Qysh prej përfundimit të zgjedhjeve të 2009-ës, opozita shqiptare i është mbajtur stoikisht tezës se mazhorancës iu dhanë zyrtarisht më shumë vota se sa kishte marrë realisht në ato zgjedhje. Ky deformim i rezultatit, sipas opozitës, u realizua në dy mënyra: 1-Nëpërmjet votave fiktive (pra, të njerëzve që në fakt nuk votuan, por që dikush tjetër e hodhi votën për ta); 2-Nëpërmjet numërimit jokorrekt të votave. Me pak fjalë, bateritë e opozitës janë përqendruar tek deformimi i rezultatit zgjedhor që mund të ketë ndodhur si rrjedhojë e veprimeve të kryera larg syve të publikut. Ndërkohë, një deformim më i madh mund të jetë realizuar nëpërmjet veprimeve të kryera para syve të të gjithëve…
Kushdo që ka ndjekur mediat kryesore shqiptare në muajt para zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, e ka patur të lehtë t’i konstatonte bataretë e spoteve publicitare që trumbetonin në atë kohë arritjet e qeverisë në përgjithësi dhe të çdo ministrie në veçanti. Dhe ato ishin spote të paguara nga taksapaguesit shqiptarë, të majtë e të djathtë bashkë. Ndërkohë, televizioni “News 24” u gjobit pse transmetoi një kundër-reklamë të paguar nga një parti opozitare, me arsyetimin se fushata nuk kishte filluar ende zyrtarisht!
Sipas raportit të OSBE/ODHIR-it rreth zgjedhjeve të 2009-ës, qeveria përdori në mënyrë të përsëritur mjete dhe aktivitete zyrtare për qëllime fushate, duke e zbehur dallimin mes veprimtarive të shtetit dhe fushatës, në kundërshtim me paragrafin 5.4 të Dokumentit të Kopenhagenit të OSBE-së. Gjithnjë sipas OSBE/ODHIR-it, inaugurimet e projekteve të infrastrukturës nga Kryeministri dhe nëpunës të tjerë të lartë të PD-së ndodhën shumë shpesh gjatë periudhës parazgjedhore, si dhe shumë afër ditës së zgjedhjeve. Në to morën pjesë turma të mëdha që valëvisnin flamujt e PD-së, ndërsa fjalimet kishin karakter shumë të qartë fushate.
Ndërkohë që dy cenimet e mësipërme të parimit të ndershmërisë së zgjedhjeve kanë qenë më se të dukshme, ndikimi i tyre në rezultatin përfundimtar nuk është lehtësisht i matshëm. Por një hamendje e edukuar rreth tij mund të bëhet.
Pranohet botërisht si aksiomë se fushatat zgjedhore në vendet demokratike zhvillohen kryesisht për të tërhequr votuesit e lëkundur. Në qoftë se të tillë votues nuk do të ekzistonin, nuk do të lindëte nevoja për shpenzimet marramendëse që kryen për fushatat zgjedhore – votuesit e vendosur mund t’i sjellësh në kutitë e votimit edhe me një fushatë fare modeste.
Por a ka votues të lëkundur në Shqipëri? Para se t’i përgjigjemi kësaj pyetje, le të përcaktojmë dy nën-grupet e votuesve të lëkundur. Nën-grupi i parë përbëhet nga votuesit që e ndërrojnë kahun e votimit nga njëra zgjedhje në tjetrën; pra, janë votues të ndryshueshëm. Ndërsa nën-grupi i dytë përbëhet nga votuesit që anojnë nga njëri krah, por që herë marrin pjesë në zgjedhje e herë jo; pra, janë votues të vakët.
Nga një studim statistikor që kreva para zgjedhjeve të 2009-ës, më rezultoi se rreth 29% e votuesve të mundshëm ishin në emigracion në atë kohë; 21% e votuesve nuk kishin votuar fare në katër zgjedhjet e fundit; 8% e votuesve herë kishin marrë pjesë në zgjedhje e herë jo; 4% ishin votues që e kishin ndërruar krahun e votimit; dhe 38% ishin votues të vendosur për njërin apo tjetrin krah.
Ekzistenca e votuesve të lëkundur del në pah tërthorazi edhe nga krahasimi i zgjedhjeve të vitit 2005 në zonën 31 të Tiranës dhe zgjedhjeve të pjesshme në po të njëjtën zonë në shtator 2007. Kështu, mbi 18600 votues të zonës 31 (rreth 50% e votuesve në lista) votuan në zgjedhjet e 3 korrikut 2005, por vetëm 12850 shkuan në kutitë e votimit në shtator 2007.
Pasi i kemi dhënë një përgjigje pyetjes rreth ekzistencës së votuesve të lëkundur në Shqipëri, le të përpiqemi t’i përgjigjemi pyetjes se sa mund të jenë ndikuar të tillë votues nga fushata jo e ndershme mediatike e qeverisë në zgjedhjet e 28 qershorit 2009.
Në Shqipëri nuk ekzistojnë studime që mund të na ndihmojnë në dhënien e kësaj përgjigje, por në botën demokratike ka të tilla. P.sh., Larry M. Bartels, profesor i Universitetit Princeton, në një artikull të tij të vitit 1997 ka analizuar studime të shumta ekonometrike rreth zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Ai arrin në përfundimin se dy janë faktorët kryesorë që përcaktojnë rizgjedhjen e një shefi të ekzekutivit: 1-rritja e të ardhurave për frymë; 2-perceptimi që kanë votuesit e lëkundur rreth situatës së përgjithshme ekonomike në vend.
Duke u kthyer në Shqipëri, mund të konstatojmë se rritja vjetore e të ardhurave për frymë (e zhveshur nga inflacioni) ka qenë rreth 2.2% në vit gjatë qeverisjes së parë të PD-së. Një rritje e tillë, sipas profesor Bartles, ndikon në rizgjedhjen e një shefi të ekzekutivit, por jo shumë. Rritja duhet të kalojë 3.5% që të ketë ndikim të ndjeshëm.
Nga ana tjetër, fushata jo e ndershme mediatike e qeverisë para zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 u përqendrua në krijimin e perceptimit tek votuesit e lëkundur se situata e përgjithshme ekonomike në vend ishte shumë më e mirë se katër vjet më parë. Dhe ky mund të ketë qenë një faktor i rëndësishëm që ka shtyrë një pjesë të votuesve të vakët e të ndryshueshëm për t’ia dhënë votën koalicionit qeverisës – studime të shumta statistikore në botën demokratike tregojnë se fushatat e fuqishme mediatike arrijnë ta ndryshojnë perceptimin e votuesve rreth gjendjes së përgjithshme ekonomike. Si rezultat i këtij efekti, koalicioni qeverisës mund të ketë marrë aq vota sa për të bërë diferencën për deputetin e 3-të të saj në qarkun e Beratit, deputetin e 16-të në qarkun e Tiranës, deputetin e 7-të në qarkun e Shkodrës e të Elbasanit, etj.
Hamendjet e mësipërme, sado të edukuara, mbeten hamendje. Për të marrë vesh saktë se sa votues ia dhanë realisht votën mazhorancës në 2009-ën, duheshin hetuar imtësisht kutitë e dokumentacionit zgjedhor dhe ato të votave,…të cilat u shkrumbosën zyrtarisht në bregun e Erzenit apo përfunduan si sekret shtetëror në Arkivën e Shtetit. Në këto kushte, opozitës i mbetet vetëm të këmbëngulë fort që ndryshimet e pritshme të kodit zgjedhor, përveç problemit të votave fiktive dhe numërimit jo jokorrekt të votave, të adresojnë edhe dy cenimet e sipërpërmendura të parimit të ndershmërisë së zgjedhjeve, të cilat janë evidentuar në raportin e OSBE/ODHIR-it.
*respublica.al
Haha, kerkon “parime te ndershme” gjate fushates elektorale nga saliu!!
Or lum miku; saliu, kur nuk i mjaftuan keto marifetet qe t’i listove me siper, nuk e pati problem hic te hidhej nga plani B i cili kishte si objektiv mbushjen e kutive me vota per kandidatet e PD-se. Prandaj, cdo lloj kerkese nga opozita per te sjelle per fije banden e saliut qe disa ma quajne qeveri, do te jete e kote.
NUK KA ZGJEDHJE TE LIRA ME KETE TIRAN!! AS QE MOS T’JU SHKOJE MENDJA.
Keshtu qe, artikujt 1000 fjalesh, duhet t’i shkruani ne lidhje me menyrat e tjera per ta rrezuar kete regjim, jo se si te realizojme zgjedhje me te mira.
Vellezer berishes i erdhi fundi Amerika filloj te levize sinjali i par u dha ndiqeni intervisten e ish ambasadorit Widhershttp://top-channel.tv/artikull.php?id=227146&ref=ml
duke qene te tejngopur me keto komente mund te shtoj vetem dy arsye te mos vazhdimit per ti mare seriozisht
1 zgjedhjet jane caktuar para votimit kush fiton
2 deputetet jane te emeruar
zoti zaloshnja gjej po munde si pregatitet lista e deputetve para zgjedhore dhe botohe gjithmon po ke kellqe