi më dalje publike, intervista mediatike, apo pjesëmarrje në emisione politike. Edhe në një puntatë të Sokol Ballës në Top Story ku flitej pikërisht për librin e tij, Edi Rama jo vetëm s’kishte pranuar të ishte në studio, por tha se s’kishte dashur të ishte fare prezent në emision as në distancë.
Lind natyrshëm pyetja se përse një politikan i këtij niveli zgjedh të komunikojë me publikun me penë dhe në këtë mënyrë ta bëjë veten e tij edhe më vulnerabël ndaj sulmeve dashaliga, kur për shkak të pozitës politike që ka mund të ketë të gjithë fokusimin mediatik që dëshiron, kur çdo gjë që ai thotë (sado e parëndësishme) përbën lajm? Them ta bëjë veten më të pambrojtur ndaj sulmeve, pasi nga vetë natyra e tij komunikimi me penë bën që autori (në këtë rast politikani) të ketë mundësinë dhe, meqenëse vetë e ka zgjedhur, edhe dëshirën për të folur në mënyrë të detajuar për gjithçka. Të përmendë të gjitha çështjet e rëndësishme të shoqërisë e politikës dhe të japë mendimin, alternativën dhe qëndrimin e tij në mënyrë të zgjeruar e të detajuar. Nëse vendos të flasësh duke shkruar vërtet mund të kesh komoditetin e të mos pasurit përballë një gazetar, apo një panel analistësh që të ngacmojnë me pyetje e të presin fillin e mendimit, por s’mund t’i bësh hile vetes më ëëë të zgjatura, apo me përgjigje që kanë pak ose aspak lidhje me pyetjen, kur je ti ai që vetë ka zgjedhur të flasë për të gjithë e për gjithçka të rëndësishme.
Kurban-i
Meqenëse vetë gjatë leximit të librit nuk gjeta pasaktësira, fryrje, vetëmburrje, apo të tjera gjëra të ngjashme në atë masë sa të krijoja atë që do mund të quhej ana e dobët e librit dhe ngaqë shkrimi ishte në atë stil që të bënte ta lexoje librin me një frymë (me gjithë përpjekjet e mia për t’u ndalur e analizuar), dëgjova me shumë vëmendje emisionin Top Story mbi librin Kurban. Në emision ishin të ftuar katër persona, por unë isha i interesuar për atë që do të thoshin dy prej tyre, Henri Çili dhe Artan Hoxha. Duke qenë se Çili dhe Hoxha janë “sulmues” shumë të talentuar, prita me kureshtje kritikat e tyre. Me pak fjalë kisha frikë se nga ndjesia e sinqeritetit dhe e vërtetësisë që të përcillte fryma e librit mund të më kishin shpëtuar pjesët e kritikueshme. Përveç dakordësisë së të katër anëtarëve të panelit që Kurban ishte nga ata libra që lexohen duke u përpirë, Çili dhe Hoxha në çdo marrje fjale përpiqeshin të hidhnin ndonjë kritikë. Hoxha gjatë gjithë emisionit vërtitej tek argumenti se Rama kishte idealizuar aftësinë e tij për të pasur një frymë moderne komunikimi më stafin në bashki dhe se kishte demonizuar kundërshtarin e tij politik, Berishën për mungesën e kësaj aftësie. Ndërsa Çili s’hodhi ndonjë kritikë që të mund të kujtohet edhe pas emisionit, por përveçse mbështeti kritikat e Hoxhës, bëri dhe një aludim (që gjoja s’donte ta thoshte se s’kishte prova) që kurbanin në bashki e kishte bërë vetë Rama fshehtas. Pra kjo ishte e gjithë oponenca mbi librin, që gjithsesi duhet vlerësuar për faktin se nuk shkoi deri aty sa të përdorte dogmën e rëndomtë “të djathtët qeverisin, ndërsa të majtët shkruajnë libra”, thua se shkrimi i librave është një antivlerë.
Ndërsa për mendimin tim personal Kurbani është një libër që duhet lexuar, pasi përveçse përmban qëndrimet, opinionet dhe vizionet e atij politikani që mund të quhet kryeministri i ardhshëm, është i shkruar me një shqipe të pastër dhe me një stil që e bën lehtësisht të lexueshëm dhe lehtësisht të kuptueshëm për këdo. Pra me anë të këtij libri mund të kesh një bashkëbisedim me liderin e opozitës, duke marrë në këtë mënyrë përgjigje për shumë pyetje që një qytetar do të donte t’i drejtonte shefit të opozitës në lidhje me opinionet dhe qëndrimet e tij për shumë çështje të rëndësishme.
Gjithashtu përshëndes mënyrën e re komunikuese të liderit të opozitës, megjithëse sipas mendimit tim kjo mënyrë komunikimi nuk vlen për të gjithë shqiptarët, pasi është e natyrshme që jo të gjithë të lexojnë libra në një vend. Pra me gjithë vlerat që ka kjo formë komunikimi, një politikan i një rëndësie të tillë nuk e ka luksin të heqë dorë nga ekranet, pasi kështu fjala e tij nuk do të dëgjohej nga të gjithë.
Nje politikan flet per te debatuar, diskuton per te paraqitur probleme, debaton per te parashtruar zgjidhje.
Qe te behet kjo duhen te pakten dy politikane nga dy krahe perballe.
A mundet te ndodhe kjo kur Rama flet, si politikan; ndersa Sala shan me rob shpie, si nje rrugaç?