Mesi: Guardiola është më i rëndësishëm se unë

12 Mars 2012, 19:05Sport TEMA

Lionel Mesi ka analizuar javën e tij spektakolare ku arriti të shënonte 7 gola brenda katër ditëve. “Jam shumë i lumtur për të gjithë golat dhe për faktin se i jam afruar rekordit të Sezar, që ka qenë edhe objektivi im personal në këtë sezon. Por më tepër jam i lumtur që gjithçka po shkon mirë përsëri për ekipin, ishin fjalët e argjentinasit në një konferencë për shtyp të organizuar për prezantimin e lojës së re elektronike “FIFA Street 2012”, ku ai është zgjedhur si imazhi përfaqësues.

Më pas, ai i ka folur për Pep Guardiolën dhe rinovimin e tij, që të gjithë e presin me padurim. “Guardiola është pa diskutim më i rëndësishëm se unë për Barcelonën. Qëkur ka ardhur te Barcelona ka ndryshuar gjithçka te ky klub. Ai ka fituar gjithçka që mund të fitohej. Në këtë projekt, për mua Guardiola është thelbësor. Të gjithë ne lojtarët duam që ai të qëndrojë. Ne e duam këtë për të mirën e të gjithëve, klubit, tifozëve, drejtuesve dhe ne lojtarëve”.

“Klubi sigurisht që do të vazhdojë edhe pa të, por gjithçka do të jetë ndryshe. Do të jetë shumë e vështirë që të gjendet një trajner tjetër që të bëjë atë që ka arritur Pep këtu. Kjo për atë që ka fituar, sa ka fituar dhe si e ka fituar. Nëse Barça luan kështu është sepse ai donte që të luhej kështu. Për mënyrën se si përgatit stërvitjet dhe mënyrën se si dëshiron që të luajë Barça”, deklaroi sulmuesi argjentinas.

Më pas ai ka folur për veten dhe faktin që shumë njerëz e cilësojnë më të mirin në botë, përfshirë edhe kolegët e tij futbollistë.

“Isha shumë i lumtur kur më treguan. Më pëlqeu vlerësimi që më kishin bërë kolegët, por fakti që Runi e bënte këtë edhe në Twitter më bëri qejfin shumë. Jam i lumtur dhe e kam vlerësuar shumë”, ishte komenti i tij për vlerësimin që i kishte bërë Uejn Runi në Twitter duke e cilësuar lojtarin më të mirë në botë pas 5 golave kundër Leverkusenit.

“Por mua më pëlqen që të më cilësojnë një person normal, ashtu siç jam. Bëj punën time në lojë dhe jetoj jetën normale jashtë fushe. Asgjë më shumë. Nuk luaj as për të qenë më i miri në histori, as më i miri i momentit. Unë luaj për të tentuar që të bëj gjërat mirë për shokët dhe veten. Ju siguroj se ata 5 gola në një ndeshje janë më të lehtë për t’u shënuar me një lojë elektronike. Por unë nuk jam tip lojërash elektronike, kam preferuar gjithmonë të luaj futbollin e vërtetë”, deklaroi Mesi.

3 komente në “Mesi: Guardiola është më i rëndësishëm se unë”

  1. Ramy says:

    jo vetem lojtar i madh por edhe djale modest dhe i zgjuar

  2. Aleksander says:

    Pjekurine e ketij 24 vjeçari ,Nuk e kane as sot e kesaj dite AS Pelé 70 vjeçar dhe jo e jo Maradona 50 e ca vjet. EDhe si talent nuk eshte me poshte se keta te dy,plus ka akoma 6-7 vjet karriere e mund ti kaloje.

  3. Melita says:

    İ vogel nga trupi po i madh nga mendja.Çfare talenti ımrekullueshem.Jam tifoze pas ketij lojtari te madh.Eshte i jashtezakonshem.İ madh eshte dhe ai qe i ka vene pseudonimin pleshti.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje