Te krishterët ia kanë referuar lindjes së Krishtit përcaktimin e pikës 0 të numërimit të viteve. Para Krishtit, pas Krishtit. Myslimanët referohen me shpërnguljen e Profetit Muhamed nga Meka. Si “Era e Re” u mbiquajt edhe politika qeveritare prusiane ne vitet 1858-1862. Çlirimin nga okupatori nazifashist kishim si referim deri në vitin 1990. Para çlirimit, pas çlirimit.
Ndërsa sot për Shqipërinë dhe shqiptarët 21 janari është dita që ndan epokat.
Dita kur dha shpërthimin e parë zemërimi i ndrydhur i shqiptarëve ndaj shtetit të vënë në shërbim të pushtetit dhe pushtetit të vënë në shërbim të një kaste politike mafioze. Dita kur Sali Berisha i tregoi botës mbarë se bandat që qeverisin Shqipërinë nuk janë mbushur vetëm me të korruptuar dhe hajdutë, por edhe me kriminelë të rrezikshëm.
Krishti ishte një martir i religjionit, kurse ikonat tona Hekuran, Faik, Ziver dhe Aleks janë 4 shqiptarë deri dje të panjohur e të thjeshtë, të cilët me modestinë e martirizimit të tyre ndriçuan shkaqet kryesore të tejzgjatjes së tranzicionit tonë strapacues dhe skutat më të errëta të mafias në pushtet.
Martirizimi i tyre si qytetarë protestues, por edhe martirizimi i pafajësisë absolute, që ata kishin sjellë me vete në protestën e 21 janarit, i vendos qytetarët e këtij vendi dhe shoqërinë civile me organizmat e saj, opozitën e veçanërisht Partinë Socialiste para obligimesh dhe objektivash të pazakontë dhe tepër madhorë.
Të gjithë ne së bashku duhet të marrim mbi vete të gjitha përgjegjësitë morale, qytetare dhe kombëtare për rivendosjen e demokracisë, shtetit ligjor dhe rikthimin e shpresës e të besimit tek e ardhmja. Të gjithë ne duhet t’i kërkojmë dhe kultivojmë emëruesit tanë të përbashkët, ta pranojmë njëri- tjetrin dhe të bashkëpunojmë për ndryshimin e madh. Aktorët më të mëdhenj kanë përgjegjësi më të gjera dhe duhet të jenë më të hapur për bashkëpunimin. Posaçërisht Partia Socialiste.
Sa më i madh trishtimi që ka shkaktuar ngritja në sistem e korrupsionit dhe mafias, sa më e madhe frika dhe pasiguria që ka mbjellur kriminalizimi i shtetit prej pushtetit, sa më të rënda pasojat e krizës ekonomike dhe të shpërfilljes së politikave sociale, aq më poshtë duhet të zbresë pranë shqiptarëve Partia Socialiste, të përshtatë ritmin e rrahjes së zemrës së vet me ritmin e rrahjeve jo thjesht të aktivistëve socialistë dhe opozitarë, por të gjithë qytetarëve, të cilët nuk duhet kurrsesi të shihen thjesht si votues potencialë, por si disidente të qeverisjeve të mbrapshta, si akumulatorë të pakënaqësive, si zëdhënës të nevojave të ndrydhura të shoqërisë dhe si orientues të vizioneve të shpresës.
Partia Socialiste duhet të ndjejë atë tik- takun e shpresës që nuk shuhet, tik- takun e pritshmërisë që kanë shqiptarët për tu çliruar më në fund nga rrethi i djallit.
Pritshmëria e shqiptarëve sot nuk është thjesht rotacioni i partive në pushtet. As thjesht të rrëzohet pushteti i kriminalizuar i Saliut. Madje edhe çështjet sociale dhe ekonomike, qoftë edhe ato akute, sot kanë dalë në plan të dytë.
Primare sot për shqiptarët është krijimi i besimit dhe i bindjes se drejt kutisë së votimit shkohet për tu ndarë me diktatin e mafias, për të gjetur shtetin ligjor, për të mos jetuar nën terrorin psiqik të të qënit i pambrojtur në ekonomi, dinjitet dhe jetë.
20 vjet janë më se të mjaftueshëm për tu stërngopur me slogane boshe, jo po do ta bëjmë ndryshe, jo po ndryshon, jo po do ta ndryshojmë ndryshe etj. etj.
Shumica dërrmuese e shqiptarëve e ndjen më së miri, që nuk mund të vihen në balancë PD me PS, apo Saliu me Edi Ramën. Por a është masa e ndryshimit mes PD dhe PS mjaftueshëm bindëse për ta çuar këtë shumicë dërmuese të shqiptarëve tek kutia e votimit.
Këtu duhet ndaluar, këtu duhet analizuar, këtu duhet hyrë në psikologjinë e kësaj shumice njerëzish, që pavarësisht se janë mirëfilli të qartë se nuk ka zgjedhje më të mirë sesa PS-ja, madje edhe se rruga e vetme është PS-ja, preferojnë megjithatë abstenimin.
“Punë e madhe, mjafton që të fitojmë më shumë vota sesa Saliu me Ilirin” do thonë mjaft militantë brenda PS, që mezi presin rrotacionin e karrigeve dhe derivateve të tyre.
Shumë kush e mendon, plot syresh edhe e thonë, se nuk besojnë që PS-ja është në gjendje të kryejë ndryshimin e madh e të vërtetë, sepse mbi PS-në rëndon ende guri i një të shkuare jo dhe aq të largët. Këtu nuk është thuajse asfare fjala për të shkuarën komuniste, por për qeverisjet socialiste në përgjithësi dhe sidomos për qeveritë e Nanos dhe të Metës.
Është ajo frika e arsyeshme e votuesit abstenues para atij militantizmit aq të njohur, ngjyrat e ndryshme të të cilit mundësojnë rrotacion partish, por jo ndryshim mentalitetesh, vullnetesh dhe praktikash.
Të gjithë e dimë se pragmatizmi në politikë dhe shoqëri është i pashmangshëm. Sepse kush më shumë e kush më pak jemi secili bartës të pragmatizmit, për pasojë edhe të hapur për militantizëm, karrierizëm dhe pushtet. Por nga ana tjetër, të gjithë i kemi konstatuar dhe tashmë provuar mbi kurriz pasojat e një militantizmi të ngritur në sistem, i cili mu si një “big bang” zgjeron përditë e më tepër përmasat e korrupsionit dhe arbitraritetit të pushtetit në ngushtim të mushkërive të shtetit ligjor, ekonomisë së tregut të lirë dhe demokracisë pjesëmarrëse.
21 janari 2011 nuk ishte rrufe në qiell të kaltër, por ishte vetëm shpërthimi i një mine me sahat, tik- taku i së cilës nuk dihej se kur kishte startuar. Videoja e Metës thjesht kishte përshpejtuar shpërthimin.
Të gjitha ato skena dhe mizanskena të pështira, që shpalosën Saliu, Iliri dhe shushunjat e oborrit pas 21 janarit, nuk bënë tjetër veçse vërtetuan për së gjati e për së gjeri atë nevojë të ngutshme që ka shoqëria shqiptare për tu ndarë përfundimisht me skenarët e Ramizit dhe Saliut, për të disiplinuar mbylljen e tranzicionit brenda kornizave demokratike të së Drejtës dhe për të ndërtuar raporte ekuilibruese mes zhvillimeve ekonomike dhe atyre sociale.
Gjithçka parapriu 21 janarin dhe gjithçka po ndodh pas 21 janarit në qelizat e shoqërisë shqiptare po e ndajnë kohën në mes.
Gjithçka parapriu 21 janarin na ka provuar qartë dhe bindshëm se si nuk duhet kurrsesi të jetë demokracia dhe shteti ligjor. 21 janari e vendosi kufirin “tek thana” dhe e vulosi përjetësisht me gjakun e 4 martirëve. Shoqëria shqiptare kërkon prerazi dhe qartazi të ndahet përfundimisht nga mënyra e të menduarit dhe e të sjellurit të para 21 janarit.
Brenda zemrës dhe vetëdijes tonë ne e dimë se si e duam ta kemi Shqipërinë e pas 21 janarit. Por se ende nuk ndjehemi të sigurt. Kemi frikë se mos ajo që duam është vetëm një ëndërr. Druhemi nëse me hapat që po hedhim do ta kapërcejmë ylberin, apo në shtegtimin tonë bardhë e zi do mbetemi robër të vegimeve gri.
Kemi ende një betejë vendimtare për ëndrrën tonë të demokracisë sociale. Një betejë pa plumba, pa armiq, por që nevojit të gjithë dëshirën, vendosmërinë dhe konsekuencën: Betejën për demokraci pjesëmarrëse. Betejë që as nis e as mbaron mes opozitës dhe pushtetit, as mes oponencës dhe politikës, as mes “nesh” dhe “atyre”. Betejë që fillon mes meje dhe vetes time, mes teje dhe vetes tënde. Duke njohur dhe pranuar njeri tjetrin dhe nevojën që kemi për njeri tjetrin, duke kërkuar dhe gjetur mundësinë që të afrojmë njeri tjetrin dhe ti ofrohemi njeri tjetrit në përçapjet tona, pavarësisht mangësive që kemi secili.
Opozita dhe populli duhet pa vonesa të pakuptimta dhe pa hezitim të kërkojnë çiltazi mbështetjen dhe mirëkuptimin reciprok të bazuar në sinqeritetin për kërkesën dhe luftën jo për rrotacione partiake, por për ndryshim të mentaliteteve qeverisëse dhe garantim të pjesëmarrjes qytetare në qeverisje.
Militantizmi partiak duhet ta kuptojë dhe ta pranojë këtë realitet. Fundja edhe sepse sado të ndryshme ta realizojmë të nesërmen, pragmatizmi ka hapësirat e veta me ngarkesa pozitive.
Partia Socialiste ka hedhur hapa të rëndësishëm. Me Politikën e saj të Re dhe me programin e saj për një Rilindje Shqiptare. Veçanërisht me fushatën e gjerë në vjelje të mendimit të grupeve të interesit, të pakicave dhe deri individëve. Për një njohje të thellë të problemeve dhe pasqyrim të tyre në riformatimin e programit.
Konceptimi si projekt politik partiak është pa ngurrim mbresëlënës, thuajse perfekt. Sepse njerëzia nuk e kanë fort me qejf kur jua tregon rrugën e drejtë, gjithmonë nxirren yçkla e hidhen vickla, por ama shtrohen për bukuri në punë kur kanë mbi vetë përgjegjësinë e zgjedhjes vetë të rrugës dhe të kryerjes së punës.
Këtu edhe duhet synuar, që njerëzit të bëhen aktivë, të angazhohen, të marrin mbi vete përgjegjësinë. Dhe kjo mund të arrihet jo duke ua kërkuar njerëzve përgjegjësinë, por duke u ofruar dhe mundësuar atyre pjesëmarrjen në diskutimin e problemeve sot dhe trajtimin e problemeve nesër.
Por a mungon ende diçka, që ky projekt politik kaq i arrirë, të funksionojë dhe japë rendiment në praktikë brenda kohës relative të mbetur ? Ndoshta po. Ndoshta edhe jo. E gjithë ajo frymë pozitiviste dhe mobilizuese e projektit nuk ka vlerën e plotë, nëse nuk i përcillet njerëzve me mekanizmat e duhur, me qartësinë dhe çiltërsinë e duhur. Pa harruar relativitetin e kohës.
E drejtë e pafituar, është e drejtë e humbur. Drejtësi e vonuar, është drejtësi e mohuar.
Jemi në vitin 2 pas 21 janarit.
Shumkush mendon se njerzit i acaroi Video e Ilir Metes. Por nuk ishte acaruese vdieo sesa mbrojtja e eger qe i bente Sali Berisha pa kaluar 24 ore. E percaktoi fatin e gjyqit qe do i hapej Ilirit brenda 4 minutash.
-Bllokmenet lehin por nuk kafshojne, provokoi. Kur e kafshoi populli me ate proteste gjigande, u hakmorr me vdekje si bllokqen i vjeter.
Per Fiqiri Xibrin qe deklaron,”nje e drejte e pa fituar eshte nje e drejte e humbur,ka humbur rendesin e shprese.Nje drejte e pa fituar eshte nje e drejte qe demaskon gjyqtare te korruptuar e te lidhur me krimin.Kurse nje drejtesi e vonuar eshte nje drejtesi e humbur,por dhe e ndeshkuar dhe kete e ka vertetuar koha ne shekuj.Askush te mos mendoje se do te sundoje me fuqin e pushtetit e te parase se krimit mbi drejtesine njerezore dhe Shtetin e se Drejtes,se mashtron veten familjen dhe shoket qe i shkojne pas,por kurre shoqerine,sikurse,Hitleri,Stalini,enveri,Milloshevic,karaxhic,arkan,e mlladic me shoke qe i pasuan pas nga Sadami,gadafi etj.Apo saliu me fatosin e ilirin me shoke qe nen mburojen e ombrelles demagogjike te Rames vazhdojne me dajllezite e mashtrimet e radhes gabohen,fundi i tyre tashme dihet,eshte i njete me udheheqesit e tyre shpirteror si milloshevic,karaxhic,arkoni e sadami,gadafi me shoke.E drejta vonon,por kurre nuk harron te ndeshkoje krimin.Besoni e binduni.
Bukur. Viti 2 pas 21 janarit.
Shkrimi i bukur, idete shume te mira por kam frike se demi qe ka bere Saliu nuk mund te ndreqet ne ate menyre. Kam frike se vetem nje revolucin demokratik mund ta rregulloje. Ashtu sic u be ne 92-in qe u fillua nga O ashtu duhet te behet edhe pas Saliut, te pakten drejtesia duhet te filloje nga O dhe per gjithe te implikuarit gjer tani, te gjendet menyra qe te pergjigjen penalisht dhe pasuria e tyre te konsiderohet se eshte vene ne menyre kriminale.
Z. Fiqiri Xibri!
Ju uroj për këtë shkrim me këndvështrim të veçantë dhe origjinal.
Do dëshëroja që: shkrime të tjera të kësaj natyre që; pak kush mundet me i shkrue, të jenë ma të shpeshtë në të ardhmen në shtypin opozitar.
XHEMA !
JEMI NE VITIN E DYTE pas 21 JANARIT,por vetem pritje dhe asgje nuk e lekund Gjykaten as vrasjet per te bere detyren.Nuk duhet pritur te vije dita e votimit ,mafia eshte kaparosur mire por duhej ti kishim dale ne mbrojtje me vepra dhe jo me fjale DRITAN PRIFTIT.Drejtesia e munguar e vjedhjeve,te para te dyta e videos… epo çduhet te presesh,protestat duhen papushim ,por fukarai ska as fuqi te ngrihet kaq jemi katandisur ndaj ja marrin copen nga dora mafiozet.