Av. Agim I. Tartari
Më vjen shumë mirë të konstatoj se kohët e fundit ka lindur një interesim i përgjithshëm për përdorimin e një gjuhe shqipe sa më të bukur dhe sidomos të saktë, siç provohet nga shkrimet e Ardian Klosit (“Nga pasuria në varfërim strukturor), Ardian Vehbiut (“Pastrim apo pasurim”) dhe së fundi të Ilir Yzeirit (“Mbi gjuhën, ligjërimin dhe gjuhësinë), por nga ana tjetër më vjen shumë keq të konstatoj se në fushën e së drejtës gjuha por shpërfillet në mënyrën më të turpshme.
Duke mos përsëritur sa kam shkruar 16 vjet më parë (“Dy fjalë për terminologjinë e së drejtës” botuar te “Tribuna Juridike” nr. 2/1996), ajo që më vret më shumë veshin dhe syrin sot është përdorimi i termit “hipotekim”, të cilin sot e hasim në të gjitha gazetat në një kuptim kryekëput të gabuar. Dhe e keqja është se mosnjohja e kuptimit të termit “hipotekë – hipotekim” nuk është prerogativë vetëm e lexuesit të thjeshtë apo gazetarëve, por edhe e juristëve. Kështu p.sh. në gazetën “Panorama” të 28 janarit 2012 lexoj se “Basha me Biznes-Albania: të gjitha pallatet me leje do hipotekohen” dhe në fq. 7 “shpjegohet” se “një ndër pikat që u lakua shpesh gjatë takimit të djeshëm …ishte ajo e hipotekimit të pallateve. Kreu i Shoqatës së Ndërtuesve … shprehu mirënjohjen për nismën që është ndërmarrë për të hipotekuar pallatet e reja…” etj. Nga ana e tij, Kryetari i Bashkisë (i cili ka mbaruar për drejtësi në një nga universitetet më në zë të Evropës) sipas gazetës paska deklaruar se “Bashkia do të punojë që kjo të përfundojë sa më parë dhe asnjë objekt me leje nga Bashkia e Tiranës nuk do të mbetet pa u hipotekuar…etj.” (nënvizimet janë të mijat).
Nuk ishte hera e parë që konstatoja që termi “hipotekim” përdorej për “regjistrim” (shih p.sh. artikullin “Familja Konomi: Mafia po na bllokon hipotekën e pronave – “Panorama, 23 nëntor 2011, fq. 14, etj.). Në këtë kuptim “hipoteka” haset në të gjitha gazetat sepse, fatkeqësisht, ka fituar të drejtën e një farë përdorimi si një term “zyrtar”, në vend të termit “regjistrim”. Po në fakt, është më e drejtë të përdoret termi “hipotekim” apo “regjistrim”?
Termin hipotekim e hasim qysh në Kodin Civil të vitit 1929 si “një e drejtë reale e vume mbi një send të debitorit ose të një të treti në dobië të nji kreditori, për të sigurue me ‘tê përmbushjen e një obligimi” (neni 1896). Në Ligjin mbi Veprimet Juridike dhe Detyrimet i vitit 1956 (nr. 2359) përcaktohej se hipoteka “vihet në bazë të kontratës ose të ligjës dhe me regjistrimin e saj”, se vihej mbi një send të paluajtshëm të përcaktuar “për një shumë të caktuar të hollash” (neni 151), kurse në Kodin Civil në fuqi përkufizohet si “një e drejtë që vihet mbi pasurinë e debitorit ose të një të treti , për të siguruar përmbushjen e një detyrimi” (neni 560).
Duke pasur parasysh sa sipër, del shumë qartë se kur një pronë hipotekohet, ajo ngarkohet me një barrë. Ky ka qenë kuptimi i djeshëm i termit “hipotekë” dhe, juridikisht, edhe sot ky kuptim nuk ka ndryshuar. Në rast se vlera e sendit të paluajtshëm që hipotekohet është e mjaftueshme për shlyerjen e detyrimit, mbi të njëjtin send të paluajtshëm mund të vihen edhe disa hipoteka. Pra, prona mund të hipotekohet edhe disa herë.
Zakonisht hipoteka bazohet në një marrëveshje midis debitorit apo të tretit që pranon të ngarkojë pronën e vet me hipotekën në favor të kreditorit. Kjo marrëveshje duhet të pasqyrohet nga një akt noterial dhe nuk parashihet të bëhet në ndonjë formë tjetër. Por hipoteka mund të jetë edhe ligjore (p.sh. në rastin që blerësi nuk e paguan, tërësisht apo pjesërisht, çmimin e shitjes). Në këtë rast, shitësi i pronës së paluajtshme (kreditori) gëzon një hipotekë ligjore derisa të arkëtojë tërësisht çmimin e shitjes. Këtë të drejtë e ka secili bashkëtrashëgimtar deri sa të marrë tërësisht pjesën që i përket, ose edhe bashkëpronarët apo ortakët e shoqërive ekonomike për pjesët e tyre përkatëse deri sa të bëhet plotësimi i tyre.
Kur me një vendim gjyqësor, apo të arbitrazhit, që ka marrë formë të prerë, është vendosur pagimi i një shume të dhënë nga një person (fizik apo juridik) i caktuar; kreditori fiton një titull që mund të shërbejë për regjistrimin e një hipoteke mbi pasurinë e debitorit (hipoteka gjyqësore).
Duke pasur parasysh sa sipër, kur në ZRPP bëhet regjistrimi i një akti, me të cilin bëhet transferimi i të drejtave reale (siç është e drejta e pronësisë) nga një subjekt tek një tjetër (p.sh. një shitje), thuhet se bëhet transkriptimi i aktit, kurse ku akti i referohet vënies së një barre mbi sendin e paluajtshëm për të garantuar një kredi të një të treti, thuhet se bëhet inskriptimi i tij.
Jam i mendimit se përdorimi i një gjuhe të saktë, sidomos në fushën e së drejtës, jo vetëm do të pakësonte mundësinë që të konsiderohemi të paditur (siç provon p.sh. përdorimi ende i fjalës “tapi”), aq sa të mos bëjmë dot dallimin midis një detyrimi dhe një të drejte, por mbi të gjitha do të shmangte edhe shumë keqkuptime. Nuk gjej asnjë arsye, as logjike dhe as gjuhësore, përse regjistrimi i një prone të paluajtshme në emër të dikujt të quhet hipotekim kur në fakt nuk ligjërisht nuk është i tillë. Prandaj, mendoj se botimi i shënimeve të shkurtra të sipërme do të ndikojë që një ditë, edhe biznesmenët dhe nëpunësit civilë, të mund të shprehen saktë.
Të saktë apo te sakt?!!!
Gjuhëtari!
Saktë dhe jo sakt.
“Saktë”.
“ë” – nuk shqiptohet por tregon qe zanorja e rrokjes perpara saj eshte e zgjatur.
Ne fjalet p.sh. Mjekësisë, “ë” ne mes te fjales edhe mund te mos shkruhet dmth. “Mjeksisë”.
Sa çudi se edhe kur komentohet një artikull për gjuhën shqipe nuk përdoren shkronjat shqipe nga komentuesit e saj.
Kërko me makinë të kërkimit (psh. Google) fjalët: “instalimi i tastierës në gjuhën shqipe” dhe mëso se si bëhet instalimi për dy minuta, ose thjeshtë përdor Alt+137 për “ë” dhe Alt+135 për “ç”.