Klubi i Korinthians ka lajmëruar nëpërmjet faqes zyrtare të internetit se ka ndërprerë marrëdhëniet me sulmuesin Adriano. Kontrata e futbollistit 30-vjeçar me klubin përfundonte në qershor dhe drejtuesit e kampionëve në fuqi të Brazilit kishin bërë të qartë se ata nuk do ta rinovonin atë nëse ish-“Perandori” nuk tregonte më shumë vullnet për t’u kthyer në nivelet e mëparshme.
“Korinthians bëri maksimumin për të ndihmuar Adrianon”, tha drejtori sportiv Roberto de Andrade për “Radio Globo”. “Ai e ka thënë edhe vetë. Në bëmë atë çfarë kishim mundësi për ta kthyer në formë. Por arritëm në përfundimin se ishte më mirë që të mbyllnim kontratën dhe ai ishte dakord”.
Adriano firmosi për Korinthians në marsin e vitit 2011 pas një periudhe aspak të lumtur te Roma në Serinë A, por një dëmtim në tendinin e Akilit dhe pesha e tepërt trupore bënë që ai të luante vetëm 8 ndeshje më këtë skuadër.
Ai inatosi më shumë drejtuesit e klubit të premten, kur refuzoi që të peshohej pas stërvitjes, ndërsa durimit i erdhi fundi kur kërkoi që ta bënte pushim seancën stërvitore të së dielës. Jo rastësisht, në janar, ish-presidenti i Korinthians, Andres Sançez, pranoi se kishte vepruar gabim kur kishte sjellë Adrianon në skuadër.
Roberto de Andrade tregoi se Korinthians dhe lojtari do të uleshin në tavolinën e bisedimeve për të caktuar edhe kompensimin për Adrianon ndërsa bëri të qartë se lojtari nuk do të gjobitej për sjelljet e tij të fundit.