Vetë fotografia përmban një rrëfim në vete. Është bërë spontanisht në njërin ndër kulmet e banesave në lagjen “Ulpiana”, fiks gjashtë vjet më parë. Atëkohë autorja nuk kishte pasur plane. Tek në fund të muajit shkurt, Blerta Zabërgja ka marrë guximin që fotografinë e saj ta dërgojë në adresë të “National Geographic”. Fotografia e saj, shkruan sot “Koha Ditore”, është përzgjedhur nga redaktorët e revistës së famshme nga miliona fotografi të postuara dhe po garon me 35 tjera në “Your Shot”. Si shpërblim, fotografia do të publikohet në numrin e ardhshëm të revistës prestigjioze. E gjitha varet nga votimet që po bëhen përmes internetit. Deri të enjten vonë, ajo ishte ndër fotografitë më të votuara në ueb-faqen e revistës.