Qeveria e Kosovës me vetëdije vazhdon t’i financojë strukturat paralele serbe në veri të Mitrovicës, duke ndarë miliona euro për administratën e UNMIK-ut që gjendet në atë pjesë të qytetit të ndarë të Kosovës.
Qysh në shtator të vitit 2010, Zyra për Koordinim të Zbatimit të Strategjisë për veriun e Kosovës, e udhëhequr nga Ylber Hysa, përmes një raporti e ka njoftuar në detaje Qeverinë se 80% e stafit të UAM-it është e angazhuar në strukturat paralele, të cilat paraqiten si pengesë kryesore në shtrirjen e rendit kushtetues në veri të vendit.
Pavarësisht nga kjo, Qeveria ka vazhduar t’i ndajë UAM-it mjete financiare edhe gjatë vitit 2011 dhe 2012, dhe madje në vlerë prej rreth 4 milionë eurosh për vit.
Burimet ndërkombëtare një ditë më herët kanë bërë të ditur se Qeveria e Kosovës në koordinim me Zyrën Civile Ndërkombëtare dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishte planifikuar që më 7 mars 2012 të merrte vendim për ndërprerjen e këtyre financave, mirëpo më pas është lënë që ky vendim të merret me një datë tjetër. Në Qeveri nuk kanë dhënë ndonjë shpjegim pse ka vazhduar financimi i UAM-it në vitet e fundit, me gjithë faktin se ekzekutivi është në dijeni se kush janë shfrytëzuesit e atyre mjeteve./KD