Flamuri heton festivalin e gjelave në Elbasan

20 Dhjetor 2011, 20:48Antena TEMA

Lajmi se disa ministra të qeverisë kishin shkuar në një festival gjelash në Elbasan, e bëri kurioz Flamurin. Në fillim u bë kurioz pse ka shumë ministra në një juri gjelash, pastaj u bë kurioz kush ishin këta ministra, kush i kishte përzgjedhur e kështu me radhë. Ju duk me interes ta hetonte ngjarjen.

Mori fotografinë nga gazeta dhe filloi të identifikojë personat. Dy ministra- dy deputetë. Ruli dhe Imami ministra. Gjana dhe Dash Sula deputetë. Pasi kërkoi kush e kishte organizuar, mësoi se pas organizimit qëndronte një njeri i Dash Sulës. “Ka diçka që na e fsheh këtu, tha me vete. Ky Dashi ka qenë zar i Bamirit, pastaj ndodhi ajo puna e Plazhit të Gjeneralit u bë me Zenin, tani po afron prapë mandati, ka mundësi na bëhet prapë me Bamirin, tha. Ky Jemini ka mundësi e ka bë nga inati im se në Kukës më njohin tani vetëm mua për të madh. Ka dhe xhelozi, tha me vete, se ka qenë nënkryetar i PD dhe s’e pyeste kush, unë jam pa asnjë post dhe më kanë frikë gjithë nënkryetarët’.

Vendosi të merrte në telefon Kollozin si një nga ish deputetët që i njeh më mirë se kushdo tjetër festivalet e gjelave.

Kollozi u gëzua shumë se mendoi që do t’i jepte ndonjë lajm për drejtor ALUIZNI.

-Jo, jo, të kam marrë për diçka private, i tha Flamuri. Dua të të pyes çfarë domethënie ka festivali i gjelave, d.m.th po të jesh në juri ti, kë gjel vlerëson më shumë?

-Po ka disa cilësi Muli. Ça të thotë vëllai, ja, nëse janë 8 gjela dhe dihet kush është gjeli kryesor, juria e mirë nuk i jep pikë gjelit kryesor, por gjelit që është indiferent ndaj gjelit kryesor, që ka kokën e tij, nuk pyet për të.

-Ashtu ë, tha Flamuri. E shikon ti, tha me vete. D.m.th Ruli me Imamin duan të japin mesazhe kundër atij Burrit, tha. Dhe të dy duan të bëhen president. Ky Ruli thotë më ka garantu Ed Rama, Imami thotë më ka garantu Doktori. Hahaha, dhe kanë nisë të japin mesazhe me gjela. Ua ndreq unë.

-Mul, dëgjon vëlla, ku je, i thoshte Kollozi.

-Po, po, vazhdo ti se po mbaj shënime unë. Ishte e fortë fare kjo. Tjetër?

-Tjetër, duhet t’i turret shokut kur tenton të hajë ushqim dhe t’ia marrë nga sqepi. Ai quhet gjel çukitës më i mirë. Atij unë i jap pikë maksimale.

-Ashtu ë, tha Flamuri dhe filloi ta mendonte Rulin duke i marrë ushqimin nga dora Gjanës, Imamin duke i marrë bukën nga dora Mediut, Dash Sulën duke i marrë lekët nga dora arbitrit pas ndeshjes…

-Tjetër vëlla, do tjetër, i tha Kollozi…

-Po, po, po mbaj shënime, i tha Flamuri.

-Tjetër vëlla është kur hapin krahët dhe kapardisen. Gjelat që i hapin deri në fund dhe mënjanohen pak, janë më të mirët, d.m.th ata që nuk i mbajnë krahët drejt, por të djathtin lart e të majtin poshtë. Vdes vëllai për ata.

-Qartë, qartë, mjafton, tha Flamuri. I kam rënë pikës, tha. Këta po i bëjnë karshillëk atij Burrit. Duan të bëhen president, ose t’i zënë vendin. Këta kanë vlerësuar fiks gjelin që ka këto karakteristika, që nuk pyet për gjelin kryesor, që i merr ushqimin tjetrit nga sqepi dhe që kapardiset. Do t’ia them urgjent, tha.

Pas çerek shkoi në zyrë të Doktorit.

-Desha të them diçka për Imamin dhe Rulin, i tha Flamuri. Kanë shku në Elbasan dhe kanë organizu një aktivitet kundër teje.

-Flamur, shiko, e di, e di, po në Gjirokastër kanë shku. E di, kanë një bazë aty ata, dhe sa herë tu ngelet qejfi me mu, shkojnë në Gjirokastër. Imami kërkon ku ka tanke, ky ku ka gjarpërinj helmues në Mashkullorë dhe duan me më ba puç. E di, por mos u shqetëso…

-Po prit Doktor se kam fakte, kanë dhënë shenja të qarta kundër teje…!

-Flamur, e di. Nuk janë të rrezikshëm. Qetësohen shpejt. Ja tani ka ca tendera, nuk u ndërhyj dhe qetësohen.

-Po jo Doktor, kanë qenë në një festival gjelash dhe kanë zgjedhur fitues një gjel që s’pyet për gjelin kryesor, që kapardiset dhe që u merr të tjerëve ushqimin nga sqepi.

-Flamur, dëgjo. Më mori dikush në telefon dhe me tha Arben Imami është nisur me tank nga Gjirokastra në Tiranë. E ka gabim, i thashë. Të vijë me makinë dhe të marrë tank këtu afër se harxhon naftë, duhet të kursejmë Flamur. Shiko, kursimi është gjë e rëndësishme. E di dhe për Rulin. Ai ka pasë mbledhë helm nga gjarpërinjtë  Mashkullores dhe Libohovës se aty paska një nepërkë me brirë, më ka thënë Shaban Memia. E ka pasë mbledh dhe ka bërë plane me më helmu mu. Nuk e ka përdor dhe ua ka dhënë demonstruesve me 21 janar dhe ata e kanë përdorë ndaj policëve që i kanë shpu me maja çadrash. Po është pendu. Shiko, kam komunikim të mirë me të, është pendu.

-Po si e shpjegon këtë festivalin e gjelave Doktor? Pse ata të dy? Unë kam dyshime tek ata.

-Shiko, Ben Imami më ka ardhë në zyrë dhe më ka thënë tani jam me ty. Dhe Ruli po ashtu. I kam pyet a kanë ndonjë pretendim, jo thanë, vetëm të mos mërzitesh që na shikon këtu. Në rregull, u thashë, dhe u kam heqë vështrimin. Nuk i shikoj më. Po këta o zotëri po nuk i pe në sy, thonë na ka marrë inat dhe bëjnë gabime. Shiko, mos u shqetëso. Dakord, shko në Elbasan, merre atë gjelin që ka fitu dhe there për Vit të Ri dhe aq, prishet magjia.

1 komente në “Flamuri heton festivalin e gjelave në Elbasan”

  1. Vlora says:

    ha ha ha dhe tani qe i bashkohet edhe shtypesi i hudhrave kac islami sherohet doktori………

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje