A duhet besuar Genc Pollo kur flet për para?

7 Shkurt 2012, 11:30Blog TEMA

Nga Lorenc Vangjeli*

Ka teori të tëra, herë shkencore, herë praktike, here pjesë të legjendave urbane, që pretendojnë se bota ngrihet dhe mbahet në këmbë në kultin e trekëndëshit. Për shembull, thonë se kulmet e tij janë pushteti, seksi dhe vdekja. Thonë se të tre këta kulme, ekzistojnë drejt një përmase tjetër që janë paratë. Thonë edhe se paratë janë shpikur herë si shkak dhe herë si pasojë e kombinimit mes pushtetit, seksit dhe vdekjes. Thonë se në politikën që prodhon pushtet, në pushtetin e seksit dhe në seksin që provohet vetëm njëherë në jetë, atëherë kur kapërcehet në vdekje, burri dallohet nga marrëdhënia që krijon me paratë. Të cilat mund të blejnë edhe pushtet, edhe seks, por nuk kanë pushtet të pafundëm ndaj vdekjes. për të mos ju ndarë trekëndëshit, pushteti është piramidë, seksi ka qenë dhe do të jetë trekëndësh, vdekja edhe arkivolin e sotëm, edhe piramidën e djeshme ku e ndrynin, sërish trekëndëshe është. Paratë, në mos janë kulmi i katërt i trekëndëshit, brenda tij ndodhen patjetër.

Një nga burrat e politikës shqiptare, Genc Pollo, për t’u marrë si shembull, ka një marrëdhënie të ndërlikuar me trekëndëshin dhe kulmin e tij të katërt, paratë. Këtë javë, ministri i kabinetit të zotit Berisha, foli për Presidentin e Republikës, por kujtoi paratë që ka prodhuar institucioni i zotit Topi me emërimet në sistemin e drejtësisë. “Harta e çmimeve”, tha ministri Pollo. I dogëndisur në sedër, Presidenti ju përgjigj thatë: gënjeshtar! Dhe e ftoi që ose të provonte akuzat që bënte, ose të dorëhiqej. Dhe sërish, ministri as provoi akuzat dhe as u dorëhoq. Dilemën e publikut se çfarë do të zgjidhte mes alternativave që i afroi Presidenti, ai e shndërroi në trilemë. Gjeti një zgjidhje të mesme dhe ftoi Presidentin ta denonconte për shpifje për t’u takuar në gjykatë. Deri këtu, kjo është një supë shqiptare, e ngrohur, ftohur dhe servirur me dhjetra herë. Sprova intelektuale për të gjetur motivet e sulmit të ministrit ndaj Presidentit, nuk shkon përtej sforcimi mendor që kërkon lidhja e këpucëve. Dihet pse Pollo e bën një sulm të tillë. Kur gjithë turma e tij politike sulet me gurë në derën e Presidentit, nuk do të ishte e këshillueshme për Pollon që të mos hidhte edhe ai gurin e tij. Me gjasë, me shumë gjasë, hodhi atë të duhurin. Problemi nis të ngatërrohet gjetkë. Fjala vjen, tek marrëdhëniet e zotit Pollo me paratë. Pak më shumë se një dekadë më parë, kur Pollo urrente njeriun që do sot, i cili donte atëherë atë që urren sot (sërish trekëndëshi, e pamundur të shmanget trekëndëshi), Pollo tha se Berisha kishte dërguar miliarda në SHBA, se një person i tij i afërt ndërtonte në New Jersey, se një tjetër i afërm i tij kishte fituar para të pista nga skemat piramidale, se kishte grabitur, madje, edhe paratë e televizionit ATN1. Kushedi sa do të jetë mërzitur atëherë Topi, i cili kishte një marrëdhënie dashurie, nga ato të llojit që vendoset rëndom në Tiranën tonë ballkanike mes eprorit dhe vartësit. Por tani që Presidenti dhe Kryeministri urrehen reciprokisht, Pollo që dashuron Kryeministrin me llojin e marrëdhënies që krijon vartësi me eprorin në Tiranën tonë ballkanike, i turret me urra e brohori Topit: “Ky vjedh”. Dhe nuk përmend pushtetin, për shembull, por kujton sërish paratë. Kush i besoi herën e parë Pollos, duhet t’i besojë dhe këtë herë të dytë. Ndodh që në kohë të ndryshme, pohime të ndryshme të kenë të njëjtën vlerë të së vërtetës. Por këtu hyn sërish trekëndëshi. Nja tre muaj më parë, vetë Pollos i përmendën paratë. Në Kuvend. Me sfidë që përfshinte dhe sekretin bankar. E bëri Taulant Balla, që nga e enjtja është pa imunitet. Pollo vetë atëherë nuk e sfidoi Ballën që ose të provonte akuzën e tij, ose të jepte dorëheqjen. Dikush me siguri i kishte thënë se Balla dinte më shumë se çfarë kishte thënë. Për shembull, mund të dinte që simboli i trekëndëshit del edhe në kartëmonedhën një dollarëshe amerikane. Mbas portretit të Xhorxh Uashingtonit, në krah të majtë të betimit solemn: “In God We Trust”, që në shqipen e sotme përkthehet: “Ne besojmë tek paratë!” Puna është, a mund t’i besohet Pollos dhe familjes së tij politike? E nëse në këtë rast mund të ketë dilemë, tek Trekëndëshi profetik duhet besuar!

*Revista Java

16 komente në “A duhet besuar Genc Pollo kur flet për para?”

  1. Aqifi says:

    Shkrim i dobet dhe i ngaterruar kot se koti! Thuaj, mor burre, Pollo eshte hajdut dhe pa karakter dhe mos u ngaterro kot me sofizma, jo pushteti, jo seksi, jo vdekja…

    1. fule says:

      “Pollo tha se Berisha kishte dërguar miliarda në SHBA, se një person i tij i afërt ndërtonte në New Jersey, se një tjetër i afërm i tij kishte fituar para të pista nga skemat piramidale”

      Nuk e di per tani po heren e pare Pollua yne nuk i ka futur kot, i ka pase ditur nga brenda keto.

    2. dymi says:

      Ti qe nuk e pelqen kete shkrim, je tipi i njeriut, qe mjaftohet te kete mend vetem sa te arrije te lidhe kepucet e te afroje lugen tek goja. C’ te duhet me teper!

    3. dymi says:

      Ti si duket ke mend vetem sa per te lidhur kepucet e per te afruar lugen tek goja. C’te duhet me shume!

    4. bledi says:

      shkrimi eshte njish, me cope se kaq shko shif lajmet…

    5. artiles says:

      Shkrimi eshte si puna e seksit te gjate o Aqif! Po e fute drejt e brenda, pas 5 minutash hidhe fare se ste duhet me per nje 2 dite.
      Si thua ti ta mbaroje shkrimin me 2 rreshta zotnia??

    6. nerro says:

      E more Aqif, je ritur me terhana, ste ve faj qe nuk kupton dot ironine shume fine dhe mjeshterine e penes se vangjelit. Ti more shok don perallat e Andersenit, ato i kupton drejt dhe nuk te turbullojne koken

    7. Dasareti says:

      “Thoj mor burre,Pollo eshte hajdut dhe pa karakter”. Kini harruar te thuani se ai eshte edhe nje Grekofil……..!

  2. ilir says:

    italianet emrin Pollo do ta prononconin..Polo qe shqip sic e dini do te thote Pule, e cfare mund te presim nga nje pule e lagur

  3. AS says:

    Sofizma te panevojshem. A keni ndonje fakt zoti gazetar ? Ne vend qe te mbroni Topin apriori, kontrolloni ndonje te dhene ose beni nje interviste me Pollon. Ka te ngjare, bile ka shume te ngjare qe te gjitha ato qe thuhen te jene te verteta. Pra Pollo kishte te drejte me akuzat e 92. Pollo ka te drejte edhe sot. Pastaj edhe ju keni te drejte kur thoni qe Pollo mund te jete i shtyre per interesa personale e partiake. Fundja keshtu funksionon ketu ( ne Shqiperi ). Prandaj leri ato teorite e trekendeshit (te shpikur). Vetem nje katerkendesh ka ne boten e sotme ; katerkendeshi i kartmonedhes. Per Pollon, per Ramen, per Priftin, per kedo, per Ju.

    1. ela says:

      PAvaresisht se kush eshte Pollushja ne rastin konkret ka absolutisht te drejte. Topja nuk ve firme pa marre thesin per cdo emerim qe ai ben.

  4. hasani says:

    lorenco a ke qene ndonjehere ne Kine??? Ja paske fut kot pra

  5. Selami says:

    Po aman ç’gazetare te dobet jeni ,dhe kryeradhen mezi ju a lexojme.. Merni shembull nga Mero qe e lexojme me me nje fryme shkrimet e tije.

  6. hasi says:

    Gencit prej kohesh i kane thene Kuqo, por tashme ja kane vene me shume ne dukje e i thone ko..e.Nje intelektual funderine e sahanlepires i neveritshem.

  7. Dobet Vangjeli sot. Edhe pse eshte nje nga shkrimet e tij me te shkurtra, mu duk tmerrsisht i gjate dhe i koklavitur.

  8. TEFTA ALIKAJ says:

    Politikane te lodhur nga ngrenia pa mase e mishit dhe pa endrra te bukura per atdheun !

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje