Një armë e fuqishme në luftën kundër ndotjes prej mbetjeve

25 Nëntor 2011, 11:14Blog TEMA

Nga Prof. Besnik Ostrosi

Dr. Etleva Ostrosi

 

Mbetjet, ndotja prej tyre dhe pasojat e kësaj ndotje përbëjnë një problem shumë të ndërlikuar për shoqëritë e sotme moderne. Popullsia botërore njeh një rritje të jashtëzakonshme dhe për më tepër, niveli i jetesës është rritur. Historikisht, prodhimi i mbetjeve ka qenë i lidhur me aktivitetin njerëzor. Sipas nivelit të zhvillimit të civilizimeve, mbetjet kanë qenë gjithmonë burime të problemeve apo të rreziqeve. Pasojat e ndotjes së shkaktuar prej mbetjeve janë në varësi të dendësisë së popullatës, ato janë më të mëdha në qytetet e mëdha dhe metropole. Prej shekujsh, mbetjet kanë qenë kryesisht të një natyre organike dhe kanë dëshmuar për një mënyre rurale të jetesës: mbizotëronin mbetjet ushqimore të kafshëve, mbetjet mortore të kafshëve të therura apo mbetjet bujqësore. Ato shkaktonin epidemi të tmerrshme dhe autoritetet detyroheshin të hartonin e të zbatonin rregullore që bënin të mundur zvogëlimin e pasojave. Në ato kohë, mbetjet hidheshin pa kriter në vendshkarkimet pranë vendit të prodhimit, hidheshin në lumenj e dete dhe produktet gazorë të çliruar nga transformimi i këtyre mbetjeve përhapeshin me shumicë në atmosferën e qyteteve dhe në vendet e banimit. Në kohën e sotme, trysnitë e ushtruara mbi mjedisin ku jetojmë janë të pandalueshme: përdorimi pa masë i burimeve natyrore, prodhimi në rritje, urbanizimi i përhapur, rezultojnë në rritjen e mbetjeve të kategorive të ndryshme dhe si pasojë në rritjen e ndotjes së shkaktuar prej tyre. Që prej një shekulli të një industrializimi të fuqishëm dhe konsumimi të tejkaluar, banorët e planetit ndjejnë pasojat e vendshkarkimeve të mbingopura, të terreneve të ndotur, të shirave acidë si edhe të ajrit dhe ujit të ndotur. Për këtë arsye, ky artikull nëpërmjet transmetimit të informacioneve të thjeshta të karakterit mjedisor, ka për qëllim të kontribuojë sadopak në sensibilizimin e publikut rreth këtij problemi madhor.

Fillimisht, cdo qytetar duhet të dijë cfarë përbën mbetja, cili është cikli i jetës i saj dhe si shkaktohet ndotja prej saj. Sipas një përkufizimi të përgjithshëm, mbetja përbën sasinë e humbur të një produkti në përdorim, apo cfarë mbetet pas përdorimit të produktit. Mbetje mund të jetë cdo substancë apo objekt që ka pësuar një transformim të dukshëm fizik e kimik dhe që duhet eliminuar apo ricikluar. Dallojmë 5 kategori të mbetjeve:

1)   Mbetjet shtëpiake që vijnë nga përdorimet në shtëpitë tona (ushqimet, aparatet elektronike, produktet lares, etj),

2) mbetjet industriale që prodhohen gjatë proceseve industriale, një pjesë e mirë e këtyre mbetjeve është e përbërë nga mbetje të rrezikshme, në këtë rast ato quhen mbetje industriale speciale, 3) mbetjet spitalore që prodhohen në përgjithësi në mjekësi (nga spitalet, kabinetet e mjekëve, dentistëve, etj),

4) mbetjet e gjelbërta që vijnë nga bujqësia dhe industria agro-ushqimore dhe së fundi,

5) mbetjet radioaktive që vijnë nga industria e energjisë bërthamore.

Të gjitha kategoritë e mbetjeve të lartpërmendura shkaktojnë ndotjen e mjedisit dhe për pasojë përbëjnë një rrezik për organizmat e gjallë, për shkak të pranisë në përbërjen e tyre të substancave toksike (metale të rëndë, metaloide, gazra, hidrokarbure, acide, etj). Nëse mbetjet hidhen në një mënyrë dhe ne vende jo të përshtatshme, ndotja është e një niveli të lartë dhe pasojat mund të jenë të një niveli alarmant. Ndotja përfshin të gjitha qeniet e gjalla me radhë, ndër të cilat ajo njerëzore është më e prekura. Në organizmin e njeriut, substancat toksike janë përgjegjëse për zhvillimin e shumë patologjive siç janë: azma, alergjitë, kanceret, crregullimet hormonale dhe imunitare, problemet nervore, etj.

Mbetjet sipas kategorisë përkatëse duhet të administrohen vecmas duke u mbështetur në një kuadër ligjor që bazohet në standartet ndërkombëtare në fushën e mjedisit. Parimet kryesore ku mbështetet administrimi i mbetjeve kanë për qëllim 1) parandalimin apo reduktimin e mbetjeve dhe ndotjes së shkaktuar prej tyre, 2) organizimin e transportimit të mbetjeve dhe përkufizimin e tyre në distancë dhe në vëllim, 3) vlerësimin e mbetjeve nëpërmjet ripërdorimit, riciklimit apo cdo lloj tjetër aksioni që ka për qëllim përzgjedhjen nga mbetjet të materialeve të ripërdorueshme apo të atyre që mund të shërbejnë për prodhimin e energjisë dhe 4) përgatitjen e informacionit për publikun e gjerë në lidhje me pasojat e ndotjes mbi mjedisin dhe shëndetin publik, si edhe masat që duhen marrë për parandalimin apo minimizimin e tyre. Administrimi i mbetjeve në vendet e zhvilluara ka një dallim të theksuar nga ai në vendet në zhvillim, kryesisht përsa i përket kuadrit ligjor dhe mënyrave të administrimit.

Ekzistojnë në përgjithësi pesë mënyra të administrimit: a) hedhja në vendshkarkime, b) djegia në krematoriume, c) riciklimi, d) ripërdorimi dhe e) reduktimi në 0 mbetje. Këto mënyra administrimi nuk janë të zbatueshme në rastin e kategorisë së mbetjeve radioaktive. Le të shqyrtojmë me pak fjalë secilën nga këto mënyra të administrimit.

Hedhja dhe groposja e mbetjeve në vendshkarkime përbën zgjidhjen më të lehtë të administrimit. Kjo mënyrë është e përhapur në SHBA (54 % në 2005), në Meksikë (97 % në 2006), në Australie, në Kinë, në jug të Evropës, si edhe në vendet në zhvillim. Vendshkarkimet e kontrolluara që përdoren në vendet e zhvilluara përfaqësohen nga karriera të braktisura minerare, gropa apo terrene depresive. Ndërsa në vendet në zhvillim, vendshkarkimet janë të pakontrolluara dhe shkarkimi i mbetjeve mund të bëhet kudo në cdo lloj terreni.

Hedhja në vendshkarkime e mbeturinave biodegraduese dhe jo biodegraduese ndot tokat, atmosferën dhe ujërat. Pasojat e kësaj ndotje sjellin gjithashtu degradimin e hapësirave natyrore, peizazheve, etj. Vendshkarkimet sidomos ato të papërshtatshme apo ato të administruara keq krijojnë midis të tjerash probleme shumë të rënda për shëndetin e popullsisë që ndodhet afër tyre. Akoma më e rëndë paraqitet situata për ato njerëz që jetojnë prej apo në këto vendshkarkime, sic është rasti në vendet  në zhvillim. Kështu, raportet mjedisore flasin që shumica e fëmijëve që jetojnë pranë këtyre vendshkarkimeve në Nairobi (Afrikë) paraqesin një nivel të lartë të plumbit që tejkalon nivelet ndërkombëtare të pranuara dhe vuajnë nga sëmundje të rënda të frymëmarrjes.

Lind pyetja, në çfarë rruge mbetjet e groposura krijojnë ndotjen e ajrit, ujit dhe tokave? Nën ndikimin e faktorëve fizikë e kimikë, fillon procesi i shpërbërjes së mbetjeve. Uji apo faktori kryesor lagështirë depërton në mbetjet që mbasi lëngëzohen formojnë një lëng të rrjedhshëm shpesh me përmbajtje të lartë në metale, bakterie dhe kripëra. Ky lëng mund të ndoti ujërat sipërfaqësore e nëntokësore dhe tokat nëse ai nuk kontrollohet në mënyrë të përshtatshme.

Shpërbërja e mbetjeve me përmbajtje organike në kushte aneorobike (në mungesë të oksigjenit) prodhon biogaz (dioksid karboni dhe metan në përqindjen më të madhe, sulfur hidrogjeni apo gazra të tjerë në një përqindje pothuajse mospërfillëse). Toksiciteti i dioksidit të karbonit është tashmë i njohur dhe dihet që ai është nga gazrat kryesorë përgjegjës për ndotjen e ajrit. Dioksidi i karbonit është gjithashtu gaz me efekt sere (gazrat me efekt sere janë përgjegjës për ngrohjen klimatike). Gaz po aq shqetësues është edhe metani (CH4), një gaz me efekt sere 23 herë më i fuqishëm se dioksidi i karbonit. Për më tepër, metani ka karakter shpërthyes. Ai në një përmbajtje të caktuar në ajër mund të shkaktojë shpërthime me pasoja për popullatën që jeton pranë apo në afërsi të vendshkarkimeve.

Edhe kur vendshkarkimi braktiset apo pas mbylljes së tij në territorin e tij bëhen ndërtime, substancat toksike të mbetjeve të groposura tashmë të depërtuara në tokë kanë një jetëgjatësi që mund të shkojë një shekull apo më shumë. Disa kategori mbetjesh shpërbëhen shumë ngadalë deri në shekuj, gjatë kësaj kohe toka në sipërfaqe i nënshtrohet një serie përdorimesh si psh. tokë bujqësore, terren sporti apo ndërtimesh. Kontrolli i vendshkarkimeve për biogazin e çliruar si edhe për lëngun toksik të krijuar nga kalbëzimi i mbetjeve duhet të vazhdojë për një periudhë të gjatë shumëvjecare.

Djegia e mbetjeve në krematoriume është një tjetër zgjidhje, e preferuar nga vendet e zhvilluara sidomos Japonia, Singapori dhe Tajvani, për shkak të mungesës së sipërfaqes së mjaftueshme për grumbullimin e plehrave. Kjo mënyrë bën të mundur prodhimin e energjisë. Megjithatë, djegia ka anët e saj negative. Studimet tregojnë që krematoriumet prodhues të energjisë prodhojnë 33 % më tepër dioksid karboni për kilovat orë se një central elektrik me gaz natyror. Mbi të gjitha, djegia prodhon produkte të rrezikshme që përmbajnë metale të rënda, dioksinë, etj, edhe pse në sasira të ndryshme sipas teknologjive të përdorura të djegies. Ato mund të shkaktojnë kancere, deformime kongjenitale dhe çrregullime hormonale.

Riciklimi është një alternative shumë favorizuese, pasi ajo lejon kursimin e energjisë dhe materialeve, duke reduktuar në këtë mënyre përhapjen e gazrave me efekt sere. Riciklimi që kërkon infrastruktura të shëndosha dhe pjesëmarrjen aktive të qytetarëve, praktikohet jo njëlloj sipas vendeve. Në Hollandë, 80 % e mbetjeve municipale të grumbulluara riciklohen apo kompostohen, 60 % në Gjermani dhe Austri, por vetëm 19 % në Francë dhe 9 % në Poloni apo në Greqi. Kompostimi përfaqëson një pjesë shumë të vogël të trajtimit të mbetjeve (18 milion ton në vendet e Unionit Evropian), ndërkohë ai mund të kapte shifrat 15 dhe 20 % duke u mbështetur tek sasia e kategorisë së mbetjeve organike të prodhuara.

Ripërdorimi, një praktikë e përdorur vetëm në vendet në zhvillim, ka filluar të ketë përdorim në rritje edhe në vendet e zhvilluara. Kështu është përdorur për herë të parë në Kebek (Kanada) në vitin 2000, në Francë dhe në Belgjikë vitet e fundit. Është opsioni më i lirë dhe më pak ndotës.

Zero mbetje është nga mënyrat më të përparuara të administrimit të mbetjeve që synon minimizimin në burim që nga konceptimi i produktit dhe zvogëlimin e pasojave mbi mjedisin. Në Francë psh. disa masa shumë të thjeshta kanë lejuar reduktimin e ambalazheve ushqimore në një tonazh global prej 5 % midis 1994 dhe 2006, ndërsa konsumimi, i matur për PIB, është rritur me 30 %. Akoma më mirë, Zelanda e Re, qytetet e San Franciskos në USA dhe Kamikatsu në Japoni janë zotuar që të arrijnë objektivin 0 mbetje që do të thotë asnjë hedhje në vendshkarkim dhe 100 % riciklim në 15 vjet.

Në vendet e zhvilluara po aplikohet gjithashtu gjithnjë e më tepër teknika e metanizimit që ka për qëllim, prej metanizimit në uzina të posacme e shumë moderne të mbetjeve organike, prodhimin e biokarburanteve dhe të energjisë. Metanizimi sikurse riciklimi e ripërdorimi shihen si mënyra të trajtimit që i rijapin një vlerë tregtare mbetjeve që do të thotë një vlerësim ekonomik i tyre.

