Lionel Mesi thotë se sulmuesit Serxho Aguero, Uejn Runi dhe Robin Van Persi janë lojtarët më të mirë të kampionatit anglez, të cilët do të dëshironte t’i kishte në skuadër.
“Ka shumë lojtarë cilësorë aktualisht në kampionatin anglez, ashtu si miku im Kun Aguero. Më pëlqen shumë mënyra se si luan ai”, ka treguar argjentinasi për “BBC Sport”. “Runi dhe Van Persi po luajnë shumë mirë gjithashtu, ata janë lojtarë të mëdhenj”.
Sulmuesi tregoi se nuk beson se mund të ketë futbollistë të ngjashëm me të në botë. “Asnjë futbollist nuk mund të krahasohet me në tjetër. Mendoj se çdo lojtar ka stilin e tij dhe të gjithë jemi të ndryshëm”, tha lojtari që ka shënuar 50 gola në 44 ndeshje që ka luajtur me Barcelonën dhe kombëtaren në këtë sezon.
“Kush është lojtari më i mirë me të cilin kam luajtur? Kam qenë gjithmonë me fat se kam patur shokë skuadre shumë të mirë. Kam qenë me fat që kam luajtur në një skuadër me Ronaldinjo, me Deko, me Eto’o dhe sot luaj me Ksavi, Iniesta dhe Fabregas. Është shumë e vështirë të zgjedhësh një lojtar. Të gjithë ata janë lojtarë spektakolarë dhe unë kam qenë me fat që kam luajtur me ta, që stërvitem me ta, ka qenë një periudhë e mrekullueshme”.
Më pas, ai ka treguar se i është dashur të punojë shumë individualisht për t’u bërë një “lojtar skuadre” deri në momentin kur Frenk Raikard i dha mundësinë të luante me ekipin e parë në moshën 17 vjeçare. “Të them të drejtën, kur isha 12 vjeç, merrja topin dhe nuk e pasoja kurrë. Zakonisht i bëja të tjerët të ma pasonin gjithmonë topin mua”, tregoi me humor futbollisti.