Menaxheri i Zlatan Ibrahimoviç, Mino Raiola, ka hedhur poshtë ashpërsisht lajmin e shfaqur sot në gazetën italiane “Corriere dello Sport” mbi kalimin e suedezit në radhët e Real Madrid në verë.
Sipas këtij shkrimi, lojtari priste me padurim fundin e sezonit për t’u ribashkuar me Zhoze Murinjon, pasi kishte patur një zënkë me trajnerin e Milanit, Masimiliano Alegri pas humbjes 3-0 me Arsenalin.
Por i telefonuar nga revista italiane “Panorama”, Raiola ka shpërthyer kundër gazetarëve. “Më lini rehat me këto budallallëqe. Unë nuk jam një menaxher thashethemesh! Unë jam një person serioz”, ishin fjalët e tij duke lënë të kuptohet që nuk kishte asgjë të vërtetë në atë që ishte publikuar në gazetën italiane.
Mediat italiane raportuan një ditë më parë se futbollisti kishte kritikuar ashpër vendimin e Alegrit për të luajtur me tre sulmues, duke e vënë atë në një pozicion jo të favorshëm në fushë përballë Arsenalit.
Në artikullin e “Corriere dello Sport” shkruhej gjithashtu se sulmuesi dhe trajneri kishin evituar plotësisht njëri-tjetrin gjatë stërvitjes së ditës së enjte.