Edhe pse vazhdimisht trumbetohet se sistemi bankar në Kosovë është likuid dhe rezistues ndaj krizës, bankat në Kosovë, përkundrazi, po investojnë miliona euro jashtë vendit. Në anën tjetër, kreditimi i ekonomisë kosovare, për njohësit e ekonomisë, nuk i plotëson nevojat e saj.
Vetëm për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, bankat kanë investuar mbi 200 milionë euro depozita të qytetarëve në letra me vlerë jashtë vendit. Kjo sipas raportit të fundit të BQK-së, paraqet nivelin me të lartë të investimeve të bankave në letra me vlerë që nga viti 2006. “Duke arritur shumën prej 205.6 milionë eurosh në qershor 2011, pjesëmarrja e investimeve në letra me vlerë në gjithsej asetet e sistemit bankar arriti në 8.2 për qind, e cila paraqet nivelin më të lartë të investimeve të bankave në letra me vlerë që nga viti 2006”, thuhet në raportin BQK-së.
Nga bankat, kjo kryesisht arsyetohet nga rreziku i likuiditetit, përfshirë këtu rrezikun për kthimin e kredive dhe proceset e vonuara gjyqësore.
Por, njohësit e ekonomisë e quajnë të tepruar këtë arsyetim, duke thënë se me gjithë besimin e kosovarëve që kanë në bankat, këto të fundit është dashur që ta rrisin kreditimin për ekonominë e Kosovës, e jo gjithë kjo shumë e mjeteve të investohet jashtë.
“Ekziston shtrëngim i tepruar i kredidhënies. Bizneset e reja kanë pak gjasa të marrin kredi me gjithë këto shtrëngime”, thotë Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv në Institutin “Riinvest”. Ai shton se nuk e ka të qartë se pse i gjithë ky hezitim nga bankat, kur gjithë treguesit financiarë flasin për likuiditet të mjaftueshëm./express
=Cte kreditojne ne kosove cajhanet, gjamite apo dyqanet e sugjukut.