Bitiset “bunga-bunga”

23 Nëntor 2011, 23:13Blog TEMA

Nga Enver Robelli

Me largimin e Silvio Berlusconit nga posti i kryeministrit të Italisë skena politike evropiane mbeti pa një komedian të turpshëm. Çfarë zhvillimi i mirë!

 

Çka mbetet nga Silvio Berlusconi? Cila është trashëgimia e tij politike? Çfarë gjurmësh ka lënë ky politikan në zhvillimin ekonomik të vendit? Tani, pas dorëheqjes së tij nga posti i kryeministrit të Italisë, bilanci rezulton më tepër se i varfër. Një vend i zhytur në borxhe, me ekonomi më tepër stanguese sesa prosperuese, me qytetarë që gjithnjë e më shumë humbin besimin se politika mund të ndryshojë gjendjen e keqe ekonomike. Kjo është njëra anë e medaljes. Ana tjetër është po aq e zbehtë, në mos më shumë. Berlusconi do të mbahet mend për demontimin e moralit publik, për njollosjen e një kulture të madhe, siç është ajo italiane, për prishjen e imazhit të vendit në botën perëndimore, me një fjalë: nën qeverisjen e Berlusconit Italia është bërë gaz e shpoti nëpër shumë kancelari diplomatike dhe politike të Evropës. Viteve të fundit Italia nuk lidhej më me një vend të njohur për dizajn, kuzhinë të mirë, ekonomi të zhvilluar dhe gardërobë elegante. Jo! Nën qeverisjen e Berlusconit Italia u bë e njohur me “bunga-bunga” – një sinonim për orgjitë seksuale të kryeministrit, me gjasë edhe me femra të moshës jomadhore. Si arriti të qëndrojë kaq gjatë Berlusconi në pushtet? Kryesisht përmes kuletës së trashë. Ata deputetë që kërcënoheshin me shkëputje të lojalitetit, përfitonin diçka nga shefi: pagesën e hipotekës për shtëpi, një veturë, pra këso gjërash të imëta.

Paraqitjet publike të Berlusconit pothuaj përherë ishin qesharake. Konsumuesve të kujdesshëm të medieve me siguri u kujtohet një fotografi e Berlusconit me shami piratësh, duke i mirëpritur në vilën e tij në Sardenjë kryeministrin britanik Tony Blair dhe bashkëshorten e tij. Ose çasti kur Berlusconi e përshëndet zonjën e parë të SHBA-ve, Michelle Obama, duke bërë një gjest mashkullor përtej etiketës protokollare – derisa Barack Obama e shikon vëngër, sigurisht jo i entuziazmuar. Diçka nga repertori qesharak i Berlusconit mund të tregojë edhe kryeministri shqiptar Sali Berisha. Në njërën prej vizitave të tij në Romë, Berisha doli para medieve bashkë me homologun e tij italian. Pa një pa dy Berlusconi deklaroi se do ta pranonte ftesën për të vizituar Shqipërinë nëse Berisha do t’i prezantonte atij një vajzë të bukur shqiptare! Berisha u zu ngushtë, siç mund të zihet ngushtë secili politikan në ato çaste. Rendi protokollar e do që të ruhen nervat.

 

Një xhuxh politik

Çfarë mbetet tjetër nga Berlusconi? Me siguri edhe këto deklarata të tij:

– “Unë jam Jezu Krishti i politikës”.

– “Vetëm Napoleoni ka arritur më shumë se unë”.

– “Unë do të futem në histori, bëjeni gati përmendoren”.

– “Unë kam një kompleks epërsie”.

– “Askush në skenën e politikës botërore nuk mund të shtyhet me mua, asnjë protagonist i politikës, asnjë kryetar apo kryeministër shteti nuk ka një histori si timen”.

