Sot ka protestë, jo luftë!

14 Janar 2012, 11:42Rajoni TEMA

Astrit Gashi, Zëri

S’e kuptoj përse gjithë kjo ndjellje e dhunës, gjakut, frikës dhe histerisë. Sot ka protestë, jo luftë. Është për Kosovën, jo kundër saj. As kundër Serbisë. Prandaj, sot duhen mend, jo pushkë. Nga të gjithë

Sot do të ketë protestë, jo luftë! Lutem të jetë ashtu. Shpresoj që secili nga këndi i tij sot të jetë patriot e atdhedashës, dhe jo një shpirtngushtë partiak. Ideja e protestës së sotme është për Kosovën (dua ta besoj kështu), prandaj nuk kemi çka të frikësohemi nga asgjë dhe para së gjithash nga njëri-tjetri. E këtë Kosovën e harruam të gjithë javën që shkoi.

S’po arrij të kuptoj përse nuk jemi në gjendje të kultivojmë një trohë racionalitet, një trohë gjykim me kokë të ftohtë, e të shohim përtej hundës sonë dhe matanë frikës. Pse duhet të frikësohemi, para së gjithash prej njëri-tjetrit. Për një copë pushteti a e vlen tërë kjo frikë.

Nuk e di përse duhet të mbjellim kaq shumë frikë ndaj njëri-tjetrit, të ndjellim dhunë, gjak në vend të ndjenjave njerëzore e civilizuese. Përse po parashikojmë vetëm zi dhe përse po e portretizojmë veten tonë ashtu si nuk jemi – si diktatorë aziatikë e arabë.

Ka një javë gati që po ec nga njëri tek tjetri për të kuptuar pse është bërë kaq problem një protestë paqësore, për të marrë vesh se pse po bëhet kjo dhe cili është synimi. Nuk e gjeta përgjigjen tek asnjëra nga partitë politike, as të qeveria, as te organizatori dhe as tek opozita.

Gjeta vetëm frikë dhe gëzim nga frika e tjetrit që s’i la të mendojnë racionalisht e me kokë të qetë. Nuk qenë të aftë të shohin përtej protestës dhe përtej interesave të ngushta dhe për vetëm një moment të mendojnë për Kosovën.

Të heqim anash frikën, histerinë, fjalorin e “vetëfundosjes”, “faqezinjve”, “21 janarëve”, “gadafëve”, dhe për një moment të mendojmë se për çfarë kemi nevojë ne si qytetarë të këtij vendi dhe si do ta bëjmë këtë vend të mirë.

E para të lirohemi nga Serbia, jo vetëm politikisht e ekonomikisht, por edhe si “fast-food” për të ngopur varfërinë. E dyta por për shumëkënd më e rëndësishme se e para, është të zhvillohemi ekonomikisht nga brenda jo nga jashtë siç jemi sot.

Asnjëra nga këto dy interesa vitale të shoqërisë sonë nuk realizohen pa vendosur e zbatuar reciprocitet. Serbia nuk do të na lërë rehat të mendojmë për vete asnjëherë dhe s’do t’i heqë asnjë nga barrikadat përderisa ne do të jemi treg i garantuar për të.

Një treg të cilin vazhdon ta eksploatojë pa i dhënë gjë si kundërvlerë. Në të kundërtën madje, duke e destabilizuar vazhdimisht, dhe duke i marrë euro për dinarë, jemi bërë “parajsë taksash” apo dhe një territor shkëmbyes valutash. Prandaj, Serbisë duhet t’i heqim “garancinë” mbi tregun, që ajo të heqë “garancinë” e vënë mbi territorin tonë.

Tregu kosovar duhet të bllokohet për mallrat dhe prodhimet serbe, deri në ditën që ajo të heqë dorën e saj mbi territorin e Kosovës. Derisa të hiqet njëherë e përgjithmonë nga mendjet dhe frustrimet tona. Jam i sigurt që një bllokadë mallrash ndaj Serbisë, një mbyllje e tregut, do ta ndihmojë edhe vetë Serbinë, për të hequr dorë nga krijimi i krizave rajonale përmes kontrollimit kriminal të territorit tonë.

Nëse Serbia me të vërtetë e ka seriozisht që nuk do të jetë faktor destabiliteti, biznesmenët e bizneset serbe që eksportojnë në Kosovë, do ta kryejnë punën te qeveria e tyre. Pa shkuar më thellë në teorizime, nuk ka shtet në botë që nuk dikton e nuk menaxhon me politikat ekonomike e me ato tregtare, madje në Evropë s’mund ta gjesh as edhe një krahinë të Spanjës që nuk e bën këtë. Ne s’e bëjmë, për çudi, sepse nuk deshëm ta bëjmë.

Njëherë e për së mbari, duhet të hartojmë një strategji të qartë për zëvendësimin e importit me prodhimet vendore, deri në atë masë që është e mundur.

Një bllokadë ndaj mallrave serbe, nuk do të bëjë mrekulli këtu, por do të ishte hapi i parë, për t’u dhënë fryme bizneseve vendore. Një frymëmarrje artificiale, që do të duhej të përcillej me një strategji kombëtare për përkrahjen dhe stimulimin e biznesit privat. Mjaft u subvencionua asfalti.

Duhet t’i japim frymë njeriut për të hapur biznese të reja të vogla e të mesme, dhe për të gjeneruar punësim. Përndryshe, rinia dhe fakti se jemi populli më i ri në Evropë, nuk do të jetë përparësi krahasuese, por barrë e pashërueshme. Ashtu si është sot. Janë të mjerë nga padijenia ata politikanë që mendojnë se vendi zhvillohet vetvetiu apo vetëm përmes dy a tri ndërmarrjeve të mëdha. Edhe më të mjerë janë përkrahësit e tyre, që ndjellin luftë e gjak në emër të partisë dhe që nuk shohin përtej momentit.

Nuk i kuptoj fare as ndërkombëtarët të cilët po ashtu po kontribuojnë në atmosferën e frikës përmes komunikatave e deklarimeve. Përmes përdorimit të xhokerëve që kanë nxjerrë nga zarfi për të përçuar ftesa e mesazhe antidemokratike.

Viti 2012, sipas tyre, duhet të jetë vit i pavarësimit të Kosovës. Shumë e bukur ideja e tyre, por ama shtetet siç e dëshirojmë ne dhe ata Kosovën, janë të ndërvaruara dhe jo të varura. Prandaj, s’e kuptoj përse gjithë kjo ndjellje e dhunës, gjakut, frikës dhe histerisë. Përse polarizime kaq të mëdha, për një synim të përbashkët. Sot ka protestë, jo luftë. Është për Kosovën, jo kundër saj. As kundër Serbisë.

Nuk është as “pranverë arabe” e as “21 janar”. Prandaj, sot duhen mend, jo pushkë. Nga të gjithë.

1 komente në “Sot ka protestë, jo luftë!”

  1. Lili says:

    mbasi nuk po kuptojne se eshte proteste per kosoven,sikur Ben Ali nuk e kuptoj se ishte nje kallje per rinine tunisiane,ka rezik se vertet sikur ne vendet arabe,ky manifestim te rezultoje me nje “pranvere arabe”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje