Kur opozita ngre zërin për gjendjen e vështirë të ekonomisë shqiptare, kur institucionet financiare më prestigjioze të botës si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Europiane Për Rindërtim dhe Zhvillim bën parashikime të zymta për tendencën e ekonomisë shqiptare, ministri i Financave, Ritvan Bode, thotë publikisht së të gjitha këto shqetësime janë të kota dhe se ekonomia jonë do vijojë të rritet. Ky në fakt nuk është vetëm mendimi dhe parashikimi i ministrit Bode. Kjo është linja e mazhorancës, e cila po mbron sot në Kuvendin e Shqipërisë pikërisht këtë projekt-buxhet, duke e cilësuar si real, që i përgjigjet kërkesave të ekonomisë, që parashikon mbrojtje nga kriza dhe garanton një rritje ekonomike prej 4.3%.
Me këtë rritje ekonomike prej 4.3%, që sipas mazhorancës do të ketë ekonomia shqiptare në vitin 2012, nuk janë dakord dy institucionet e lartpërmendura, si FMN dhe BERZH. Sipas FMN rritja për vitin 2012 nuk do të jetë më shumë se 1.3%, ndërsa parashikimi i BERZH është edhe më i ulët duke shkuar vetëm në 1%. Pra natyrshëm na lind pyetja: “Kujt duhet t’i besojmë?” Mazhorancës, opozitës, apo institucioneve financiare ndërkombëtare që nuk kanë pikë interesi të mos jenë objektivë në parashikimet e tyre dhe që kanë si mjetet, ashtu edhe përvojën e duhur për të bërë një parashikim objektiv? Gjithkush mund të zgjedhë se kujt do t’i besojë.
Por le të shohim dhe analizojmë deklaratat e ministrit të Financave, i cili është jo vetëm hartuesi kryesor i projekt-buxhetit, por edhe përgjegjësi direkt për financat e vendit.
I ftuar në emisionin Top Story të gazetarit Sokol Balla, ministri Bode ishte përballë një paneli gazetarësh, të cilët i drejtuan pyetje për buxhetin, por edhe për premisat e ekonomisë shqiptare në përgjithësi.
Deklaratat e ministrit Bode ishin të formuluara me kujdes. Ai e nisi diskutimin duke thënë se ky projekt-buxhet ishte një projekt-buxhet konservator, por megjithatë projekt-buxheti i ardhshëm parashikon të stimulojë një rritje ekonomike prej 4.3%, si dhe të mbështesë politikat e qeverisë për rritjen e rrogave dhe pensioneve, të garantojë një mbrojtje të ekonomisë sonë nga efektet negative të fqinjëve (që janë edhe partnerët më të rëndësishëm të ekonomisë sonë) dhe të stimulojë rritjen e konsumit të brendshëm që është edhe një nga faktorët e kësaj rritje. Ministri Bode tha gjithashtu se financat shqiptare janë të shëndosha dhe se parashikimet e institucioneve të lartpërmendura nuk janë të sakta.
Atëherë po t’i përmbledhim ato që tha z. ministër janë:
1. Ekonomia shqiptare është e maturuar, e pjekur, e fortë, ndaj ky projekt-buxhet garanton një rritje 4.3%. Buxheti megjithatë është konservativ
2. Pagat dhe pensionet do vazhdojnë të rriten.
3. Rritja garantohet nga eksportet dhe nga ngritja e nivelit të konsumit të brendshëm.
4. Sistemi bankar është shëndetplotë dhe depozitat janë të garantuara.
5. Borxhi është nën nivelin e konsideruar të rrezikshëm prej 60%.
Por gjatë fjalës së tij ministri tha edhe këto:
1. Ekonomia shqiptare ka humbur ritmin e rritjes.
2. Kundërshtoi shifrat e INSTAT kur gazetarët i thanë se edhe në 2011 kishim ngritje të pagave dhe pensioneve, por shitjet me pakicë kanë rënë 7% dhe tha se shifrat janë të tjera, pa sqaruar se për cilat shifra fliste.
3. Tha se rritja garantohet nga eksportet dhe ngritja e konsumit, por kur gazetarët vunë në dukje se eksportet janë të varura nga situatat në vendet fqinjë që janë në krizë, tha se ishte e vërtetë se kjo nuk mund të parashikohej. I paqartë ishte edhe parashikimi për ngritjen e konsumit të brendshëm.
4. Tha se sistemi bankar ishte shëndetplotë, por tha gjithashtu se sistemi bankar kishte ulur ndjeshëm sasinë e kreditimit të biznesit për shkak të frikës nga risku, ndërkohë që kreditë e këqija janë rritur në 18%.
5. Situata në KESH dhe thatësira mund ta detyrojë shtetin që ta rishikojë ruajtjen e nivelit të borxhit prej 60% duke nënkuptuar rritjen e tij. Bode tha se borxhi mund të jetë i lartë, por nëse qeveria e shërben (shlyen) pa sforcim, niveli i borxhit nuk përbën rrezik.
Pra pas çdo analize të ministrit Bode për situatën ekonomiko-financiare të vendit kishim nga një “por” dhe “por-i” të tingëllonte gjithmonë rrezikshëm. Megjithatë ministri (në ndryshim nga shefi i tij) pranonte tërthorazi se ekonomia është në ditë të vështira, por sërish fliste për rritje të konsiderueshme.
Ndërsa pyetjes së gazetarit Sokol Balla se nëse gjërat shkonin keq a do të binte përgjegjësia mbi qeverinë, Bode iu përgjigj se qeveria bën më të mirën, por situatat në vendet fqinjë janë të paparashikueshme dhe qeveria po bënte përpjekje për ta mbajtur vendin jashtë kësaj vorbulle.
Pra nga një anë kemi opozitën, FMN dhe BERZH që na thonë se kemi përpara një rrugë shumë të vështirë dhe se duhen marrë masa emergjente, ndërsa nga ana tjetër pushtetin që na thotë se për rritjen tonë ekonomike për vitin e ardhshëm do na ketë zili e gjithë Europa. Ne sërish mund të zgjedhim se kë do besojmë.
Qeveria po ben me te miren per te mbajtur vendin jashte kesaj vorbulle…!!
Po mire, ky i ashtuquajtur gazetar, si ka mundesi qe nuk ka refleksin qe ti beje pyetjen e thjeshte Ministrit Bode:
ç’fare po ben konkretisht Qeveria qe ta mbaje jashte vorbullen Shqiperise?
Ekonomia eshte nje shkence e sakte, politikanet e kane kthyer ate ne diçka abstrakte per popullin.
Ja lini pyetjet Bodes per korrik 2012 e do te merni vesh se ku po shkon Shqiperia?!..