Pep Guardola nuk e sheh të mundshëm rikuperimin e 8 pikëve diferencë nga Real Madrid kur kanë mbetur edhe 11 javë kampionat, pasi ai është i bindur se skuadra e Zhoze Murinjos do ta fitojë titullin kampion. Në konferencën për shtyp para ndeshjes me Granadan, tekniku i katalanasve shprehet se matematikisht gjithçka është e mundur, por praktikisht jo.
“Opinioni im do të kishte shumë pak besueshmëri nëse do të ndryshoja mendje shumë shpesh. Është e qartë që matematikisht ka mundësi që ne të dalim kampionë, por vazhdoj të jem i mendimit se nuk do ta fitojmë titullin. Real Madrid ka një mesatare prej 4 golash në ndeshje. Nëse do të kishte pësuar gol në minutën e 85-të dhe jo në minutën e 92-të ndaj Malagas, jam i sigurt se do të kishin shënuar përsëri dhe fituar ndeshjen. Jemi 8 pikë diferencë nga ata, por mund të ishim 13 apo 14”.
“Nuk duhet të gënjejmë veten, Real Madrid do të humbasë shumë pak pikë deri në fundin e kampionatit. Tifozët e Barçës duhet të vazhdojnë të mendojnë atë që u thotë zemra, nuk do të jem unë që do t’i bindë se nuk fitojmë titullin. Mendoj se është një gjë e bukur të jetosh me dëshirën për të fituar”
“Por mendoj se është shumë, shumë e vështirë që të fitojmë të 11 ndeshjet e mbetura në kampionat. Mund të bëhet në muajin shkurt, por jo në këtë pikë të sezonit ku marrim pjesë në fazën e eliminimit direkt në Ligën e Kampioneve. E di që lojtarët mendojnë se mund të rikuperojmë dhe jam i lumtur që edhe njerëzit në këtë qytet e mendojnë në të njëjtën mënyrë. Por unë jam katalanas dhe si i tillë jam një pesimist i lindur”, ishte deklarata e Guardiolës. /lajmeshqip