(Për librin “Kohë e pamjaftueshme” të Helena Kadaresë)
Nga Ilir Yzeiri
Në imazhin tim, por edhe të shumë prej bashkëmoshatarëve të mi apo ndoshta edhe të një tërësie më të gjerë shqiptarësh, emri Helenë të sjell menjëherë në përfytyrim portretin e një vajze bionde që shfaqet në kiçin e një anijeje me një vështrim të përhumbur larg dhe pas saj mbërrin me dorën në sup Paridi. Ky imazh i Helenës së Trojës është kaq shumë i rrënjosur në përfytyrimin tim sa që gjithçka e bukur, rrëzëllitëse dhe misterioze nuk mund të përfytyrohet ndryshe, por vetëm nga mbështjellja me këtë emër: Helenë. Por vitet kalonin dhe në imazhin kolektiv hyri edhe një emër tjetër: Kadare. Unë sot nuk jam në gjendje ta them, por e di me siguri se sa herë që ne flisnim për Kadarenë, për veprën e tij, përmendnim edhe Helenën. Këtë nuk e di ta them me siguri se përse ndodhte kështu. Ndoshta për shkak të vezullimit që kishte vepra e Kadaresë, për shkak të misterit po se po, për shkak të një fryme gati olimpike, tragjike e ndonjëherë edhe për shkak të një simetrie të përsosur, emri dhe vepra e Kadaresë na vinte gjithmonë në vështrim edhe me një emër tjetër me emrin Helenë. Kjo ndoshta vinte ngaqë vepra e tij, qoftë ajo në poezi, qoftë ajo në prozë kishte copëza të thyera nga Troja e Athina e lashtë, kishte pra “smërç” nga pasqyra e thyer e antikitetit grek. Kisha arritur të mendoja se Kadare nuk do të ishte me këto përmasa në qoftë se ai nuk do të kishte në krah një Helenë. Aq i bindur isha, sa herë më seriozitet e herë me shaka, me miqtë e mi të rinisë së hershme thoshim se edhe sikur gruaja e Kadaresë të kishte pasur një emër tjetër, ai do t’ia kishte ndërruar në çast. Do ta kishte quajtur Helenë. Por ky është një vegim i largët që u forcua më pas e sidomos atëherë kur e shihja bashkëshorten e Kadaresë që dilte nga shtëpia e nisej për në punë. E kisha vënë re kur kapërcente në këmbë sheshin “Skënderbej” dhe isha magjepsur prej saj e në këtë gjendje të përhumbur, u kisha shkruar shokëve të mi në provincë se ne kishim pasur të drejtë: Helena ishte ashtu siç e përfytyronim ne, e bukur dhe madhështore siç mund të ishte vetëm bashkëshortja e Kadaresë.
Libri “Kohë e pamjaftueshme”(shtëpia botuese “Onufri” e cila drejtohet nga botuesi i pasionuar dhe profesionist, Bujar Hudhri), që Helena Kadare sapo e ka botuar, është ndoshta enciklopedia e parë e plotë për veprën letrare, biografinë letrare, aktin e krijimit, historinë e letërsisë, shënimet e udhëtimit, kritikën letrare, semiotikën, shkurt, është jo një libër me kujtime, por një enciklopedi e tërë që përmbledh të gjitha disiplinat që përmenda më sipër. Pas këtij libri nuk qëndron thjesht bashkëshortja e shkrimtarit Kadare; pas këtij libri është një shkrimtare e madhe, një biografe e shkëlqyer, një kronikane perfekte, një studiuese e letërsisë, një teoriciene e letërsisë, një kritike letrare, një mjeshtre e përshkrimit të udhëtimeve, më në fund, një grua e dashurar deri në magjepsje me bashkëshortin dhe me shkrimtarin Kadare, një nënë ideale, një femër perfekte dhe një gjyshe e ëmbël. Libri i ka të gjitha këto regjistra rrëfimi. Pa këtë libër ne do ta kishim të pamundur të kuptonim veprën e shkrimtarit më të madh shqiptar, e gjeniut te letrave shqipe Ismail Kadare.
“Kohë e pamjaftueshme” ndahet në nëntë pjesë dhe përmban 683 faqe. Është shkruar për pesëmbëdhjetë vjet rresht dhe ka zënë fill diku në një hotel në Kroaci për të vazhduar më pas në shumë mjedise të tjera nëpër të cilat ka lëvizur familja Kadare. Ashtu siç rrëfen edhe vetë autorja, ajo është nisur të shkruajë një libër me kujtime për jetën me shkrimtarin Kadare, ndoshta një libër si ai me kujtimet e gruas së Dostojevskit gjatë kohës që ata (Dostojevskët) qëndronin në Zvicër, libër që Helena e ka përkthyer në mënyrë të shkëlqyer në shqip, por sapo ka nisur të hedhë linjat e para, lloji i librit, pra lloji biografik, është shpërpjesëtuar dhe libri është bërë shumëdimensional. Rrëfimi fillon me njohjen e parë me poetin e famshëm të viteve ’60, me letrën dërguar në Moskë dhe me përgjigjen e Kadaresë. Që këtu lexuesi duhet të përgatitet për atë që vjen më pas. Nga njëra anë, një vajzë e talentuar, por shumë e bukur që është magjepsur pas poetit të ri dhe, nga ana tjetër, një poet dhe një njeri atipik që nuk di të joshet nga asgjë, që është zënë peng nga ankthi i letërsisë dhe, ashtu kontradiktor siç është, ka vendosur të braktisë letërsinë e të bëhet regjisor. Pastaj, me një art të shkëlqyer, ajo përshkruan njohjen, dashurinë dhe, më në fund, martesën me Kadarenë. Këtu, në këtë pjesë, autorja ka treguar jo vetëm portretin e bashkëshortit të saj, por ka vizatuar portretin e një prej poetëve më të talentuar dhe më të vlerësuar të kohës. Kadare ishte bërë fenomen me gjithçka, me poezinë e tij, me jetën, me të folmen e tij, me komunikimin. Në të gjitha këto anë, ai ngjante gati me një jashtëtokësor. Dhe Helena ka meritën se e vizaton me mjeshtëri këtë portret. Duke vizatuar marrëdhënien e saj me Kadarenë, ajo, ashtu si Jusuf Vrioni në librin e tij “Kujtime të një europiani”, jep atmosferën e përgjithshme të atyre viteve në të cilat Kadare ishte jo vetëm poeti më i shquar, por një lloj stari, një lloj modeli te i cili identifikoheshin të rinjtë e kohës. Pas kësaj vjen një tjetër ambient – familja Kadare. Këtë atmosferë dhe personazhet e kësaj familjeje ajo i vizaton ndoshta më mirë se edhe vetë Kadareja në ndonjë rast. Një teatër dhe personazhe absurdë, pasardhës të një qyteti mistik, me një lloj komunikimi që të kujton teatrin e Beketit. Askush nuk flet, madje as edhe kur shtrohet tryeza. Nëse dikush thotë diçka, ai e bën këtë për të prerë çdo lloj komunikimi me të tjerët. Dikush nga miqtë e Kadarenjve i thotë Helenës se si ia bën në atë shtëpi ku fliten vetëm tre fjalë në ditë. Dalngadalë, ajo, për herë të parë, na vizaton edhe portretin psikologjik të shkrimtarit Kadare, i cili çon një jetë atipike. Të duket sikur ai është i “mbërthyer nga magjitë” do të thoshin plakat e qytetit të tij. Për herë të parë në këtë libër, ne kemi të zbërthyer qartë portretin psikologjik të shkrimtarit më të madh të letrave shqipe. Shkrimtari Kadare në jetën e përditshme është një njeri i heshtur, i vrenjtur, që nuk flet. Stili i tij i komunikimit është i ndryshëm, sepse ai ngandonjëherë zbret në komunikimin e përditshëm copëra frazash të pakuptimta, ngaqë jeta e tij nuk është lëvizja, por shtangia, vetmia. Shumë herë më ka shkuar ndërmend, por tani që kam dëshminë e bashkëshortes së tij, jam më shumë i bindur, se te Kadare vërtetohet ajo që thonë teoricientë e komunikimit se shkrimtarët e mëdhenj, në komunikimin e përgjithshëm, flasin ngandonjëherë me fraza të shkurtra dhe thëniet e tyre ngjajnë me psalmet e Dhjatës së Vjetër. Kjo ndodh pse në kokën e tyre, që nga çasti kur ata mendojnë, nis e gatuhet ideja e krijimit. Natë e ditë ata jetojnë me këtë makth të krijimit të një bote paralele që është e padukshme, por që ata e shohin më së shumti kur përpihen nga meditimi, atëherë kur janë midis ëndrrës dhe jo ëndrrës. Helena e ka pikasur dhe e ka paraqitur këtë anë të psikologjisë së shkrimtarit tonë të madh në mënyrë brilante. Po citoj: “Shpesh më kishte qëlluar që aty nga ora tre e gjysmë ose katër e mëngjesit, të shikoja dritë në dhomën e tij të gjumit dhe në mëngjes të gjeja shënime të tij të lëna anash shtratit, por asnjëherë s’mbaj mend të më kishte thënë se i doli befas gjumi dhe i shkrepën në mënyrë të befasishme ca ide a ca mendime…As për ëndrrat s’kishte ndonjë dëshirë të fliste…Shpeshherë më përsëriste se dendësia e një mallëngjimi, e lumturisë qoftë apo e ndjenjës së humbjes, në ëndërr ishte shumë herë më e fuqishme dhe më e papërballueshme se në jetë dhe se shpesh kishte dashur apo ishte përpjekur ta arrinte atë nëpërmjet shkrimit”(“Kohë e pamjaftueshme”, Onufri, 2011, f. 631). Këtu autorja ka prekur një nga teoritë më të njohura të aktit të krijimit dhe të imazhit në përgjithësi. Kur jemi në kinema duke parë një film apo kur jemi të mbërthyer nga akti i krijimit, provojmë pak a shumë të njëjtën ndjesi si në ëndërr, domethënë shkëputjen nga bota, humbjen e përmasave të kohës dhe të hapësirës dhe kthimin në gjendjen fillestare të fëmijërisë, aty ku kufijtë midis njeriut dhe botës dhe njeriut dhe të tjerëve nuk e ekzistojnë. Në këtë gjendje ti je i mbështjellë vetëm me vetveten dhe mund të arratisesh në cilëndo hapësirë, mjaft që ta sjellësh në përfytyrim.
Libri kalon me shpejtësi nga njëri regjistër në tjetrin. Nëpër faqet e tij parakalon pothuajse pjesa më e madhe e historisë së letërsisë në diktaturë. Ja vitet ’60, konflikti mes të rinjve dhe të vjetërve për poezinë, pasatj portreti i Drago Siliqit që ka një rol të jshtëzakonshëm në këtë periudhë në nxitjen e të rinjve. Pastaj menjëherë pas kësaj vjen pendimi. Vitet 1960-’70 janë kontradiktore dhe herë-herë fatale për letërsinë. Plenume ku dënohen shkrimtarët Dh. Xhuvani e T. Çuashi, pastaj dënohen dramat e Qamil Buxhelit, Naum Priftit e Fatos Arapit. Qarkullimi dhe degdisja e shkrimtarëve në fshat. Klubi i Lidhjes së shkrimtarëve ose atmosfera e “Klubit Petëf” që arrin absurdin kur Skënder Luarasin, pasi ishte përjashtuar nga Lidhja e Shkrimtarëve, e përjashtojnë edhe nga Klubi i Lidhjes së Shkrimtarëve pse kishte folur me entuziazëm për romanin “Gjenerali i Ushtrisë së vdekur”. Vihet re një lloj hapjeje. Drama “Njollat e murrme” e Minush Jeros, pastaj diktatori në lozhë dhe dënimi. Mirëpo dehja vazhdon dhe pas kësaj vjen Festivali XI dhe fill pas saj goditja. Të gjitha këto ngjarje jepen me detaje e me saktësinë e një historianeje të letërsisë duke i bërë kështu një shërbim të çmuar kulturës shqiptare. Pastaj parakalojnë personazhet e mëdha të kulturës shqiptare, Çabej e Poradeci për të arritur deri te at Zef Pllumi. Natyrisht, libri “Kohë e pamjaftueshme” është një enciklopedi e kulturës shqiptare sepse, duke treguar jetën dhe veprën e përfaqësuesit kryesor të saj, arrin të kuptosh më mirë edhe Shqipërinë e kohës së diktaturës dhe të tranzicionit. Në këtë shkrim do të doja të veçoja në fillim një anë të rëndësishme të krijimtarisë së Kadaresë që këtu na zbulohet nga një dëshmitare e afërt, më saktë, nga një pjesëmarrëse në krijim, nëse mund të shpreheshim kështu. Pyetja që bëhet gjithmonë për veprën e Kadaresë, është se çfarë fshihet pas saj. Kritika e huaj ka parë më së shumti alegorinë ndaj diktaturës, ndërsa lexuesi shqiptar e ka pasur ngandonjëherë të pamundur që ta besojë atë që të huajt deklaronin e shkruanin për shkrimtarin tonë të madh. Zanafilla e romanit “Gjenerali…” fjala vjen, është hotel “Dajti”. Aty Kadareja shkonte shpesh për të pirë kafe dhe aty ka parë e dëgjuar për gjeneralin që mblidhte eshtra. Por libri që nisi në fillim si tregim e novelë, është shkruar në Shkodër, në hotel turizmin e atij qyteti në një natë me shi e me erë. Misterin e Adrian Gumës te “Nëntori i një kryeqyteti” askush nuk e ka zbërthyer qartë në kuptimin se nga ka ardhur ngasja apo shtysa. Ndërkaq, në këtë libër Helena na zbulon se është ngacmimi që i ka shkaktuar Kadaresë fati i Mitrush Kutelit dhe sidomos fraza fatale kur partizani ngre petromaksin, i sheh fytyrën dhe i thotë : është vonë. E vërteta historike është kjo. Kuteli, pas kundërshtimit që ju bën gjermanëve në vitin 1944 kur punonte në Bankën e Shqipërisë, shkon në Priskë që të bashkohet me partizanët. Por ata e refuzojnë dhe ai, i dërrmuar, mendon të vrasë veten. Për këtë histori Kadare vendos të shkruajë një tregim me titullin “Gropa” por nuk e shkruan dot, pastaj e rimerr motivin dhe lexuesi e takon në fatin e një shkrimtari tjetër, në atë të Adrian Gumës. Aty vizatohet edhe portreti i komandantit që udhëhiqte partizanët në çlirimin e Tiranës, i cili vetë do të përfundonte më pas i vetëvrarë si kryeministër dhe i hedhur diku në një gropë. Kjo lloj ndërthurjeje dhe ky kapërcim hapësirash e kohësh është në stilin e Kadaresë dhe ky është vetëm një shembull që Helena Kadare e jep në mënyrë të shkëlqyer, por që studiuesit e nesërm të shkrimtarit tonë të madh do të kenë mundësi t’i gjejnë thuajse të plota në librin e Helenës.
Në këtë libër, gjithashtu, janë vizatuar edhe raportet e shkrimtarit me diktaturën, me sigurimin e shtetit, janë dhënë me nota gjithë dritë edhe pamjet e asaj që, në kuptimin e mirë të fjalës, quhej elita e vendit, ajo që shërbente si model për të tjerët, që të mos e pranonin qoftë edhe në mënyrë të pavetëdijshme diktaturën. Kështu bodrumi i Mojit (Gramoz Pashko) apo shoqëria me Gim Myftiun, Nefoja gruaja e Manush Myftiut, apo Çerçiz Mingomataj, janë vetëm disa shembuj që tregojnë atë të vërtetë të madhe që filozofët e kanë vënë re me kohë kur kanë deklaruar se çdo epokë e re është përgatitur më parë nga epoka pararendëse. Edhe shqiptarët e përqafuan menjëherë demokracinë dhe u ndien në shpirt europianë sepse ishin ushqyer me këtë frymë e këtë shpresë që në diktaturë. Ushqimi i tyre, veç të tjerash, ishte vepra e Kadaresë dhe qëndrimi e shfaqja e elitës edhe me atë që nga disa është quajtur disidencë e sjelljes borgjeze.
Duke lexuar këtë libër m’u zgjua një përfytyrim tjetër, sepse paralelisht me të, isha marrë një kohë të gjatë me Pjetër Bogdanin për shkak të një kumtese që përgatita para ca kohësh për një Kolokuium ndërkombëtar që u mbajt në Bukuresht. Duke lexuar veprën e Bogdanit, pastaj Rugovën dhe monografinë e tij, por edhe Odette Marquet dhe librin e saj me dokumentet e letrat e Bogdanit drejtuar Vatikanit, paralelja mes këtyre dy kolosëve të kulturës shqiptare më bëhej me e plotë. Tani, pas leximit të librit të Helenës nuk kam asnjë mëdyshje. Bogdani e shkroi veprëm e vet 200 vjet pasi “Arbënia” ishte pushtuar nga turqit dhe vendi po shkonte në zgrip. Në “Të primitë” (hyrje) e veprës ai thotë: ”Prashtu dergjet dheu ndë robi errëtë e verbuem, me dy palë niegulla të zeza mbë faqe, qi janë mpkati e padijtunitë…” (Cuneus prophetarum, A.Omari, botim i Akademisë së Shkencave, Tiranë 2005, f.XIV). Unë do të shtoja se ashtu dergjej edhe Shqipëria e mbuluar nga dy palë mjegulla në faqe kur Kadare nisi të shkruajë veprën e tij. Nga libri i Helenës marrim vesh peripecitë e pafund të veprës. Mosbotim, refuzim, heshtje, sulme, shpifje dhe nëse Bogdani, pasi e shkroi veprën e vet, iu drejtua Vatikanit për ta botuar, Kadare, si për ta bërë më të plotë krahasimin me Bogdanin e madh, priti shtatë vjet sa vepra e tij u botua jashtë Shqipërisë. Bogdanit iu deshën dhjetë vjet që ta përkthente në italisht, në mënyrë që Censura e Propoganda Fide të bindej se vepra mund të publikohej. Bogdani, siç marrim vesh nga dokumentet e kohës, ishte i rrethuar nga një cmirë e urrejtje pafund. Kolegët e tij shkruanin letra në Vatikan duke e akuzuar për lloj–lloj monstruozitetesh. Por më paradoksalja ishte akuza që i bënin për servilosje ndaj autoriteteve turke e lloj-lloj shpifjesh të tjera. E famshme në këtë pikë është letra e tij e datës 10.IX.1696, dërguar Kongregatës së Shenjtë (Odette Marquet, Pjetër Bogdani Letra dhe dokumente, Shtëpia Botuese At Gjergj Fishta, Shkodër 2007, f.229-230). Ndërsa makina e urrejtjes ndaj Kadaresë që nis me sigurimin famëkeq të shtetit e vazhdon me ata që ai i quan “popuj të Shqipërisë” janë thuajse identikë. Nuk besoj se ka episod më të trishtë në jetën e një shkrimtari gjenial si Kadareja se ajo që i ndodhi atij në vitin 1982, me fyerje e sharje, me kërcënime te dera, muaj e muaj të tërë. Ndërsa tartarët e kohës së Bogdanit, pas vdekjes së tij, ia nxorrën trupin nga varri dhe ua hodhën qenve në pazarin e Prishtinës. Mirëpo vepra e Bogdanit, “Cuneus Prphetarum” kishte arritur që t’ia hiqte “niegullat” nga faqet shqiptarëve. Frymëzimi europian i Bogdanit dhe kulti i Perëndimit bëhen për Kadarenë kuptim i jetës inetelektuale dhe i veprës së tij letrare gjithashtu. Helena në këtë vepër ka treguar me përpikmërinë e një kronikaneje brilante veprimtarinë intelektuale të Kadaresë në momentin kur fati i Shqipërisë dhe Kosovës ishte në teh. Këtu shkrimtari i madh ishte një lloj ambasadori i pashpallur në Perëndim, ai që mund të bisedonte lehtësisht me të gjithë personalitetet e botës. Ishte imazhi i ringjallur i Bogdanit që me zhgunin e shkrimtarit këtë radhë plotësonte një amanet të Bogdanit, theksonte identitetin europian të kombit tonë. Në libër faqet ku përshkruhen takimet me Rugovën, janë nga më emocionueset. Jo më kot edhe Rugova kishte zgjedhur veprën e Bogdanit për të studiuar në mënyrë që kumti i tij dhe veprimi historik të ishin pa ato niegullat në sy e në faqe. Ndërsa në librin e Helenës faqet ku përshkruhet udhëtimi në Romë me baronin Groult, janë nga më të bukurat e librit. Ai personazh i antikës franceze që udhëton në Vatikan me Kadarenë dhe takon hierarkët më të lartë të atij shteti dhe u flet atyre për Shqipërinë, është gati një sureal. Ndërsa pasioni për Shqipërinë dhe shqiptarët në drekat e darkat mondane është gati-gati hyjnor.
Me këtë libër më ndodh që edhe pse kam shkruar mjaft radhë, sapo shoh numrin e faqeve, kujtohem se nuk kam thënë shumë e shumë gjëra. E thashë pak më lart se është një enciklopedi që do t’ju duhet sidomos studentëve dhe studiuesve të letërsisë. Duke u kujtuar në panik e sipër më vjen ndërmend portreti i Helenës nënë dhe bijë e dhemshur dhe rruga nga Qafë-Kërraba për të parë mamanë e sëmurë, pastaj nguti për t’u kthyer në Tiranë sepse, pa të, siç thotë Doruntina e vogël, ba-ja (Kadare) nuk ha dot mëngjes dhe mbetet pa ngrënë. Pastaj radhitja e dorëshkrimeve, nxitimi përsëri në spital, në punë, pastaj lindja e vajzave, pastaj librat e saj të mrekullueshëm për të cilët nuk kemi folur aq sa duhet, pastaj përshkrimet e udhëtimeve të saj me biçikletë në një fshat të Francës dhe qeni mbrapa. E vetmja pauzë dhe pak lirizëm në një jetë të mbushur plot e përplot me ngjarje. Si për ta përmbyllur këtë film madhështor që sapo kam parë, më vijnë ndërmend sytë e bukur të nipit, Adrianit që i mbledhur në gjunjë në një cep të kopshtit atje në Paris me dy lotë në faqe, mezi pret të vijë nëna ta marrë sepse ai nuk flet dot “franch”, flet vetëm anglisht dhe pak shqip në shtëpi. Të gjitha këto detaje janë në këtë libër të Helenës, ashtu siç janë edhe dyshimet e saj si një grua e magjepsur pas të shoqit, dyshime që e bëjnë më të bukur Helenën, më njerëzor Kadarenë dhe ne të gjithëve më të qeshur. Sapo ngre sytë dhe mbyll kapakun e labtopit, më duket sikur nga një kiç anijeje më vështrojnë përsëri një palë sy dhe një portret i ëmbël si ai i kohës së fëmijërisë. Ndiej se më derdhet në trup një mirësi pafund, një dashuri e butësi që kisha kohë pa e ndier. Me këtë vegim dhe me emrin Helenë dua t’i mbyll këto shënime që më bënë edhe njëherë tjetër të ndihem krenar se jetova në epokën kur pashë të vdiste një diktator dhe isha bashkëkohës me Ismail Kadarenë.
Si plasteline jemi ne shqiptaret!!!Per t’u dukur sa me te pranushem nga SISTEMI KAPITALIST,shume njerezve ju ka interesuar,qe te behen te besueshem duke share sa me shume SOCIALIZMIN SI SISTEM DHE ENVER HOXHEN SI LIDER I TIJ!!!Nga kjo epidemi nuk ka shpetuar as Ilir Yzeiri,ky djale ish oficeri dhe ish komunisti,qe i ka sherbyer me DEVOCION ATIJ SISTEMI!!!Ne se duhet sot nje llogjike me e perparuar,nuk I RRISIN VLERAT SHARJET KUNDER SOCIALIZMIT,POR CILESITE E PERPARUARA TE KAPITALIZMIT!!!SISTEMET DHE IDETE KONKUROJNE JO ME SHARJE POR ME VLERA!!!TE HEQIM DORE NGA ETALONI “SHARJE”!!!KAPITALIZMI DO TA KONKUROJE SOCIALIZMIN ME BLERA,ME MIREQENIE,ME TE ARDHME TE SIGURTE PER TE GJITHE NJEREZIT E JO VETEM PER NJE GRUSHT MAFIOZESH LIDHUR ME PUSHTETIN APO VETE PUSHTETARET!!!
Nje pershkrim teper fantastik,
Mua me duket sikur autori mend po shkrin si sheqeri ne sherbet nga adhurimi. Dakord libri mund te jete i mire, po c’jane gjithe keto perkulje deri ne toke?! Po mbaj more njeri nje cike veten e gjej nje fare balance se po na perzihet nga gjithe kjo embelsi.
sh dakort me parafolesin…
Doa ta lexoj
Ncncnccncn ça bohet keshtu mor vlla, ça eshte ky debil qe i ben levdata Helenes a thua se kjo ka çliruar Shqiperine, ça jane keto persona pa personalitet, si e ulin veten kaq shume nuk e kuptoj aq me teper qe mbahen si intelo, mos e kane paguar gje kete debil se nuk shpjegohet ndryshe kjo pederasti letrare qe ka bere ky me kete pseudoshkrim. Pse kane qejf shqipet qe te ushqejne kultin e individit vete pa ju thene askush, a mos e kemi ne gen ndenjen e inferioritetit???
Blla, blla, blla, Ilir!
Vetem: blla, blla, blla, ……
Agimi
Libri eshte shume interesant. Faleminderit znj. Kadare.
Libri eshte shume interesant. Falemindeirt Znj.Kadare.
dhe per koke boshet e tjere qe falenderojne elenin, nese doni te lexoni thashetheme, shkoni blini revista…
Vazhdon gllaberimi i pjeses se luanit te kater autoreve me te shitur te panairit. Mbasi mblodhen 70-80% te parave te njerezve qe blene libra ne panairin e librit, vazhdojne per inerci reklamen me ane te njerezve qe aftesia e tyre me e mire eshte ngjitja si pulleposte mbas fuqise dhe aftesise te ketyre njerezve.
Shume mire autori i ketij shkrimi mund te na paraqiste nje tablo te librave qe mund te vecoheshin ne kete panair. A kishte autore te rinj, tregimtare, perkthyes, poete qe mund te vlente te reklamoje punen e tyre. Kur dihet mire se keta nuk kane te ardhura te mjaftueshme te perballojne botimet e tyre.
ti je nje grua e madhe dhe ne jemi me fat qe jeton ne kohen tone
faleminderit o zot qe kemi ne mesin tone si familja kadare
god bless you
Artikull i bukur. Kisha kohe pa lexuar artikull te tille.
faleminderit Ilir
Nje liber qe vlen per tu patur ne bibloteken personale te secilit prej nesh…