Mbrëmja zyrtare e organizuar nga drejtuesit e Federatës së Katarit dhe FIFA-s në Doha është kthyer në një skenë të tensionuar e më pas ka marrë nota komike pas asaj që ka ndodhur me Shefin e Premier Ligës angleze, Deiv Riçards. Ky i fundit nuk ka kursyer sharjet ndaj FIFA-s dhe UEFA-s përballë një publiku të përzgjedhur.
Gjatë fjalimit të tij përshëndetës, Riçards i kujtoi publikut, ku ishte edhe zëvendëspresidenti i FIFA-s, Princi Ali Bin Husein i Jordanisë, se bota duhej të falënderonte Anglinë për futbollin.
“Anglia i dha botës futbollin. I la trashëgiminë më të mirë që mund të ekzistojë. Ne ju dhamë këtë lojë. Për 50 vite me radhë ne ishim pronarët lojës, në e administronim atë, ne shkruam rregullat, përcaktuam fushën e çdo gjë tjetër”.
“Pas 50 viteve, një njeri erdhi dhe na tha që ishim gënjeshtarë e pastaj e vodhi. Quhej FIFA. Pas 50 viteve të tjera erdhi një tjetër bandë që quhej UEFA dhe që në vodhi një tjetër pjesë”, ishte komenti që la të shtangur të gjithë në sallë.
Princ Ali i kujtoi atij me humor se ekzistonte një debat mbi shpikjen e futbollit pasi edhe kinezët kanë pretendimet e tyre për historinë e kësaj loje.
“Filloi në Shefild 150 vite më parë…”, ishte ulërima e Riçards. “Ne e filluam lojën, shkruam rregullat dhe ia dhamë botës. Kinezët mund të thonë se janë pronarët por pronarët e vërtetë janë britanikët dhe ne ia dhamë lojën pjesës tjetër të botës”, përfundoi ai.
Por më pas, gjatë vizitës në Muzeun e Artit Islamik në Doha, Deiv Riçards është bërë përsëri protagonist, këtë radhë duke rrëshqitur dhe rënë me fytyrë në një shatërvan në një skenë shumë komike dhe është dashur ndërhyrja e presidentit të Boltonit për ta nxjerrë nga shatërvani.
Reagimi i menjëhershëm i Federatës Angleze dhe vetë Premier Ligës ishte se Riçards nuk kishte qenë zyrtarisht përfaqësues i tyre dhe se nuk ndanin të njëjtin mendim me të për komentet që kishte bërë. Edhe vetë Riçards, pak orë më vonë, kërkoi falje duke thënë se gjithçka kishte thënë, e kishte bërë me nota humoristike dhe nuk mendonte se njerëzit do ta merrnin kaq seriozisht.