– “Për Georgein, Tonyin dhe Vladimirin unë jam një pasanik, i cili ka arritur shumë suksese. Ata më thonë: Kur të mbesim pa poste a do të na punësosh ti? Unë do t’i punësoja që të tre”. (Berlusconi e ka fjalën për Bushin, Blairin dhe Putinin).

– “Ne nuk guxojmë t’i vendosim në një rrafsh civilizimin tonë dhe atë islamik. Civilizimi ynë duhet të shtrihet atje ku njerëzit kanë mbetur në shekullin e 7-të. Perëndimi do t’i oksidentalizojë dhe pushtojë popujt. Kështu ka bërë me botën komuniste, kështu do të bëjë edhe me një pjesë të botës islame”.

– “Në Irak punët po ecin për mrekulli, atje po punojnë shkollat etj. Ka edhe gjëra që nuk funksionojnë, për shembull semaforët në Bagdad. Kështu ndodh që dikush zbret nga vetura e tij dhe fillon të drejtojë trafikun”.

– “Drejtësia është kancer i shtetit juridik, të cilën ne duhet ta zhbëjmë”.

– “Jam i sigurt se prokurorët tanë rrjedhin nga shkolla e Moskës dhe sikur të shkonin në Kubë jam i sigurt se do të merreshin me turizëm seksual dhe prapë asgjë nuk do të mësonin”.

– “Diktatura e Musolinit ka qenë – si të them – shpirtbutë. Musolini nuk ka vrarë askënd. Musolini i ka dërguar njerëzit në internim për të bërë pushime”.

– “E majta thotë se unë jam një xhuxh. E, unë jam 1 metër e 71 centimetra i madh”.

– “Më pëlqen t’i bind njerëzit se unë jam supermen”.

– “Rasmussen është kryeministri më i bukur i Evropës. Mendoj se duhet ta njoftoj me gruan time, sepse ky është shumë më i bukur se Cacciari, oh grua e mjerë”. (Kështu i kishte thënë Berlusconi kryeministrit danez Rasmussen para gazetarëve në Romë pas raporteve në mediat se gruaja e tij Veronica Lario kishte një aferë me prefektin e Venecias dhe filozofin majtist Massimo Cacciari. Rasmussen tash është sekretar i përgjithshëm i NATO-s).

Pas të gjitha këtyre fjalëve, Silvio B. e shihte veten si perandor, një fenomen i njohur te biznesmenët kontrovers, të cilëve u mbushet mendja të merren me politikë, sepse besojnë se lojaliteti politik blihet me pare. Tani shfaqja “bunga-bunga” e Berlusconit mori fund. Së paku me Berlusconin si kryeministër. Një zhvillim i mirë për Italinë. Dhe për Evropën e sfilitur nga kriza ekonomike.

6 komente në “Bitiset “bunga-bunga””

  1. fkpartizoni says:

    bobo, kushedi sa do merzitet Berlusconi kur te lexoje vleresimet aq kritike te ketij Enver Robellit…

    1. fule says:

      bunga-bunga e gjunjezoje Italine. Nuk e di nese dikush ne Itali mund te ngushellohet me faktin se ka dhe me keq, madje shume me keq. Mjafton te shikosh nga ana tjeter e Adriatikut

    2. puttitdown says:

      ….po, po, do te pi nja tre viagara, nga zemerimi!

  2. gimi says:

    fjali pas fjalie, perkthim pas perkthimi… dhe nje tekst i perkthyer me “autor” perkthyesin enver robellin. bukur fare more enver. na rrofsh sa malet.

  3. Nistreti says:

    Po më vjen mirë që po zbulohet se artikullshkruesi është plagjiator, sepse kështu frenohet edhe epidemia e deivijimit në mendim, shprehje dhe kulturë, që do ta rriste dëmin edhe më tej.

  4. lamja says:

    Enver- pse te ka dalur zani se perkthen dhe vjedh tekste nga perkthimi? A thua mos huazon pakez si shume nga mediat gjermane?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje