21 janari si akt i terrorit shtetëror

18 Janar 2012, 22:58Blog TEMA
21 janari si akt i terrorit shtetëror

 

Nga Astrit KOSTURI *

Viktimat shtetërore të 21 janarit 2011, dosja e të cilëve nuk është zbardhur nga drejtësia shqiptare, përbëjnë një apel të përçdoditshëm për shoqërinë tonë, e cila ka nevojë urgjente të emancipohet dhe të kuptojë se demonstrimet dhe protestat janë shpirti i vetë demokracisë. Po mbushet një vit plot, qëkurse atë ditë të ftohtë fundjanari, snajperat e strukturave të shtetit qëlluan me armë për vdekje katër qytetarë të lirë, katër demonstrues, katër viktima, që duhet të konsiderohen me të drejtë martirë të demokracisë.
Që nga ajo ditë e trishtë, kur u lëkundën themelet e vetë sistemit të së drejtës në këtë vend, katër të rënët para Oborrit të Kryeministrisë janë rrethuar me heshtje, keqkuptime, përdorime politike, larje duarsh si dikur Pons Pilati, marketing partiak e shtetëror, por e vërteta nuk ka prekur aktin e tyre.

Homazhet që do të bëhen për të nderuar kujtimin e tyre duhen bërë, bile janë të domosdoshme, por nuk mjaftojnë. Në një farë mënyre, këto homazhe janë një tendencë për ta mbyllur këtë çështje, për ta arshivuar atë në dosjen e krimeve të pazbardhura. Zbardhja e këtij krimi të përbindshëm, që mund të konsiderohet një masakër shtetërore, nuk ka ndodhur dhe vështirë se mund të ndodhë në një vend si ky i yni, ku shteti të vret natën e të qan ditën për diell, në një vend ku ka njëzet vjet, që nga dy Oborret e mëdha politike ndodhin vrasje e masakra, pa i hyrë askujt, as vetë kriminelëve me jaka të bardha, asnjë ferrë në këmbë.
Drejtësia e politizuar e këtij vendi jo vetëm vonon pambarimisht, por dhe “harron”, ose bën sikur “harron”, pasi ashtu ia duan punët, për të mbrojtur “vijën e verdhë” të partiako-shtetërorëve në krye të piramidës, të cilët e kuptojnë demokracinë, siç thoshte dikur Noli ynë i madh, si “hosana baraba” e regjimit të hurit e të litarit.

Krimi monstruoz i 21 janarit nuk është një akt i shkëputur nga kujtesa kolektive e këtyre njëzet viteve tmerri, të ngarkuar me emocionet më të përzishme të një kohe të pa kohë. Dhjetëra jetë njerëzore kanë humbur në kohën e qeverisjes demokratikase të parë dhe asaj socialiste, në Otranto, maleve e gërxheve të vendeve fqinje, në thellësi të ujërave ndërkufitare, ku flenë përgjithmonë ëndrrat e tyre për një jetë ndryshe.
Masakrat ku humbën jetën dhjetëra vetë, klandestinë nga treva të ndryshme të vendit qenë bërë të zakonshme në vendin e shqiponjave, në një republikë ku çudia më e madhe zgjat njëzet e katër orë, pasi shuhet shpejt, e ndjekur nga çuditë e tjera të radhës.
Megadosja e Gërdecit, edhe pse kanë kaluar katër vjet që nga ajo ditë kasaphane humane, fle në dyert e gjykatave, e mbuluar nga pluhuri i një keqkuptimi të qëllimshëm.
Kujtesa e të vdekurve dhe e të gjallëve të mbetur pa të afërmit e tyre, pa shtëpi e katandi, me trauma të parikuperueshme, apelon për zbardhje, për verdiktin e drejtë të drejtësisë. Por kjo e fundit nuk duket askund.

Shqipëria është kthyer në një eksploziv gjigand në minaturë, i cili nuk dihet se kur mund të plasë, duke rikthyer Gërdecët e zinj dhe askush nuk e ngre zërin, drejtësia hesht dhe vështron podiumet politike, ku renditen apologjitë e “sukseseve” të radhës.
Partia Socialiste do të bëjë homazhe për nder të martirëve të 21 janarit, por kjo nuk mjafton. Askush nuk ua kthen dot familjarëve të afërmit e tyre të martirizuar, por moralin e një shoqërie të marrë peng nga mafia politike mund ta rikthejë vetëm dinjiteti i vazhdimit të protestave, i vazhdimit të rezistencës ndaj të keqes.

Të vrasësh nga frika e protestës, për të mos lejuar vazhdimin e saj, për të mbajtur peng shpirtin e lirë të një populli, kjo është një e keqe e përbindshme, që mund ta bëjë vetëm një klikë gjakatare. Vetëm strukturat e një shteti që ka humbur çdo pikë orientimi human dhe vepron me instinkt selektiv e gjakatar mund të vrasin ditën për diell qytetarë të pambrojtur, të pa armatosur, që si mjet të tyre të vetëm kishin shpirtin e protestës, shpirtin e lirisë. Vazhdimi i këtyre protestave, jo vetëm në kujtim të aktit të katër martirëve, por dhe për të dëshmuar rezistencën ndaj të keqes sonë të ngritur në institucion, do të ishte diçka dinjitoze, për një shoqëri që nuk mund ta braktis ëndrrën e lirisë. Mosvazhdimi i protestave është frikë, dekurajim, pajtim me realitetin obskurantist mesjetar, që na ofron kjo politikë axhaminjsh, që nuk njeh asnjë moral tjetër veç atij të klanit dhe ky i fundit nuk i bindet asnjë vetëdije apo instinkti, veç atij të parasë.

E vetëquajtura politikë e këtij vendi (themi e vetëquajtura, pasi në fakt nuk kemi të bëjmë me parti politike por me grupe interesash të ngushta private), nuk arriti të na jap ne shqiptarëve një shenjë të ndërtimit të një shteti demokratik, sipas parimeve të njohura ku përparësi kanë përmbushjet e nevojave sociale të shtresave të nëpërkëmbura të shoqërisë. Në vend të tij, na dha struktura autokratike, që pak po t’u cënosh rehatinë e vjedhjes “me “duar të pastra”, siç ndodhi me 21 janar 2011, nxjerrin dhëmbët dhe të bëjnë lanet, të vrasin e të quajnë “puçist” dhe “tradhëtor”. Pas ngjarjeve të kobshme të vitit ’97, që e tronditën imazhin e sistemit të ri, duke krijuar alibinë e dhunës, shkatërrimit, djegieve e grabitjeve ditën për diell, shqiptarët e patën të vështirë të kuptonin raportet me shtetin dhe politikën e vendit të tyre, pasi nga të dyja këto ata u ndien dhe vijojnë të ndihen të tradhtuar. Shteti i tyre, duke u shkërmoqur brenda pak kohësh, si kështjellë me rërë, la tek ata shijen e trishtë të pamundësisë për t’i mbrojtur nga pjesa e errët e vetvetes dhe nga mekanizmat diabolikë të vënë në veprim nga të tjerët. Klasa politike humbi vizionin e çdo idealiteti të mundshëm dhe këtij errësimi i shërbeu aventura e protagonistëve të saj, aq të përfolur për korrupsion e keqpërdorim të besimit publik.

Në anale të tilla politike dhe institucionale, të orientuara vetëm për t’i shërbyer grupit dhe klanit, nuk mund të lindin platforma dhe ide të qëndrueshme politike, por vetëm spastrime administrate, raporte selektive me qytetarët dhe ligjin, bile dhe vrasje e maskara, si ajo e 21 janarit, që tregoi dhe një herë fytyrën e vërtetë të një qeverie të bunkerizuar në instiktet e saj më agresive, e cila e pranon lirinë dhe pluralizmin politik sa për sy e faqe dhe nuk lejon askënd që të cenojë vijimësinë e autokracisë së saj të sëmurë.
Pse nuk zbardhet maskara e 21 janarit?
Po maskara e Gërdecit?
Po dosjet e Otrantove të pafundme të këtij tranzicioni, ku “kurban” janë bërë njerëzit e thjeshtë, shtresat më në hall të shoqërisë shqiptare?
Përgjigjia është e thjeshtë dhe nuk ka asnjë ekuivok: autori i këtyre gjakderdhjeve të përllogaritura është shteti dhe krimet shtetërore nuk zbardhen kurrë.

Por, nëse shteti hesht dhe drejtësia rri e vështron shkëlqimin lëbyrtës të alibive të qeverisë, populli opozitar (populli që është përtej oborreve të politikave të ditës) nuk mund të hesht. Protestat nuk mund të thyhen. Ato i shërbejnë solidaritetit me martirët, me aktin e tyre të lartë, në mbrojtje të principeve të së drejtës, në një shoqëri që e kërkon me qiri lirinë dhe drejtësinë. Solidariteti social në protestë, për të zbuluar krimin e rëndë të 21 janarit, është një motiv më shumë për të thyer muranën e zezë të heshtjes dhe të pajtimit me të keqen.

Nëse homazhet ndaj viktimave, në një farë mënyre, mbulojnë plagët e thella të kësaj shoqërie të marrë peng nga një politikë destruktive, protestat për të zbuluar krimin mbi bazën e dhimbjes së plagës, jo mbi bazën e fshehjes së saj, do të ishin përkujtimi më i mirë që iu bëhet katër martirëve, do të ishin vetë shpirti arkitipai i lirisë që kërkon të identifikohet në një shoqëri të etur për drejtësi shoqërore.

*Kryetar i Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve

7 komente në “21 janari si akt i terrorit shtetëror”

  1. elinor bahiti says:

    Uaau! Artikull i perkryer – nje bravo te madhe per autorin! Jo vetem i shkruar me nje stil te vecante letrar por edhe percjell nje mesazh te forte: martiret e 21 Janarit duhet te kujtohen jo me homazhe, por me protesta te vazhdueshme per t’u treguar atyre qe ata nuk e derdhen gjakun kot ate dite, aty ne bulevard!
    Me qarte nuk ka si behet. Edhe njehere – te lumte pena dhe mendja Astrit Kosturi!

  2. Sali serbi says:

    Shume i drejte edhe pse patetik ky shkrim.
    E megjitheate ky shkrim dhe 10-tra shkrime te tjera demaskuese te bandave politike, kushtrimdhenese per te shpetuar vendin nga kthetrat e tyre , do te shumezoheshin me 0 ne se protesta e 1-vjetorit te 21 Janarit do jete, thjesht, nje homazh protokollar i opozites.Kjo duhet te jete e qarte.
    Perkundrazi, qendrimi i palekundur dhe kurajoz ne dyert e Kulles se banditit te Viçidolit deri sa ky te dali si qen me bishte nder shal prej saj dhe ti neneshtrohet gjyqit te rrept te drejtesise popullore( demokratike quajeni po te doni- eshte e njejta gje) kjo do te ishte permbushja e detyrimit qytetar ndaj martireve te 21 Janarit si dhe gjithe vrasjeve te tjera te heshtura dhe te hapura qe bandat politike kane kryer keto 20 vjet mesjete.
    Kjo revolte legjitime ndaj ketij krimineli antishqiptar eshte po ashtu e vlefshme edhe per rrethin e ketij banditi, ate lukuni bashkepunetoresh e sekseresh, te hapur dhe te fshehte qe permbushin ,si Fatos Skeja, urdherat kriminale te tij. Duhen identifikuar keta bandite, duhen demskuar ne publik dhe duhen denoncuar ne drejtesi si vrasesit e demokracise e te sa e sa njerezve qe kane dale kunder krimeve te Sali serbit. Le te marrim shembull per kete nga deshmia e familjareve te Heroit te 21 Janarit Hekuran Deda.Pa ju trembur qerpiki i syrit ata ja perplasen ne sy Saliut dhe zagarit te tij propozimin per shitjen me para te vllait te vrare.

    1. LORA says:

      Jam ne mbeshtetje te plote per “gjyqin e rrepte te drejtesise popullore” perderisa drejtesi nuk ka.E perbuz vetem nje homazh kortezie qe do te ma shtonte shumefish pershtypjen per impotence totale ndaj se keqes qe e ka mberthyer,tash e 21 vjt, per gryke shoqerine tone.Nderimi i vertete pe deshmoret e 21 janarit nuk shkon me hipokrizine e heshtjes perulese,te imponuar mijra njerezve qe duan te bertasin fort me zerin e tyre.

  3. arber says:

    ky eshte k… si i vellai,nejse e rendesishme te jemi sa me shume antiberishiste

  4. Y. Stoja says:

    blla,blla,blla,blla,blla,blla, 20 vite kotesi per rotacionin.

  5. Ldsh Besoj says:

    Arben Vila, nuk jemi ne kohet e kryqezatave, as ne ate te kohes se pushtetit te shenjte, prandaj ata alabaket dhe elementet me precedent penal, qe thua ti, shteti, duhet t’i paralizoje, t’i ndaloje, t’i gjykoje dhe t’u jap denimin qe meritojne. Askush nuk ka te drejte te te marre jeten, te te vrase si pa ju dridhur qerpiku i syrit! Pra, vrasesi mbetet vrases, pavaresisht nga ngjyrat partiake, dhe te vraret mbeten te pafajshem dhe shoqeria duhet t’i vleresoje si martire!

    1. Mikel Naziri says:

      Homazhet që do të bëhen për të nderuar kujtimin e tyre duhen bërë, bile janë të domosdoshme, por nuk mjaftojnë. Në një farë mënyre, këto homazhe janë një tendencë për ta mbyllur këtë çështje, si gjithe masakrat e tjera shteterore, për ta arshivuar atë në dosjen e krimeve të pazbardhura. Zbardhja e këtij krimi të përbindshëm, eshte e pamundur, si te gjithe krimet e pazbardhura, sepse kane per autor shtetin, sepse jane masakra shtetërore! Prandaj pervjetoret e tille, si kudo neper bote, kerkojne edhe Protesta Popullore!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje