Situata e rënduar si pasojë e reshjeve të mëdha të borës ka bërë që një delegacion qeveritar i prirë nga kryeministri Thaçi të qëndrojë të hënën në Gjakovë. I shoqëruar nga zëvendësit e tij Kuçi e Kusari – Lila dhe nga ministrat Çeku, Rexhepi e Beqaj, kryeministri Thaçi është pritur nga kryetari i Gjakovës, Pal Lekaj, nga i cili është informuar në detaje për situatën aktuale në komunën e Gjakovës.
Lekaj e ka njoftuar kryeministrin se situata aktualisht është nën kontroll të plotë të autoriteteve komunale, ndërsa e ka falënderuar edhe qeverinë për gatishmërinë dhe ndihmën e ofruar.
“Gjendja ka qenë e rënduar, sidomos në disa zona më të thella, ku kemi pasur fshatra të bllokuar, por tashmë gjithçka është stabilizuar dhe atje po dërgohen edhe ndihma të ndryshme, të cilat janë siguruar nga komuna dhe nga një fond prej 50 mijë eurosh që e ka ndarë Qeveria e Kosovës, konkretisht Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. Ajo që është me rëndësi është se deri më tani nuk kemi pasur humbje në njerëz dhe nuk kemi pasur ndërprerje të furnizimit me ujë dhe energji elektrike”, ka thënë Lekaj, i cili ka apeluar te qeveria që të vazhdojë të jetë afër qytetarëve, sidomos me ndihmë financiare.
Nga ana tjetër, kryeministri Thaçi, duke e garantuar prezencën dhe ndihmën e qeverisë në këtë kohë të vështirë, ka thënë se institucionet e vendit në bashkëpunim edhe me KFOR-in, FSK-në, Policinë dhe të tjera segmente relevante, janë të gatshme t’u dalin në ndihmë qytetarëve në çfarëdo situate eventuale në ditët e ardhshme.
“Dje isha në Restelicë, ndërsa sot po e vizitoj Gjakovën, Junikun, Deçanin e Pejën, pra rajonin e Dukagjinit, rajon që ka qenë më i rënduar nga ky mot i ligë. Ne do të jemi pranë qytetarëve, në shërbim të qytetarëve, në çdo cep të Republikës së Kosovës”, ka përfunduar Thaçi, i cili ka vazhduar vizitën edhe në komunën e Pejës ku është takuar me kryetarin Ali Berisha.
“Qeveria do të jetë me të gjitha kapacitetet e saj pranë autoriteteve komunale me të gjitha mundësitë dhe potencialet që ka”, ka thënë kryeministri Thaçi.
Megjithatë gjatë ditëve të kaluara qytetarët e Pejës dhe drejtorët komunalë janë ankuar se kapacitetet e Qeverisë përfshirë kompanitë e pastrimit të angazhuara nga ministria, policia dhe FSK, nuk kanë qenë në nivel të detyrës gjatë emergjencës së kësaj fundjave.
Ndërsa ministrat që shoqëronin Thaçin, Bajram Rexhepi, Mimoza Kusari, Besim Beqaj dhe Agim Çeku janë larguar para se të fillojë konferenca, kryeministri nuk është përgjigjur në pyetjen se pse rrugët rajonale që mban ministria, si rruga për Rugovë, rruga për Kullë dhe ajo e Lugut të Baranit janë të bllokuara./ZERI