Ky nuk është më Interi i Uesli Shnajder! Mesfushori holandez duket se ka humbur pozicionin e privilegjuar që mbante në skuadër dhe nervozizmi i tij në fushë e shpjegon qartësisht situatën ë futbollistit. Sikur të mos mjaftonte kjo, ai është zënë edhe me Pacinin në fushën e lojës, ndërsa pamjet kanë bërë xhiron e televizioneve italiane.
Ndërkohë, Ranieri e ka bërë të qartë se skuadra aktualisht funksionon më mirë pa Shnajder dhe se po mundohet t’i gjejë futbollistit një vend në formacion. “Ai nuk po luante keq, por unë desha të kisha më shumë siguri në mbrojtje. Nuk luajmë aq mirë me 4-3-1-2 dhe prandaj preferoj të luaj me 4-4-2”, ishte shpjegimi i Ranierit.
Për më tepër, trajneri e ka të vështirë t’i gjejë atij një pozicion tjetër, duke thënë se për lojtarin do të ishte e pamundur të luante në krahë. “E kemi thënë edhe më parë që ai është një lojtar qendre që nuk mund të kushtëzohet duke luajtur në krahë. Ndoshta kur të kthehet Forlan mund të provojmë diçka tjetër, por për momentin formacioni ynë më i mirë është 4-4-2”, deklaroi Ranieri duke lënë të kuptohet se holandezit do t’i duhet të mësohet me stolin. /lajmeshqip