Besart Berisha po shkon drejt konfirmimit si golashënuesi më i mirë i kampionatit australian të futbollit, pasi vijon serinë e golave për skuadrën e Brisbein. Sulmuesi shqiptar ka gjetur golin e 18 të në kampionat, në barazimin 1-1 të Brisbein ndaj Adelaide.
Në ndeshjen që u shfaq më e vështirë se mendohej për skuadrën e Brisbein, miqtë shënuan të parët më anë të Ramsei në minutën e 25-të, duke shtangur tifozë e skuadrës vendase që synon të përsëritë fitoren e titullit kampion në këtë sezon.
Berisha është shfaqur në një formë mjaft të mirë gjatë gjithë ndeshjes dhe pas disa tentativave, në minutën e 70-të ka arritur të vendosë baraspeshën në shifra. Pavarësisht insistimit të Brisbein, rezultati nuk ndryshoi dhe ndeshja përfundoi 1-1, duke i mundësuar Brisbein të mbronte vendin e dytë në renditje.
Berisha e ka të sigurt fitoren e trofeut të golashënuesit më të mirë për këtë sezon, pasi me 18 golat e tij është i paarritshëm nga ndjekësit.
Por sulmuesi shqiptar ka mundësinë të rishkruajë historinë e futbollit australian dhe ka dy ndeshje në dispozicion për të arritur shifrën e 20 golave, që të thyejë rekordin e rrjetave të tundura në një sezon në Australi, të vendosur nga Shein Smeltz vetëm dy vite më parë./lajmeshqip
GERT MYLER SHQIPETAR BRAVO!