Administrimi i mbetjeve në vendet e varfra apo në vendet në zhvillim, lë shumë për të dëshiruar. Legjislacioni pothuajse jo i zbatuar i këtyre vendeve nxit disa prodhues të mbetjeve të eksportojnë në mënyrë ilegale. Këto mbetje shpesh hidhen në terrene jo të kontrrolluar, në periferi të qyteteve etj. duke kërcënuar në këtë mënyrë shëndetin e popullatave. Kështu, nga rapportet e publikuara rezulton se nga 500 ton të mbetjeve kimike që janë hedhur në 2006 në shumë zona fqinje të Abixhanit (Afrikë), kanë vdekur 8 persona dhe më tepër se 85 000 persona janë shtruar në spital.

Në vendin tonë gjithashtu, moszbatimi i legjislacionit është tipik dhe ai i shtohet problemeve të shumta si ato të mungesave të një plani administrimi, të kapaciteteve institucionale, teknike, njerëzore, të burimeve financiare dhe të infrastrukturës, të investimeve, të eksperiencës, të traditës në administrimin e sektorit të mbetjeve në përgjithësi, të mjeteve ekonomike për administrimin e mbetjeve; bashkëpunimi i dobët ndërmjet niveleve qendrore dhe lokale për çështjet e mbetjeve; bashkëpunimi i dobët ndërmjet publikut dhe organizmave private për çështjen e administrimit të mbetjeve; strukturat e dobëta (inspektorate) për zbatimin e ligjit; mungesa e ndërgjegjësimit për vlerën ekonomike të mbetjeve si burim; mungesa e monitorimit të mbetjeve. Një mungesë e theksuar shihet gjithashtu edhe në realizimin dhe publikimin e studimeve shkencore dhe mjedisore që kanë për qëllim vlerësimin e shkallës së ndotjes dhe pasojave të shkaktuara prej saj.

Situata aktuale mjedisore nëpër botë dhe roli i mbetjeve në ndotjen e mjedisit kërkojnë që shoqëritë e zhvilluara, por edhe ato në zhvillim të vihen në lëvizje për të ndërmarrë një luftë të koordinuar kundër ndotjes dhe mbrojtjes së mjedisit. Në mënyrë të përgjithshme, ndotja e mjedisit nuk njeh kufinj, pasi ndotësit mund të transportohen në ujë apo në ajër apo të kalojnë nga një vend në tjetrin nëpërmjet produkteve apo objekteve të importuar apo eksportuar. Për këtë qëllim, edhe shoqëria jonë duhet të përpiqet në mënyrë progresive të marrë më mirë parasysh sasitë e mbetjeve që janë në rritje, rreziqet sanitare, natyrën e tyre teknike dhe në mënyrë të përgjithshme të gjitha pasojat e shkaktuara nga mbetjet. Grumbullimi nëpër kosha, ndarja, riciklimi, trajtimi përpara kthimit në ciklet natyrale, vlerësimi i tyre, si edhe masat për minimizimin e pasojave mbi mjedisin dhe shëndetin, duhet të kthehen në akte gjithnjë e më tepër të detyrueshme për të. Pa harruar që realizimi i këtyre akteve duhet të marrë parasysh limitet ekonomike, financiare e teknike të saj, në ato që mund apo di të bëj. E fundit dhe që është më e rëndësishmja: një administrim i suksesshëm i mbetjeve për shoqërinë tonë kërkon një kuadër të shëndosh ligjor dhe një zbatim rigoroz të tij.

 

13 komente në “Një armë e fuqishme në luftën kundër ndotjes prej mbetjeve”

  1. Rani says:

    O Profesor nuk sensibilizohen njerezit ne gazeten Tema se kete gazete e lexojne apo se lexojne 50 vete shumica jashte, keshtu qe heres tjeter duhet te dalesh ne terren te flasesh nqs ke bythe nese jo mos hajde te shtysh diten me artikuj pa vlere te Tema. Qenke lodhur kot me duket per kete artikull, e sheh se s’ka komente fare, edhe une se lexova artikullin ( e fillova dhe pashe qe s’kishte brume fare) se jam lodhur duke lexuar artikuj nga njerez qe i shkruajne per te kaluar diten dhe per tu dukur moderne. E shikon se ça behet ne Egjipt profesor, ai eshte sensibilizimi jo broçkullat ne gazeta qofshin te tuat apo te dikujt tjeter.

  2. katundari says:

    ore Rani po ti do me cu ne kryengritje edhe profesorat ? ti e pe o burazer per me kundershtu ligjin e mbetjeve vetem ca te rinj protestuan dhe atyre sua vari veshin askush

    1. Rani says:

      Pse profesoret ça te duken ty, kane brire ata qe te mos marrin pjese ne kryengritje? Sa gjynah qe ke keto mendime si shumica e popullit budalla shqiptar……………

  3. katundari says:

    e keqja e popullit eshte qe ka nji shpirt shkatrrimtar cdo mendim pozitiv hidhet posht dhe cdo mendim negativ perkrahet eshte si puna e asaj barcoletes te 3 turistave qe shkojn per te vizitu tur efelin. Gjermoni dhe italioni shofin tur efelin dhe propozojne ide si me e bo me te bukur kurse shqipoja pasi reflekton meshum se te tjeret thote ne fund: une po mendoj si mund te shkaterrohet tur efeli :))

  4. arta says:

    Artikull i bukur ! Vetem se shume pak lexues mund te jene te afte te kuptojne thelbin. Nese shqiptaret do te ishin te ndergjegjsuar nuk do te ishin ne kete gjendje te mjerueshme qe jane sot. Vendi vuan sepse populli nuk eshte i ndergjegjsuar. Shqiptaret po te kishin arritur nivelin e ndergjegjesimit nuk do te kishin ne krye keto politikane qe po shkaterrojne dita dites Shqiperine. Dhe me e keqja eshte qe shqiptaret nuk duan te senzibilizohen, kjo ndoshta per arsye te mungeses se theksuar te inteligjences ose njefare karakteri “mazoshist” qe i karakterizon…

  5. aleanca e plehrave says:

    nga ky artikull po e kuptoj pse ne 4 shqiptare 1 eshte i semure mendor. plehrat ku jemi zhytur po na shtojne budallallekun

  6. artam says:

    Artikulli eshte interesant, megjithese shume teorik, tregon ne menyre indirekte sa dem i bejne vendit tone importi plehrave dhe i thote Saliut se Shqiperia e jote, nuk eshte e zonja te importoje plehrat e botes. Po merr vesh Saliu, edhe sikur ti shkruajne te gjithe profesoret e botes.

  7. Xhemali says:

    Profesori me kot mundohet ne gjuhe shkencore te thote se ne shqiperi eshte e pamundur te Importohen plehrat, por meqe kane qene bashk profesor ne UT me Kryeministrin besoj se profesorin e madh duhet ta besoj

  8. Astrit says:

    Artikull number one e lexoj dhe e shijoj me shume dashuri sepse eshte e veshtire te thuhen gjerat ne menyre kaq shkencore

  9. Olsi says:

    Shume interesant dhe i vertete !!! Ketu ku banoj ne nje lagje periferike te Brukselit pati para ca vitesh nje eksplozion qe shkaktoi djegien e nje shtepie dhe banoret e saj u plagosen. dhe doli qe eksplozioni ishte prej metanit dikur kishte qene nje landfill aty prane. U be goxha zhurme dhe ministria e mjedisit bllokoi zonen per te marre masa. Imagjinoheni po te ndodhe ne Shqiperi qe ska asnje kujdes per landfillet e tanishme jo me ato te shkuara, kushedi cfare demesh mund te shkaktohen, mund te ndodh si shperthimi i Gerdecit.

  10. Arber Korabi says:

    Artikulli tregon se Shqiperia eshte nje vend i shume mire per tu bere kosh plehrash i Europes. Sepse njerezit jane lene pa kulture elementare, teper te varfer dhe nuk po lejohen te mendojne e te veprojne. Dhe cfare eshte me e keqja, Shqiptaret nuk po lejohen te mendojne per brezin e ardhshem, per femijet e tyre.
    Shqiptaret duhet te pyesin: Pse vendet e zhvilluara te Europes paguajne vende si Shqiperia dhe vendet Afrikane per tu bere kosh plehrash ?
    Shqiperia, thote artikulli indirekt, eshte apo po behet si Afrika.
    Te njejtat probleme e te njetin mentalitet qe nga politika e deri tek shqiptari me i thjeshte : Injorance, indiference, korrupsion moral e intelektual.

  11. tdhjefsha mjedin qe keni ju sdini me e majt merni shembull nga un un e mbaj mjedisin paster i hedh kanocet ne xhade

    Puc puc nga un kevi pjeshka

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje