Balak sulmon Lëv dhe Lahm

13 Mars 2012, 12:27Sport TEMA

Ish-kapiteni i Gjermanisë, Mikael Balak, ka treguar se mban ende mëri ndaj trajnerit të përfaqësueses, Joakim Lëv dhe kapitenit aktual, Filip Lahm, për mënyrën se si e kishin trajtuar atë gjatë Kupës së Botës 2010. Mesfushori luajti ndeshjen e tij të 98-të dhe të fundit për Gjermaninë në marsin e vitit 2010, para se një dëmtim i marrë duke luajtur për Çelsin në maj i hoqi mundësinë të merrte pjesë në Kupën e Botës.

Gjatë mungesës së tij, Gjermania doli e treta në Botëror ndërsa kapiten i kësaj skuadre u caktua futbollisti i Bajernit, Filip Lahm. Por Balak tregon se gjithçka i kishte lënë një shije të keqe, pasi vendimet ishin marrë pas një vizite të tij në kampin stërvitor të Gjermanisë.

“Doja të qëndroja atje në vitin 2010, por në ditën që u largova nga grumbullimi, doli një intervistë e Filip Lahm ku thoshte se donte të bëhej kapiten i përhershëm i kombëtares. Ai është një djalë inteligjent dhe nuk besoj se e ka bërë një hap të tillë pa folur më parë me trajnerin dhe marrë miratimin e tij. Unë kam qenë kapiten më parë dhe e di se si duhet të sillesh në grup, por pastaj shiritin e mori Filip dhe gjithçka u bë e çuditshme për mua”, tregoi Balak i cili vendosi në atë periudhë të mos kthehej më në grumbullim në Afrikën e Jugut.

Ai është i bindur se gjithçka është gatuar nga Joakim Lëv, i cili në asnjë moment nuk ka qenë i qartë me futbollistin gjerman. “Nuk ka të bëjë me krenarinë. Nëse i vendos të gjitha letrat mbi tavolinë, unë do të isha personi i parë që do të ndihmoja për të gjetur një zgjidhje. Por kanë ndodhur shumë gjëra të cilat nuk ishin korrekte”.

I lajmëruar vitin e kaluar se nuk do të grumbullohej më në kombëtare, Balak refuzoi ndeshjen e lamtumirës të planifikuar nga Federata Gjermane e Futbollit në gushtin e vitit 2011, në një takim mes Gjermanisë dhe Brazilit. “Vendimi im ishte logjik, pasi kisha kaluar 11 muaj radhazi pa ditur se ku qëndroja. Duhet ta kuptoni reagimin tim, pasi erdhi pas shumë sjelljeve jokorrekte”, ishte komenti i futbollistit për këtë ngjarje. /lajmeshqip

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje