Në Tiranë pritet të hapë dyert një Qendër e re Tregtare që siç e pranon edhe vet, është Porta Lindore e Tiranës. Emri mund t’i mbetej thjesht simbolik nëse nuk do kishte mbështetjen maksimale të qarqeve të larta qeveritaro-bashkiake që po e kthejnë atë në një Portë të vërtetë për të hyrë në Tiranë. Përpos autostradës së re Tiranë-Elbasan e cila në mënyrë klienteliste enkas u devijua që të kalojë pranë kësaj Porte, tashmë edhe linja e autobuzave të jug-lindjes do ketë një vendqëndrim pranë saj. Pra, përveç përdorimit të fondeve shtetërore kemi edhe shpërdorim të kompetencave nga një njësi vendore për t’i ardhur sa më shumë në ndihmë Portës.
Dikur, në kohën e orientit, kishim Portën e Lartë tek e cila duhet të trokisnim e nga e cila merrnim urdhrat. Tani qeveria na ka orient(uar) drejt Portës, po Lindore, tek e cila duhet të ndalim hapim për të zbrazur xhepat. Sa shumë hipermarkete për një treg kaq të vogël sa yni, ku më së shumti njerëzit nxitojnë të blejnë nëpër dyqanet e vogla të lagjeve, sepse kanë mundësinë që të marrin veresia ushqimet e përditshmërisë së tyre me shpresën se deri në fund të muajit do i bëjnë ca lekë, që dyqanxhinjtë bamirës t’ua heqin një vizë nga lista e gjatë e borxheve që u rëndojnë mbi shpinë.
Një hipermarket është në mbyllje e sipër e kushedi kush tjetër e ka radhën pas tij. Fuqi blerëse e vogël që edhe nëse i bie rasti të hyjë në to, mrekullohet vetëm nga shkëlqimi vezullues i dritave dhe luksi i ambienteve, kalojnë përbri vitrinave, kënaqen me bukurinë e tyre dhe duke soditur çdo gjë përreth, shtyjnë një pjesë të ditës.
Është provuar edhe më parë në simotrat e saj që fillimi do jetë tërheqës, ku njerëzia do përpiqet të shuajë kuriozitetin për diçka të re qe vjen në qytet. Do shtypen e do shqyhen për të përfituar sadopak nga “ofertat” që rëndom shërbejnë si karem që do peshkojë njerëzit. Do nxjerrin edhe ato pak kursime që kanë për të blerë diçka më lirë, kryesisht pajisje elektronike, mbase edhe artikuj ushqimor nga një firmë e njohur dhe pastaj … çdo gjë do normalizohet e do ecë në rrjedhën e vet. Po ajo rrjedhë falimenti që po përshkon edhe të ngjashmet e saj.
Një Portë Lindore përballë Portave që mësynë pjesën Perëndimore. Tashmë ndjehemi të kompletuar me Porta që në fakt nuk prodhojnë, por që gjithkush aty konsumon. Nëse u ka mbetur për të konsumuar gjë!
Sic do hapet ashtu do mbyllet si Praktiker.Shqiptaret nuk kane leke
Po pse kaq me keqdashje keto shkrime? Ne fund te fundit nje biznes me shume e nje mundesi punesimi me shume.
Per nje gje ne fakt, ka te drejte z.Altin Ketri, qe investime te ketyre niveleve, ju “japin buke” dhe ca pseudo-opinionisteve, si ne diten qe qendra si kjo hapen e fillojne aktivitetin ashtu dhe kur ndonje tjeter mbyllet e le mijera njerez pa pune. Po gjithashtu mendoj nje gje tjeter eshte e sigurt, qe opinionshkruesi me kete shkrim, i ka te gjitha mundesite te beje “armiq” nja 2000 te sapo punesuar sot ?