UEFA ka lëshuar një lumë akuzash kundër Ukrainës për shkak të abuzimeve rekord me çmimet gjatë Euro 2012. Alarmi është lëshuar nga vetë shefi ekzekutiv i organizimit të aktiviteteve në UEFA, Devid Tejlor, i cili ka paralajmëruar se aktiviteti rrezikonte të zhvillohej me një numër shumë të vogël tifozësh për shkak të çmimeve skandaloze të hoteleve dhe ambienteve të tjera për akomodim në qytetet ukrainase.
“Ndeshja Francë-Angli në vitin 2004 kishte biletat më të kërkuara të turneut, ndërsa tani asnjë nga Federatat respektive nuk ka marrë në dorëzim biletat pasi nuk ka kërkesë”, shpjegoi ai.
Sipas mediave që kanë bërë survejime në Donjetsk, qytetin ku do të luhet ndeshja e 11 qershorit, një dhomë hoteli kushton 500 paund për natën e ndeshjes, ndërsa qëndrimi në një hotel me 1 yll që gjendet 40 kilometra larg qytetit kushton deri në 240 paund.
Çmimet në Ukrainë janë trefish më të larta se ato në Poloni edhe normalisht, por abuzimet kanë arritur përmasa të frikshme për shkak të Euro 2012. Për këtë arsye UEFA ka vendosur në faqen e saj të internetit një listë me hotele ku çmimet janë më të pranueshme, por mendon se këto hotele do të jenë të mbushur shumë shpejt dhe qeveria ukrainase duket të marrë masa për ndalimin e abuzimeve me tifozët që duan të ndjekin ndeshjet.
“Autoritetet vendase duhet të ndërhyjnë te hotelet pasi ky është një shans real që të përfitojnë nga turizmi në të ardhmen. Ky është një vend mjaft i bukur dhe njerëzit duhen nxitur që të kthehen përsëri, por me këto kushte është e pamundur”, deklaroi Tejlor.