Vendi i parë: Xhenson Baton, MekLaren Mercedes
“Ishte fitore shumë speciale. Të fillosh vitin me fitore është shumë e rëndësishme. Duhet të falënderojmë të gjithë skuadrën pasi fitorja ime dhe xhiro më e shpejtë e Hemilton një ditë më parë na vendos në një pozicion më të favorshëm se kundërshtarët në garat e radhës. Shqetësimi më i madh gjatë garës ishte makina e sigurisë, pasi kur ajo hyri në pistë në këtë orë të pasdites ishte shumë e vështirë të mbanim temperaturën e gomave. Gjithçka është ndryshe në krahasim me 2010 apo 2009 kur fitova këtë garë. Mund të them se garimi i sotëm është më i mirë se i çdo viti të mëparshëm”.
Vendi i dytë: Sebastian Vetel, Red Bull
“Urime për Xhenson dhe skuadrën MekLaren, ai zhvilloi një garë fantastike, ishte i pakalueshëm sot po unë jam i lumtur që arrita të marr vendin e dytë. Pas asaj që ndodhi dje, shumë njerëz nuk e prisnin këtë rezultat. Ishte një garë pozitive për ne, e dinim që do të ishte e vështirë, ndaj të marrësh vendin e dytë dhe shumë pikë këtu është shumë e rëndësishme. Makina ka shumë potencial dhe do të kisha dashur që të isha në një pozicion më të mirë dje. Tani na duhet të korrigjojmë gabimet dhe t’ua vështirësojmë më shumë punën javën e ardhshme”.
Vendi i tretë: Luis Hemilton, MekLaren Mercedes
“Kisha shumë vështirësi, pata një fillim tronditës nga i cili nisi gjithçka. Ishte një garë e fortë por urimet më të mira për Xhenson pasi zhvilloi një garë të mrekullueshme. Do të kishte qenë fantastike të kishim marrë dy vendet e para por kjo nuk ishte dita ime më e mirë. Për mua ky është një rezultat i dobët. Por titujt kampion bazohen të vazhdimësia dhe kjo është ajo ku dua të përqendrohem”. /lajmeshqip