Ramon Kalderon nuk kursehet sa herë që flet për Realin e Madridit, një skuadër që sipas tij ka humbur imazhin fisnik falë bëmave të Florentino Perez dhe Zhoze Murinjos. “Himni jonë thotë se kur Madridi humbet i shtrëngon dorën kundërshtarëve, nuk i fut gishtin në sy”, ishte batuta e tij rreth trajnerit portugez në një intervistë të dhënë për gazetën “Quality Sport”.
“Dominimi tradicional i Realit është përkeqësuar. Detaji më i frikshëm është se tashmë klubi përfaqësohet me moton ‘Murinjo, gishti yt na tregon rrugën’. Guardiola është paraqitur shumë më mirë se Murinjo. Të ankohesh për gjyqtarët, dëmtimet apo fatin e keq nuk është diçka që duhet të ndodhë te një skuadër e madhe”, vijoi ai.
Më pas, ai është përqendruar tërësisht te presidenti aktual i Real Madrid, Florentino Perez, duke e thumbuar ashpër. “Ai nuk pranon çfarë trashëgon në skuadër dhe trashëgiminë e klubit, i pëlqen vetëm çfarë blen vetë. Ai më largoi mua, Raul, Del Boske dhe ndoshta së shpejti edhe Kazijas. Kristiano Ronaldon nuk arriti ta largonte pasi nuk mundi”, ishte deklarata tronditëse e Kalderon i cili la të nënkuptohet se nga kjo skuadër shumë shpejt mund të ketë largime të bujshme./lajmeshqip