“Ethet” e pritjes së raporteve ndërkombëtare për atë çfarë ndodh në vendin tonë dhe krahasimi i zakonshëm me vendet e tjera, duket se janë kaluar. Fatkeqësisht “ilaçi” në këtë rast nuk është se gjërat kanë ndryshuar për të mirë, por të mësuarit me atë se çdo raport që publikohet për vendin tonë thotë se Kosova është shteti ku zbatimi i ligjit është si mos më keq.
Kështu tha edhe raporti i Transparency International për financimin e partive politike në pesë vende të Ballkanit, i publikuar të enjten në Kroaci. Megjithëse Kosova ka ligje për këtë çështje, zbatimi i tyre është më keq se sa në Kroaci, Maqedoni, Serbi dhe Shqipëri.
Raporti i ri, ‘Ndriçimi i parave në financimin e partive: Shqipëria, Kroacia, Kosova, IRJ e Maqedonisë dhe Serbia 2011’ trajton problemet e tanishme të identifikuara në legjislacion dhe praktikën rreth financimit të partive.
Hulumtimi vlerëson dhjetë dimensione: mbajtjen e librave të kontabilitetit nga ana e subjekteve; raportimin e partive në organet mbikëqyrëse; sa gjithëpërfshirëse, të detajuara dhe të besueshme janë raportet; qasja e publikut në informacione; vendosjen e masave të parandalimit, sanksioneve dhe mbikëqyrjes shtetërore; si dhe aktivitetet mbikëqyrëse nga shoqëria civile./zeri