Histori me Daimler-Benz

30 Janar 2012, 00:28Blog TEMA

Polici gjerman i EULEX-it, vetura e vjedhur dhe e parkuar në trotuarin e Prishtinës dhe imazhi i Kosovës në Allgäu

Nga Enver Robelli
Që nga nëntori 2011 në Kosovë, në kuadër të EULEX-it, punon komisari kryesor i Inspektoratit Policor nga Dega e Hetimeve në Lindau, qytet gjerman në kufi me Zvicrën dhe Austrinë. Një ditë dhjetori këtij polici në një trotuar të Prishtinës i ra në sy kjo veturë: Daimler-Benz CLS 350 CDI, me targa të Gjermanisë. Polici kërkoi nga kolegët në Lindau të provojnë vërtetësinë e targave. Verifikimi tregoi se targat ishin të lëshuara për një motoçikletë të markës Honda. Edhe vula në targa ishte e falsifikuar. Pasoi një lajmërim në EULEX-Security-Center, në qendrën e sigurisë të EULEX-it.
Pas pak një shqiptar 35-vjeçar u kthye te vetura “e tij”, te Daimler-Benz CLS 350 CDI, me gjasë dëshironte të bënte një xhiro nëpër Prishtinë apo të kthehej në shtëpi, nëse ka qenë me banim jashtë kryeqytetit. Pas kërkesës së policisë (ndërkohë kolegut gjerman iu kishin bashkangjitur edhe policët kosovarë) shoferi prezantoi një librezë gjermane të veturës. Ishte e falsifikuar! Një shikim nën kapakun e motorit, verifikimi i numrit të shasisë (numrit identifikues të veturës) dhe një telefonatë me policinë në Lindau treguan se Daimler-Benz CLS 350 CDI, me vlerë prej 80 mijë euro, ishte regjistruar në shkurt 2011 në Hamburg dhe disa javë më vonë ishte vjedhur po në Hamburg për të përfunduar në Kosovë! Daimler-Benzi i parkuar në trotuarin e Prishtinës u konfiskua, shoferi u shoqërua në stacionin e Policisë së Kosovës, hetimet vazhdojnë. Komisari me emrin Uwe Konhäuser ka treguar se edhe paraardhësi i tij në Prishtinë Dietmar Hochrein gjatë punës së tij po ashtu kishte arritur të konfiskojë një veturë të shtrenjtë dhe me regjistrim të falsifikuar.
Ky rast përshkruhej të mërkurën, më 25 janar, në një portal interneti të trevës Allgäu në Gjermani. Ky delikt flet për shumë gjëra:

1.
Një polici gjerman në Prishtinë i bie në sy një veturë, kërkon verifikimin e regjistrimit dhe e zbulon se është e vjedhur. Policia e Kosovës, e cila është edhe më shumë e pranishme në rrugët e vendit se policët e EULEX-it, këtë veturë nuk e ka parë ose s’ka dashur ta shohë.

2.
Kjo veturë e vjedhur është shembull i imazhit të keq të Kosovës. Këtë imazh s’e ndreqin as milionat dhënë kot së koti agjencisë Saatchi & Saatchi. Ky tenderi për imazh ka qenë ndër ato vjedhjet që i bëhen miletit para syve dhe askush nuk hetohet. Përkundrazi: plaçkitësit zgërdhihen dhe në prapaskenë ndajnë pazarin në stilin e mafiozëve. Natyrisht copa më e madhe e tortës i takon “këshilltarëve të jashtëm”, ata, fundja, me do balona të lëshuar në ajrin e ndotur të Kosovës e përsosën imazhin.

3.
Daimler-Benzi i vjedhur tregon se Kosova është larg plotësimit të standardeve të sigurisë. Ky është perceptimi perëndimor. Perceptimi i njerëzve të zakonshëm, atyre që e kanë fuqinë e votës dhe për të cilët kanë respekt politikanët perëndimorë. Politikanët e Kosovës takohen zakonisht me zyrtarë perëndimorë, mendimet e të cilëve nuk janë reprezentative. Jo pak prej tyre llomotitin ca gjepura diplomatike për integrimet evropiane e rajonale dhe ndjekin agjendën e tyre minimale, e cila nuk synon zgjidhjen e problemeve, ta zëmë, mes Kosovës dhe Serbisë, por vetëm kamuflimin e tyre. Diplomati i Bashkimit Evropian, Robert Cooper, në rolin e lehtësuesit të muhabetit mes Stefanoviqit dhe Tahirit së fundi ishte tallur para gazetarëve të Kosovës duke thënë se marrëveshjet gojore me Serbinë mund t’i ndihmojnë Kosovës të eksportojë lule. – Imazhi i Kosovës vërehet kur bisedoni me njerëz të rëndomtë në Evropën perëndimore. Kosova nuk ndërlidhet me pizza dhe pasta, por vetëm me pisllëqe, për të përdorur këtu një fjalë shumë të butë. Në këtë kuadër hyn frika e njerëzve në Evropë se vetura mund të të vidhet para derës. Kjo frikë nuk ka të bëjë vetëm me shqiptarë. Para disa vitesh një bandë serbe kishte vjedhur dhjetëra motoçikleta në Zvicër dhe i kishte çuar në Serbi për shitje. Një diplomat zviceran fliste me tone lavdëruese për punën e policisë serbe, e cila, sipas tij, kishte bashkëpunuar ngushtë në zbulimin e vjedhësve. “Me policinë e Kosovës duhet të ndërtojmë ende raporte mirëbesimi”, thoshte ai. Serbia ka arritur që me ish-zëdhënësin e Millosheviqit në postin e ministrit të brendshëm të krijojë imazh më të mirë se Kosova, se policia e Kosovës, të cilës i vidhen shumë kilogramë drogë në dhomën e dëshmive dhe askush deri më sot nuk ka dhënë përgjegjësi për këtë ngjarje, askush nuk është arrestuar. Këtu arrijmë te standardi i paplotësuar i sigurisë.

4.
Po ashtu vetura e vjedhur na shpjegon pse vendet e Schengenit ngurrojnë të heqin vizat për qytetarët e Kosovës. Argumenti që dëgjohet shpesh nga pala kosovare është: kriminelët arrijnë në Evropë edhe pa viza! E saktë, por ideja për heqjen e vizave e shton frikën se mund të vijnë edhe më shumë vjedhës, jo vetëm të veturave. Ky është disponimi i njerëzve në Allgäu dhe në treva të tjera në Evropë. Ata e lexojnë gazetën lokale, prej saj mësojnë se si një gjermani në Hamburg i është vjedhur vetura, e cila është gjetur në Kosovë – jo nga policia vendore, por falë vigjilencës së një polici ndërkombëtar, në këtë rast gjerman.

5.
Politika në Kosovë ushqen shpresa se vizat do të hiqen sivjet. “Brenda vitit (2012)”, u tha këto ditë. Një mike e Kosovës para pak ditësh në telefon thoshte: “Mirë që filloi ky debati për vizat, por do të jetë një debat i gjatë, dy deri trevjeçar”. Kujt t’i besojmë? Po të ishte Kosova shtet normal qytetari me qejf do t’i besonte politikanëve të vendit të vet, pasi – nisur nga premisa se janë zgjedhur me vota të pastra – ata janë këtu për të punuar për interesat e shoqërisë. Meqë janë zgjedhur me vota të vjedhura rrjedhimisht ne e kemi vështirë t’u besojmë këtyre të tanëve dhe duhet t’i besojmë më shumë një politikaneje që punon në Bruksel dhe Strassburg dhe e cila është zgjedhur me vota të pastra të vendit të saj – dhe nuk e gënjen as popullin e vet, por as neve, sepse është e përgjegjshme.

6.
Që nga viti 1999 mijëra policë e ushtarë të vendeve evropiane kanë shërbyer në Kosovë. Janë kthyer në atdhe me mendime, përshtypje, përvoja – të mira e të këqija. Është në natyrën e njeriut që më shumë t’i tregojë të këqijat që i ka përjetuar gjatë një udhëtimi apo qëndrimi në vende të huaja se sa anët e bukura. E bukura konsiderohet si diçka private, si diçka që nuk ndahet me shumë njerëz. Të keqen, aq më tepër kur je polic a ushtar, e ndan me rrethin tënd. Është afërmendshëm që edhe policët gjermanë që ashtu pahiri, duke ecur rrugëve të Prishtinës, zbulojnë vetura të vjedhura, kur të kthehen në atdhe, madje në poste të rëndësishme të sigurisë, për Kosovën zor se do të gjejnë fjalë të mira.

7.
Tash disa fjalë për Daimler-Benz CLS 350 CDI: Revista e specializuar gjermane “Autobild” e përshkruan këtë veturë si muskulore, me pamje monumentale, me teneqe që bie në sy me hijeshinë e saj, në brendi me plastikë të shtrenjtë, sipërfaqe të shndritshme metalike dhe listela të bukura druri, me një fjalë në këtë veturë dominon atmosfera elegante. Për shoferët shqiptarë me rëndësi: vetura me 6 cilindra i ka 265 kuaj fuqi, për 6.3 sekonda mbërrin shpejtësinë 100 në orë, motori me naftë harxhon 7.4 litra në 100 kilometra.

8.
Në stilin “diçka për Mitrovicën, a?” njerëzit në Kosovë mund të pyesin tash dhe sërish: kur do të hiqen vizat? Sigurisht jo derisa regjimi aktual rrenën e ka devizë të komunikimit me publikun. Dhe derisa regjimi me qytetarët, votuesit, shoqërinë, quajeni si të doni, komunikon përmes llupashëve dhe dallkaukëve, të cilët në cockpit-in e pushtetit nuk i solli vota, por gjunjët, gatishmëria për të shërbyer me (sh)krime dhe batërdisur çdo debat publik.

12 komente në “Histori me Daimler-Benz”

  1. Edi Detroit says:

    Enver, per mua ti vazhdon te jesh nje nga gazetaret me te mire, por ky shkrim eshte me i dobeti qe prej disa kohesh. Hajdut makinash ka dhe ne Gjermani dhe kudo, bile rezik pronari i vetures ka gisht me qellim te marre siguracion.Keta nderkombetaret si puna e ketij policit gjerman qe punon per EULEX,( marrin mijra euro ne muaj), ka ndonje pune me te mire per te bere ne Kosove.Kosovaret duhet te marrin vizat ashtu si cdo vend Europian. Une mendoj se keta Europianet e EULEX-it jane me hajdut ( me paret e taxpaguesve),se hajduteve te makinave. Si gazetar me talent ndonjeher eshte me mire te mos shkruash shpesh sesa te ,,,,

    1. Enough is Enough says:

      THUJ ATIJ POLICIT TE SHKOI TE VER REND NE MITROVICE, APO TE KAPI NDONJE KRIMINEL LUFTE SE SA PER MERCEDEZA TE VJEDHUR KA DHE NE WASHINGTON ,BERLIN VIENE APO KUDO TJETER.ai lloj automjeti nuk vidhet po nuk bashkpunoi dhe pronari ligjeshem qe ne kete rast ka dashur te haje nga te dy krahet.Kame kaq kohe qe lexoi gazeten tema po shkrim me idiot se ky nuk me kane zene syte.A thua te gjitha te tjerat i kemi ne terezi dhe na nxiu fytyren ky benzi vjedhur.Hajde njeher kendej nga shqiperia thuj atij policit se gjith deputetet i ke me makina luxi te vjedhura.

  2. raimondi says:

    Makinate vjedhura ke ne gjithe lindjen–Une kam lexuar diku ne ju tube qe maiknat e vjedhura
    kalonin nga Gjermania ne Poloni dhe pastaj shiteshin ne Rusi e kudo—Ne Rusi numir i makinave te vjedhura ishte skandaloz
    Po ashtu edhe ne Rumani

    Por problemi eshte se Kosova dhe Shqiperia jane te pambrojtura nga propaganda
    dhe per gjene me te vogel ,propaganda e vendeve te huaja e shumefishon duke haritur ne konkluzione ekstreme

    Se u gjet nje makine e vjedhur ne Kosove , dhe kjo tregon se Kosova ka probleme !!!????

    —-Ndersa kur gjenden makina te vjedhura ne vendet e tjera te EUROPES LINDORE,atyre nuk ju thuhet azgje

    —Nese nje qytetar vjedh dicka ne Gjermani apo kudo , ai eshte nje problemi i
    ndividit atje ne Gjermani , dhe jo i shoqerise ku perfundon makina

    –Kjo s’ka kutpim te akuzohet Kosova pse u gjend nje makinee vjedhur ne Kosove

    ___Faji se pari eshte i policise gjermane ne Gjermani qe ka lejuar te kaloje
    jashte Gjermanise nje makine me targa te fallsifiluara

    —Pse nuk e kane kontrolluar policet makinen e vjedhur kur ka dale nga kufiri gjerman ?-
    -Apo edhe policet kane pasur gisht ne kete vjedhje ?

    –Kosova dhe policia e saj ,mban pergjegjesi per vjedhjet qe behen ne teritorin
    e Kosoves ,
    jo per vjedhjet qe behen ne Teritorin e Gjermanise–

    —– Nqs vjen nje makine e vjedhur nga jashte ne Kosove , polica kosovare
    nuk ka aspak faj, sepse ajo makine kur ka ardhur ne Kosove i ka regulluar
    dokumentat qe ne vendin ku eshte vjedhur

    –Dhe kur vjen aty eshte shume e veshtire ta kuptosh

    ——–Ndaj ne kete rast , nuk eshte aspak faji i Kosoves,por i Policise gjermane
    e cila megjithse ka mjete moderne per te kuptuar fallsifikimin
    e dokumentave
    te makinave te vjedhura ,nuk ka haritur ti zbuloje ato —

    1. Enough is Enough says:

      Mos e vrit mendjen se e ka sjell pronari i ligjshem deri ne prishtine,pastaj ka mare lket dhe targatme vete dhe e ka senacuar te humbur

  3. Argita_B says:

    Dhe pse gjendja ne Kosove le shume per te deshiruar, me duket jo profesional qe te behet ky shkurtim per nje apo dhe dhjetra makina te vjedhura ne menyre qe te flasim per mos permbushjen e standarteve.
    Ne perendim ka me mijera apo dhjetra mijera makina me targa te huaja te cilat policia nuk i verifikon dokumentat kur i sheh te stacionuara.
    Policia duhet te kryeje punen e saj sigurisht, po rroli i saj nuk eshte te merzisi çdokend qe ka nje makine te shjtrenjte dhe targat si ka te Kosoves!
    Nese sheh statistikat, ne Itali ke mbi 80 mije vetura te vjedhura çdo vit, ne France mbi 35 mije (nuk po mar gjithe vendet me rradhe) po kjo nuk eshte nje arsye qe te ngrihen postoblloqe ne çdo rruge nga policia!
    Ps. Autori i shkrimit, quhet Mercedes Benz 350 CDI dhe jo Daimler Benz.

  4. dritani says:

    Enver te gjitha ndoshta i ke prekur por ke harruar me kryesoren:
    Imazhin ne syte e atyre qe shqyejne prapanicen ne pune per te kursyer dhjetera euro(se qindra nuk ma ze goja), nderkohe qe keta tipat i bejne shetitje prapanices mbi 80 mije euro.
    Fatkeqesisht edhe ne Shqiperi imazhi i ketij tipi eshte imazhi i te riut te suksesshem dhe kur pyet cfare profesioni ka te pergjigjen: “eshte cun i shkathet…”.
    Ndonje naiv ngushellohet duke thene se “keta nuk kane per t’i gezuar parate se ose i vrasin ose bien ne burg” por kur vazhdon biseden te thone se i ka nje 2 a 3 apartamente…

    Une mendoj se polici gjerman thjesht ka mbrojtur njeriun qe punon dhe duke mbrojtur ate garanton rrogen e tij dhe te familjes pasi rroga atij i vjen nga taksat e atyre qe punojne.
    Ky eshte per mua morali i ngjarjes; te tjerat jane harxhim kohe.

  5. bardhi says:

    Enver cilin faje kan institucionet e KOSOVES per nje vetur te vjedhur ne GJERMANI me dokumente te falcifikuara gjermane,ajo veture per te ardhe ne KOSOVE ka kaluar neper te pakten kater shtete.KOSOVA mund te kritikohej nese vetura e vjedhur ka pagu doganen dhe eshte pais me dokumente e targa te KOSOVES kjo nuk ka ndodh dhe nuk mund te ndodhe ne KOSOVE.Ai polici gjerman e ka me te leht te komunikoi me autoritetet gjermane,policis se Kosoves nuk do ti pergjigjeshin ne telefon policia gjermane,aq me pake nje polici te komunikacionit.Kjo vetur e vjedhur nuk eshte imazhi i KOSOVES,ky shkrim i juaj eshte imazhi yt dhe shokeve tu gazetaruca,grindaveca qe edhe per prostitucionin ne hamburg e frankfurt i fajesoni shqiptaret,se prostitucioni ne keto qytete eshte i vjeter sa porti i hamburgut e bankat e frankfurtit per ju nuk ka rendesi.Sa vetura te vjedhura jan regjistru me targa RKS? ASNJE veq zhurme .

  6. Landi- Sverige says:

    E cuditshme me komentuesit e mesiperm. I shqeteson fakti pse autori i shkrimit ka “prishur” imazhin” e Kosoves apo te shqiptareve ne pergjithesi. Komentuesit cfar duan qe meqenese dhe ne vende te tjera ka vjedhje makinash kjo eshte normale per Kosoven dhe Shqiperine te qarkullojne makina te vjedhura dhe policia te heshti?! Nuk e shikoni se pjesa me e madhe e makinave qe qarkullojne, duke futur ketu dhe makinat shteterore dhe qeveritare, jan te vjedhura dhe me fallsifikim dokumentash? Nuk shikoni dhe lexoni gazeta te ndryshme ne bote ku shkruajne se ne qoftese ju ka humbur makina do ta gjeni neper rruget e Tiranes apo Prishtines? Fatkeqesisht me mentalitetin qe kini fajin e ka ai qe thot “ja ku eshte ajduti” dhe jo ajduti. Ndaj dhe keto dy vende ndodhen ne krye te listes persa i perket korupsionit, vjedhjes, veprimtarise mafioze dhe mos funksionimit te ligjit. Paska gjetur “tenxheria kapakun”.

    1. Argita_B says:

      Qarkullimi i makinave te vjedhura ne vendet perendimore nuk justifikon qarkullimin e tyre dhe ne Shqiperi apo Kosove, hajduti mbetet hajdut dhe i keq per çdo sistem.
      Ajo qe kritikohet ne artikull eshte se merret nje rast i nje makine te vjedhur e kapur nga nje polic i huaj, dhe perdoret si mos permbushje standarte per tu futur ne Evrope.
      Gjermania qe ka sa te duash makina te vjedhura nuk u pengua te futej ne Evrope prej kesaj, pra problemi shtrohet gabim ne artikull.

    2. bardhi says:

      Landi
      nuk keni asnje fakt qe ne Kosove mund te paisen me dokumente kosovare veturat e vjedhura,kjo thjesht nuk mund te ndodhe,pse duhet te fajesohet Kosova per falcifikimin e dokumentave gjermane,per sigurin e dokumentave gjermane eshte pergjegjes shteti gjerman e jo Kosova.Kosova eshte pergjegjese per dokumentet e saje,policia e Kosoves nuk e kontrollon secilen makin me targa te huaja,te tilla ne Kosove qarkullon me mijera.

  7. stherepeli says:

    I nderuar Z. Robelli,
    Gjej rastin tu pershendes (se bashku me Z.Surroi) per botimin qe na keni dhuruar per intelektualin e shquar, Z.Arbën Xhaferri.
    Lidhur me mesazhin qe percillni ne kete shkrim, te shpresojme se struktura e policise shqiptare ne Kosove, drejtuesit me te larte te saj dhe gjithe kabineti qeveritar me Kryeministrin Thaçi, do te gjejne ate vullnet dhe pergjegjesi ligjore e atdhetare, qe te reagojne per te permiresuar rrenjesisht veprimtarine qeverisese ne sherbim te gjithe qytetareve dhe konsolidimit e perparimit te shtetit “Republika e Kosoves”.

  8. Drop the bar onto your back close to the middle of the traps?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje