Portieri i Real Madrid, Iker Kazijas, ka thurur lëvdata të panumërta për shokun e tij të skuadrës, Kristiano Ronaldo, duke bërë të ditur se ai është lojtari më i mirë që ka parë ndonjëherë. 27 vjeçari theu rekordin e transferimeve në vitin 2009, kur kaloi nga Mançester Junajtid te madrilenët për 94 milionë euro, por duket se ia ka vlejtur çdo cent i shpenzuar pasi portugezi ka shënuar 128 gola në po aq ndeshje me fanellën e kësaj skuadre.
“Nuk kam parë asnjë futbollist tjetër të luajë në këtë nivel të lartë. Statistikat e tij para portës janë të pabesueshme. E vërteta është që unë nuk mund ta mendoja që shifrat e tij të ishin kaq impresionuese kaq shpejt dhe që ai do të merrte një rol kaq të rëndësishëm në skuadër. Ai e ka kaluar brazilianin Ronaldo dhe të shpresojmë që nuk do të jetë në këtë formë gjatë Evropianit nëse Portugalia luan kundër Spanjës”, tregoi portieri i Realit për gazetën “Marca”.
Më pas, ai foli për rivalitetin e ndezur mes skuadrës së tij dhe Barcelonës, duke pranuar se situata e tensionuar e vitit të kaluar kishte dëmtuar paksa marrëdhëniet brenda kombëtares kur skuadrat u ndeshën 4 herë brenda pak ditëve.
“Ne nuk ishim të përgatitur që të luanim katër ndeshje Real Madrid-Barcelona gjatë sezonit të kaluar dhe ndoshta kjo pati një impakt të vogël në marrëdhëniet brenda ekipit kombëtar spanjoll. Ishim me fat që nuk kishte ndonjë kampionat Botëror apo Evropian gjatë vitit të kaluar. Por lojtarët e të dy skuadrave mbeten shokë dhe të gjitha falen kur ulemi në tavolinë bashkë pavarësisht interesave të klubeve tona. Ne kemi mbi shpatulla një shtet të tërë dhe a mund të ketë gëzim më të madh sesa t’i japim një trofe evropian këtij shteti?”, përfundoi kapiteni i kombëtares spanjolle./lajmeshqip
Ronaldo ka vetem dy difekte, i pari eshte qe Messi luan ne te njeten epoke si ai, dhe i dyti qe Barcelona dhe Spanja jane aktualisht ekipet me te medha ne bote prej disa vitesh.