Edhe pse po mendojnë se ku t′i kalojnë pushimet dimërore, futbollistët kosovarë që luajnë në Zvicër sigurisht e kanë mendjen edhe tek afati kalimtar i janarit.
Zvicra njihet si “foleja” e futbollistëve kosovarë. Ata po shkëlqejnë në vitet e fundit me skuadrat respektive, kështu që interesimi i skuadrave evropiane për ta, nuk mungon.
Më i kërkuari pa dyshim është Xherdan Shaqiri. Mesfushori i Baselit pëlqehet pothuajse nga gjysma e Evropës. 20 vjeçari mund ta vazhdojë karrierën në Angli, Gjermani ose Itali. I vetmi dyshim është se kur do ta bëjë një gjë të tillë, në janar apo qershor.
Edhe shoku i tij i skuadrës, Granit Xhaka po kërkohet nga shumë skuadra evropiane, pas paraqitjeve të shkëlqyera të këtij viti me Baselin dhe me përfaqësuesen e Zvicrës.
Tabloidi zviceran Blick nuk ndalet me kaq. Ai përmend edhe shumë futbollistë të tjerë të AXPO Super League që kërkohen nga klube të ndryshme, prej tyre edhe futbollistët e Zurichut.
Sipas këtij tabloidi, futbollisti shqiptar Admir Mehmedi mund të marrë rrugën drejt Anglisë, ku e pëlqen Sunderlandi, ndërsa bashkëlojtari i tij, Adrian Nikçi pëlqehet nga Augsburgu. Zurichu frikësohet se mund të humbë këta dy yje që në janar.
Sido që të jetë, duhet të pritet 31 janari, kur edhe përfundon afati kalimtar, për ta kuptuar nëse ndonjëri nga futbollistët kosovarë do ta ndërrojë mjedisin në dimër. Një gjë është e sigurt: kërkesat dhe interesimi i klubeve të ndryshme nuk mungojnë.
Po shkruajeni mire ate fjalen Zyrih.As shqip e as gjermanisht nuk e shkruani
Sa shpejt prekesh edhe ti or burre per emra qytetesh, hajt leri keto edhe kthehu ne pune tashi, edhe kujdes nga te zite ere shejton se po te kapen ti morin leket pastaj se e di ti.