Kryqëzohet Gjykata e Lartë dhe sovraniteti i gjyqbërësve

17 Janar 2012, 21:35Blog TEMA

Nga Roel Korkuti

Maja e drejtësisë shqiptare, Gjykata e lartë, foli të hënën në drekë në lidhje me fajësinë ose jo të Ilir Metës, çështje që e kishte mbajtur të mbërthyer e të përgojuar për gati një vit. Nuk doli aspak kundër pritshmërive tona gjykata e kundër pritshmërive të atyre që diskutuan ndërkohë që pritej vendimi, mbi rritjen e prodhimit të mollëve në Korçë e për zbulimin e katër akullnajave në Bjeshkët e Namuna. Të gjithë e dinin fundin e atij procesi e të gjithë e dinin se s`do të përbënte ndonjë çudi për realitetin shqiptar. E pikërisht këtu qëndron e keqja më e madhja, fakti që s`përbën çudi. Çudi do të qe nëse Ilir Metën do ta shpallnin fajtor. Do habitej gjithë dynjaja nëqoftëse do të ndodhte kjo e fundit. Do të fillonin teoritë konspirative me emra të përveçëm e me agjentura të huaja. Hataja do të qe!

Po si ata bosat mafioz që vetëm nëpër filma e dokumentarë i kemi parë, e ndoqi Ilir Meta gjyqin e tij nëpërmjet televizionit, mu në strofullën e tij, e më pas duke luajtur tenis a basketboll se qenka i zoti në 3-piksha, siç na tha nga fevzo-ja. Vetëm se ata mafiozët e vjetër në ndryshim nga këta të rinjtë ilegalitetin e shijonin si të këtillë e nuk e kthenin në legalitet. Ilir Meta, po ashtu siç e filloi aventurën e video-përgjimit, si mafioz, ashtu edhe e mbylli. E po në ndryshim nga ata mafiozët Italian, Ilir Meta nuk besoj se do e ketë ndonjëherë rastin në ndonjë të ardhme edhe të largët ta shohë historinë e jetës së tij bashkë me ngritjen në karrierë, sprovat, strategjitë, vjedhjet, presionet, korruptimet, shantazhet a ku di unë c`ka tjetër cakton fatin e një ligjshkelësi, të kthyer në film.

Gjykata e Lartë më datë 16 janar de facto rrëzoi autoritetin e prokurorisë dhe sovranitetin e saj. Gjykata e Lartë e shqiptarëve së fundmi u kthye përfundimisht në gjykuese të aftësive të prokurorisë. Ne tashmë nuk kemi një gjykatë të Lartë, por një gjykatë të Saliut dhe të Likes që sa ta kenë nën kontroll do ta përdorin vetëm për të përbaltur punën gjysmake të një prokurorie po gjysmake që i ka rënë për pjesë të jetë objekti i hakmarrjes në dukje të rremë të pushtetit. Kjo gjykatë herët a vonë do t’i paguajë mëkatet e saj, por deri sa të vijë ajo ditë shpresa jonë e vetme mbetet që thesin e mëkateve mos ta mbushin plot e përplot, me dorën në zemër e me sytë nga Zoti.

Shumica e ligjbërësve të fëlliqur të kësaj republike të dalë nga zgjedhjet e përbaltura të qershorit 2009 zgjodhën ajkën e të pandershmëve si ligjzbatues. Me fuqinë e ligjbërjes dhe me pushtetin e ligjzbatimin u gjeneruan miliarda lekë, një pjesë e së cilave shkoi në blerjen e pushtetit të tretë, që Kushtetuta e sheh si të paprekshëm, të paanshëm  e jo e jo të manipulueshëm, pushtetin gjyqësor. Tanimë që Gjykata e Lartë shoi shpresën e fundit që patën shqiptarët për të parë një pushtet gjyqësor në dorën vetëm të ligjit e jo të Maliqit, u bind gjithkush se këto tre pushtetet e ndara me kushtetutë e të bashkuara nga interesi drejtohen nga vetëm një mendje perverse, që në raste pafuqie nuk e ka të vështirë të gjejë rreth e rrotull saj mëndje e ndërgjegje po aq të ngjashme për nga perversiteti.

Kush u habit nga vendimi për pafajësinë e Metës, nuk e ka kuptuar mirë se në c`situatë gjendemi e duhet t’i hapë më mirë sytë për të parë ç`po ndodh e ç`mund të ndodhë në vendin e çudirave, ku këto të fundit nuk përbëjnë çudi, e po ta ndjejë si detyrë qytetare në një vend demokratik të ngrejë zërin për ça i vrau sytë e veshët. E kush nuk u habit për vendimin e gjykatës duhet ta mendojë më mirë arsyen e kësaj mungese të habisë, duhet ta mendojë më mirë pse si ai edhe shumë të tjerë nuk e ngrenë zërin përballë ligjshkeljes se legalizuar nga pushteti i paligjshëm mes ditës me diell.

 

3 komente në “Kryqëzohet Gjykata e Lartë dhe sovraniteti i gjyqbërësve”

  1. brazili says:

    Para nje jave,policia tatimore i vuri nje kafeneje 10 milion leke te vjetra gjobe,sepse te 5 tavolinat ishin pa kupon tatimor,Likja sikur te ishte denuar per korrupsion per 700.000 euro(Kjo do ishte rrufe ne qiell te paster per nje vend si Shqiperia)prokurori kerkoi dy vjet burg dhe 10 milion leke te vjetra gjobe.Llogaritni vete se cfare llogjike perdoret ne Albanistan.

  2. ALBAN DEG A says:

    KUSARIA – ANTI- DREJTESIA 5:0

    Perseri fiton kusaria
    Shembet pertoke drejtesia
    Sa te jete ne krye Salia
    Nuk do te beje para Shqiperia
    Rrofsh e qofsh Ilir Mavia
    Mjere Skrapari e mjer Malesia
    Sa te jete ne krye Mafia…

  3. albani says:

    Keto behen nga brishajt sepse e dine se shqiptaret jane ne gjumin letargjik. “Rinia studentore”, qe duhet te ishte ne krye te levizjeve per demokraci, eshte ne heshtje, e pergjumur, sepse kerkesat e veta si studente qe jane, i ka plotesuar: seksin dhe drogen (lutem te mos pergjithesohet kjo, eshte vetem per ate rini studentore, qe mendjene kane tek seksi dhe tek droga). Dhepersa kohe qe do te jene keto dy gjera, studentet jane ne rregull. Pastaj, edhe qeveria kujdesetr ne menyre te vecante per kete ri9ni studentore: pjesa me e madhe jane tropojane, nje pjese nga malesite e veriut, dhe pjesa qe mbetet jane fshatare, dhe kur viojne ne Tirane, u duket se jane ne Parajse. Dhe Saliu e di, se perderisa nuk ngrihet rinia, per te tjeret Sala nuk can bythen, aq me teper kur ka ne krah dhe mbeshtetes Z. Arviziun. Duro o poipull, duro!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje