Tirana, fitore “titull” në Vlorë,

18 Mars 2012, 18:32Sport TEMA

Një gol në mesin e pjesës së parë nga Mario Morina i lejoi Tiranës që të merrte një fitore të madhe në Vlorë, duke përforcuar kështu pozitat në krye të renditjes.

Ndërkohë, lufta për titull praktikisht humbet një pretendent, me Teutën që tashmë humb terren pas barazimit në Ballsh. Nga ana tjetër, Skëndërbeu konfirmohet si skuadra “anti-Tiranë”, pas fitores së pritshme të arritur ndaj Laçit, në Peqin.

Në një ndeshje me raste nga të dyja palët, Morina realizoi golin e vetëm të takimit në të 24’, me një gjuajtje nga hyrja e zonës, ndihmuar edhe nga portiere Koliqi, i cili i papërgatitur pa se si topi i kaloi poshtë sqetullës.

Në minutat pasardhëse, gjithkush do të kishte menduar se një ndeshje e hapur si ajo që po dëshmohej do të përfundonte me gola të tjera, por deri në fund, të dyja skuadrat humbën raste të vazhdueshme, ndërsa Pezo e Kalari goditën përkatësisht traversën dhe shtyllën.

Në drithërimën e fundit, atë në kohën shtesë, Progni bëri një rrotullim të përkryer në zonë, duke nxjerrë një parabël që shtangu Likën, por goditja e tij ishte lehtësisht mbi traversë.

Me këtë humbje, Flamurtari bie në vendin e pestë në renditje dhe konfigurohet në një garë të ethshme deri në fund, përballë Kastriotit, për vendin e katërt në renditje, i cili në varësi të ecurisë së skuadrave në Kupë, mund të sigurojë pjesëmarrjen në Europa League.

Humbja, gjithashtu i jep fund serisë së shkëlqyer, prej 35 ndeshjesh pa humbje në shtëpi. Për herë të fundit, kuqezinjtë ishin mposhtur në Vlorë pikërisht nga Tirana, në një takim të përpara tre viteve.

Në ndeshjen tjetër, Skëndërbeu kreu detyrën e tij ndaj një Laçi të pafuqishëm, ndonëse ndeshja luhej në fushën asnjëanëse të Peqinit. Kroati Bratiç dhe dy gola nga i riu Tahirllari ishin ato që vendosën fatet e takimit.

Në Ballsh, Teuta nisi ndeshjen me ritëm dhe disa raste të mira, por përfundoi duke u mbrojtur me shumë lojtarë, përallë vendasve që realizuan një rritje konstante deri në fund. Vetëm një pikë, u vlen pak të dyja skuadrave, por që sidomos godet rëndë shanset e durrsakëve për titull, gjithmonë e më të shkëputur nga kryesimi, pas fazës së parë perfekte që realizuan.

Java e 17-të mbyllet me një “finale” në luftën për mbijetesë, atë midis Dinamos dhe Pogradecit, ndeshje që do të nisë të zhvillohet nga ora 17:00 në “Qemal Stafa”./sport ekspres

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje