Ilir Meta hyri në sallë me hapa të rëndë dhe një zgërdheshje në fytyrë. U jepte dorën secilit që kishte dalë në rreshtore për ta pritur. Ndjehej mirë pranë të tijëve dhe i sigurtë pasi ndodhej në qytetin ku kish lerë. S’ka më mirë sesa të rikthehesh në origjinë, tek rrënjët e tua, aty ku jo vetëm balta të duket më e ëmbël se mjalta.
Pasi u rehatua në krye të sallës, hodhi vështrimin zhbirilues përreth. Gjithë njerëzia sytë tek ai, udhëheqësi i partisë. Sazet ishin gati dhe këngëtari popullor nisi avazin me një këngë që të këpuste shpirtin:
Në malet e thella të Skraparit
lindi burri i vatanit
kush mi qan hallet e mia
Ilir Meta, LSI-ja.
Kënga vijonte më tej duke evokuar traditat e trevës, por askush s’e kish mendjen më aty. Salla nuk mund të përmbahej, ishte bukosur e gjitha me lotë e ngashërime. Burrat tërhiqnin duhan dhe përpiqeshin që të mos e jepnin veten, por gratë ama, u lëshuan krejt. Vargjet kishin bërë të vetën, emocione të forta tek të gjithë. S’i thonë pak, pas malësisë së Gjakovës edhe malësia e Skraparit i dha një burrë këtij kombi. Histori e shkuar historisë, or tungjatjeta.
Këngë që të bën të ndjehesh krenar që je nga ato anë; që ke ditur se çfarë fare ke mbjellë, e çfarë kalliri ke korrur. Këngë që të ngre moralin lart, por të fut edhe në të thella: E kush tjetër veç baba Likes dhe nënës LSI do përkujdeset për ne të gjorët?!
E vërtetë. Është partia, dora e saj e ngrohtë, e cila nuk i lë kurrë bijtë e saj në baltë. I ndodhet pranë kujtdo që ka besim tek ajo e që e shpreh devotshmërinë ndaj saj në momentet më vështira. Është edhe udhëheqësi, një nga dy Kokat e Kombit, mendja e të cilit punon çdo ditë, zemra e të cilit rreh çdo sekondë, vetëm sesi t’ua lehtësojë dhimbjet popullit.
Baba Likja jep shembullin personal sesi duhet të jetë njeriu i ri LëSëI-st, pa vese e poshtërsi, por i ndershëm e i drejtë, kokëulur e punëtor. Nëse ka diçka ta thotë, por të dijë se ku e sesi ta thotë. Duhet të dijë edhe derën se ku duhet të trokasë, por edhe detyrimet që i dalin më pas. Duhet të njohë armiqtë e përbashkët që s’ia duan të mirën, si partisë ashtu dhe udhëheqësit, e të reagojë ashpër për të gjithë ata që i përgojojnë. Dashakeqët s’e durojnë dot që, në këtë vend të lashtë sa vet lashtësia, të ekzistojë dikush që i dhemb shpirti për të vobektët, për çilimijtë e tyre, e për arsye se u është errësuar arsyeja, duan t’i godasin, t’i përflasin, t’i spiunojnë edhe në ato çaste dobësie kur padashje gabojnë. Sepse, siç thotë i moçmi: “Kush punon edhe gabon”!
I falur je, i falur qofsh. Mjafton të jesh aty, në krye të punëve, të na qeverisësh, të na drejtosh, po të duash, edhe të na sundosh. Me zërin e ngjirur deri në kordën e fundit do na kesh gjithmonë vigjilent për të të pritur, thurur këngë me bejte, duartrokitur. Aferim ju qoftë! Jepini se mirë e kini, bjernani se mirë na bini, vidhnani se mirë na vidhni, vritnani se mirë na vrisni; shfaquni, fshihuni; akuzoni, lajkatoni; përunjuni, ringrihuni; xhindosuni, qetësohuni; pastrohuni, jargavituni; kërcënoni, tërhiquni; përdhridhuni, drejtohuni; hidhni vickla, gjunjëzohuni; pështyni, lëpijeni; trimërohuni, frikësohuni; bëhuni luanë, bëhuni minj; kapërdisuni, sus rrini …; vetëm theqafje nga pushteti, kurrë mos të kini.
Sido që t’na trajtoni, si kafshë pune a mish për top, edhe në grahmat e fundit të frymës të jemi, me buzët e zhuritura për një pikë ujë, e stomakun e tharë për një kore bukë, s’do harrojmë të pëshpërisim vargjet:
…kush mi qan hallet e mia
Ilir Meta, LSI-ja…
Dardha e ka bishtin prapa,e thote populli.
cte bente edhe gastori i lsi se do kendonte se per ate ishte paguar e kishte mare dhurate nje kostum te prere sipas trupit te likes. Si puna e ketij gastori ka me lopate tek ne e pa shume arxhime sapo te therasesh e vijne menjehere sa jane kail e babane ta lene pa varosur e prane partise te jene.