Marketingu ministror i vikendit

1 Shkurt 2012, 19:18Blog TEMA
Marketingu ministror i vikendit

Nga Remzi Ejupi

U mjafton një vikend për t’u promovuar, atëherë kur s’kanë me çfarë të merren

Kosova dhe Shqipëria janë parë dhe shihen si diçka e përbashkët. Por jo rrallë e krijuar edhe si ndjenjë nacionalizimi nga shqiptarët e Kosovës ose siç në Tiranë u thonë-kosovarët.

Jemi pra gjithmonë ne, ata që me sy të kthyer nga Tirana dhe me patriotizëm patetik shohim të gjitha rrugët e mundshme që na shpijnë drejt sukseseve të përbashkëta. Raporti i kosovarit me shqiptarin e Shqipërisë është shumë më i afërt sesa e kundërta.

Ne jemi ata që thirremi në një komb të përbashkët derisa nga Shqipëria na përçohen sinjale se jemi larg tyre- në pothuajse të gjitha sferat jetësore. Ne jemi fshatarët e ata janë qytetarët; ne jemi të padijshmit e ata janë të emancipuarit; ne kemi mbetur mbrapa e ata kanë ecur shumë më përpara.

Është një detaj i vogël por për këtë shumë i rëndësishëm kur ata ndryshojnë qasjen ndaj nesh. Sa herë bëhet fjalë për Lekun që ne i themi Euro.

Kosova që nga mbarimi i luftës së vitit 1999 është burim i bërjes biznes të suksesshëm për shqiptarët e Shqipërisë. E ne jemi ata që në emër të patriotizmit kemi hapur dyert për shqiptarët e Shqipërisë duke mos diferencuar asnjëherë në: NE dhe ATA. Përderisa në Tiranë ndaj kosovarëve ka averzion, aq sa edhe një kiosk është zor ta hapin, ndaj të tjerëve si grekët, italianët e maqedonasit të gjitha dyert e dritaret janë të hapura.

Pra, Kosova në sektorë të shumtë ka treguar gatishmëri të ofrimit të komoditetit për biznesmenët e Shqipërisë, disa prej të cilëve gjenerojnë milionat siç janë; kompanitë e sigurimeve, bankat, lojërat e fatit dhe mediumet (elektronike). Qasja e tyre ndaj nesh ka dëshmuar qartë se Kosovën e shohin treg për ta marrë në dorë dhe jo për partneritet.

Janë disa çështje a aspekte kombëtare për të cilat kemi pritur se do mund të nisim rrugëtimin tonë të përbashkët derisa në vazhdimësi jemi injoruar nga Tirana.

Propozuam për një kombëtare të përbashkët, për të ecur përpara bashkërisht dhe papritmas u përqeshëm në mënyrë shumë degraduese nga Tirana duke e ditur fare mire se Kosova dhe tifozët e saj ishin ata që kthyen besueshmërinë e kombëtares. Të mos harrojmë se shumë futbollistë të Kosovës mbajnë fanellën e kombëtares duke dëshmuar kështu se sa të angazhuar jemi për të dërguar potenciale që t’i ndihmojmë futbollit shqiptar.

Ndërkohë s’kanë të ndalur promovimet politike qoftë edhe për një vikend, duke ardhur në Kosovë për të folur për integrime të përbashkëta- biseda këto hipotetike që më shumë i ngjajnë një protokolli diplomatik apo pozimeve ditore.

Një skenë të këtillë teatrale pamë pak ditë më parë kur në një vizitë erdhi ministri i Transportit të Shqipërisë, Sokol Olldashi. Ai premtoi për gjëra që s’ka autoritet t’i realizojë. Tha se do të kemi një hapësirë të përbashkët ajrore, se do të ulen taksat në aeroporte etj.etj.

Derisa realiteti qëndron ndryshe.

Shqipëria nuk ka autoritet të vendosë për asnjërën nga këto premtime për shkak se sikurse aeroporti i Tiranës ashtu edhe ai i Prishtinës janë dhënë me koncesion dhe tash janë nën menaxhimin e kompanive private. Në Tiranë për taksa vendos kompania gjermane “Hochtief” kurse në Prishinë “Limak”- dhe jo qeveritë e dy vendeve.

Ndërkohë që Autoriteti i Aviacionit Civil të Shqipërisë ka mbikëqyrësit italianë të deleguar nga Bashkimi Evropian për shkak të mosbesimit që Brukseli ka ndaj vendimeve dhe kapaciteteve vendore të Tiranës. Ministri nga Shqipëria foli edhe për bashkimin e dy hapësirave ajrore me të vetmin ekspert me vete Petrit Sylaj (Leshko), drejtor i Trafikut Ajror të Shqipërisë i cili duhet t’u japë llogari italianëve në vendin e tij.

Kompanitë ajrore nga Shqipëria na kanë dëshmuar në vazhdimësi për interesin e tyre për përfitime në Kosovë përderisa ne u kemi propozuar mbi 500 mijë euro si incentivë vetëm për t’ua lehtësuar udhëtimin pasagjerëve të dy vendeve, e cila doli të jetë edhe një mashtrim. Interesi i kompanive nga Shqipëria, të cilat as aeroplanë të tyre nuk kanë por i marrin me qera, ishte që të merrej tregu i Kosovës për të operuar në Evropë duke mashtruar udhëtarët me promovimin e linjës Prishtinë-Tiranë.

Deklaratat e ministrit Olldashi kësaj radhe ishin një mashtrim i nivelit diplomatik- për promovime politike. Po ta kishte seriozisht Shqipëria bashkimin e hapësirave ajrore do të angazhohej shumë më parë. E sot kur ka ardhur koha që të vendoset se kush do ta marrë nën kontroll hapësirën ajrore të Kosovës, derisa KFOR-i do ta dorëzojë shumë shpejt këtë përgjegjësi, hapësira ajrore e Kosovës rrezikon të bjerë në duart të ndonjë vendi të largët siç është Hungaria…

Është ky imazhi i keq që përcjell politikëbërja e lidhur me grupe të caktuara të biznesit në Tiranë pasojat e të cilave i bartim edhe ne si Kosovë me një skenë politiko-biznesore poashtu denigruese. Në kohën kur më shumë se kurrë na duhet ecja e përbashkët në shtegun e integrimeve europiane në sektorët më të rëndësishëm të të dyja shteteve ne injorohemi nga Tirana e cila në raport me neve mund të jetë në avantazh por në krahasim me vendet e rajonit i mbetet edhe shumë për të bërë. E në fund të fundit në sy të Evropës kur flitet për të keq- jemi të gjithë shqiptarët ata që futemi në një thes, pa u bërë dallimi Kosovë apo Shqipëri.

Ky ishte vetëm një vikend edhe i një Ministri nga Tirana në Kosovë për të hedhur hi syve. Deklaratat e politikanëve nga Shqipëria që mbushën me shpresë kosovarët e që për qëllim kishin marketingun e tyre personal dhe kuptohet politik.

11 komente në “Marketingu ministror i vikendit”

  1. Kosovarja says:

    o bre ku ku nana ime kush paska shkru….

  2. zamir says:

    tema dhe teksti me vend… pergezime per autorin.

  3. zefi says:

    Gjithcka eshte e VERTETE:Sali Berisha nuk punon per shqiptaret,por kunder tyre!!!Tani,qe po e ndjeni me mire(a nuk ju mjaftuan mijra te vrare nga tanket serbe,qe u furnizuan me nafte nga Berisha),po e vini gishtin ne plage!!!Kemi 21 vjet,qe po ULURASIM,se Sali Berisha eshte ARMIKU ME I MADH I SHQIPTAREVE,ndersa ju kosovaret e prisni si HERO!!!E mbeshtesni se ai eshte si ju:MALESOR,ndersa PS-ja eshte greke e anti shqiptare!!!KJO ESHTE PERCARJA,QE JU KENI MBESHTETUR!!!ME KEQ DO BEHET SA TE JETE GJALLE BARBARI SALI BERISHA,AGJENTI I ZI I UDB-se!!!

  4. Drini says:

    Eshte plotesisht e drejte qe ne i shohim kosovaret si patriota fallco dhe fshatare te pagdhendur. Po ka arsye per kete. E para na sjellin nje gjuhe qe me shume na largon (nuk kemi faj qe kan patur arsim gjysmak) sa per ate qe na hapin dyert , me duket je plotesisht gabim. Ishim ne ata qe ju hapem dyert kosovareve. Ne nje kohe qe qeverria skishte as me te voglen mundesi dhe ishin prishtinasit qe nuk ju hapen dyert fshatareve kosovar. Se cben bisnesi eshte tjeter pune, aksesin me te madh e kane serbet(armiku tradicional) pastaj te fundit vijne bisnesmenet shqiptar.
    Me duket se ja ke futur ne tym o shkrimtar.
    Pershendetje.

    1. Lea says:

      Drini per sa i perket gjuhes e ke gabim.Ato flasin me dialekt .Nuk ka te bej me kosovare apo shqiptare te shqiperis mirpo me krahina.Dialekta ka ne cdo gjuhe te botes

    2. Andi Ballshi says:

      Citim nga Drini: Ishim ne ata qe ju hapem dyert kosovareve.

      Kjo eshte nje e vertete e pamohueshme, por, megjithate, une jam tejet, tejet i habitur dhe shuem i zhgenjyer sa qe nuk po mundem t’u besoj syve kete se ç’jame duke lexuar nge nje vella…
      Dduhet ta dishe nje gje, se edhe ne kosovaret (k[t[ nuk mund ta pranoj si komb, por si termin vendasi ashtu si: tetovar, ulqinak, drenicak, llapjan, gjakovar etj etj) gjithmone i kemi pasur dhe deri sa te bashkohemi ne nje shtet te enderruar nga rilindasit – nga profete tane… E sa i perket gjuhes se shkruar, lexo bre burre: Anton Pashkun, Ali Podremen, Zejnullah Rrahmanin e shume e shume krijues te tjere, dhe na trego se me çka mund te dallshe nga gjuha e shkrimtarit te madh, qe besoj se se shpejti do te jet nobelisti Kadere…

  5. kirurg says:

    Ka shume dhimbje ne kete shkrim, ka zhgenjim dhe dhimbje te thelle. Nuk kishim ndonje shprese me te mire nga qeveritaret tane, por kujdes, te keqen me te madhe e keni nga qeveritaret tuaj, ata fitojne pjesen e tyre nga keto pislliqe, duhet ta dini.

  6. brazili says:

    Bo bo,Leshko drejtori i Anta-s ne Tirane,me 4 klase shkolle,(tani me duket ka edhe 2-3 mastera)bixhozxhi i vjeter (me zara) gjithmone humbte,super injorant,kete kur e sheh ta jep ndjesine qe eshte injoranto idiot, ne qofte se ka lexuar vetem gjysem libri,ka te drejte te emrohet kryeminister.He Shqipeni si perfundove,ne dore te Leshkove.

  7. Ulqinaku says:

    Durrësin e keni pushtuar plotësisht! Tani jeni rrugës për në bregun jugor!

  8. Andi Ballshi says:

    Një artikull mjaft domethënës, qe vërtet ia vlen te lexohet,dhe te komentohet, me plote te vërteta por edhe gjysme te vërteta.
    Është një e vërtetë e pamohueshme, që thuhet Nëna është gjithmonë e gatshme të viktimizohet për fëmijën, gjë që, sa i përket Nënës Shqipëri për bijtë e saj si në Kosovë, e gjithë trojet tjera shqiptare, fatkeqësish, nuk ka qenë gjithmonë kështu. Natyrisht duhet të merren parasysh edhe rrethanat. Gjithë trojet shqiptare – shqiptarët kanë qenë mu si një qengj në mesin e llavës së ujqërve të uritur, a ka shans të shpëtojë, por ndodhi mrekullia e Zotit, por ishte edhe fati ynë, që fqinjët tanë, bashkë me pushtuesit qe erdhën për tua sjellë shqiptarëve fjalën e Zotit, nga pangopësia e paparë, NUK MUNDESHIN TË MIRRESHIN VESH PËR NDARJEN E TROJEVE SHQIPTARE.
    z. Remziu, ashtu si dhe autori i këtij komenti, i takojnë një brezi, që nga dashuria e madhe për Nënën Shqipëri, vetëm e vetëm të ndier erën dhe për të parë ferrat e Nënës, nga Podjva gjer në Dibër të Madhe, kanë UDHËTUAR rreth 700 km.
    Andaj, edhe pse nuk mundem të pajtohem me disa konstatime, e shohë jo vetëm të arsyeshëm reagimin e tij, por edhe tejet të qëlluar.
    Me pershendetje nga Andi Ballshi

  9. Lea says:

    Z.Remzi une e kuptoj shume mire mllefosjen tuaj ,mirpo per mendimin tim ky shkrim eshte shume gjithperfshires .Dua te bej nje analiz te vogel ne lidhje me ate qe keni shkruar ne fillim per krahasimet qe bejm midis shqiptareve te shqiperis edhe ato te kosoves .Ne shume mire mund ta analizojm ne rang gjithkombater mentalitetin e prapanbetur shqiptare per te bere karahasime te tilla si psh Tiranc eshte njeri i emancipuar ndersa dikush qe vjen nga veriu i shqiperis eshte ´´Malok ´´.Prishtinalit apo gjakovaret jan ´´qytetare´´ ndersa drenicakt etj jan ´´katunar´´ .Mund te shkruaj akoma me gjate per keto krahasime qe bejn disa individ midis “katunarve “te kosoves apo ´´Rrebelave ´´ te shqiperis.Mirpo keto INDIVID nuk jan PROBLEMI .Percarjen e shqiptarve e ben politika edhe parja .E jo vetem sot por shekuj me radh.E ne kete pike mund te them qe te gjith shqiptaret jemi te prapambetur .Sepse e pranojm kete .Te na percajn e te na hedhin hi syve .Nje rast konkret ka te bej me iden tuaj per te pasur nje lig te perbashket .E pse jo ,te jemi realist kjo ide duhet te ishte bere ralitet shume kohe me pare .Kush i mbush stadjumet kur luan kombtrarja shqiptare ??? Kush eshte kapiteni i kombtares ???Kush jan nder me te miret ne kombtaren tone ??? E ato jan Shqiptaret e kosoves .Por ja qe kjo si interson ketyre gjakpirsave tone .Sepse me intersant i duket ta kthejn kampionatin tone ne nje fabrik parash duke mashtrruar dhe rrjepur popullin shqiptare .Duke ja shitur ndeshjet serbve e duke ja mbushur xhepat edhe grekve .E ne lidhje me percarjen qe i ben politika e sotme shqiptareve mund ta permbledh vetem me nje emer.Ai eshte Sali Berisha .E cka me cudit ke shqiptaret e kosoves eshte dashuria qe kan per kete shovinist serb.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje