Formula 1, homazhe për Marko Simonçelin

22 Mars 2012, 14:46Sport TEMA

Pilotët e Formula 1 kanë vendosur të përkujtojnë Marko Simonçelin duke bërë homazhe në kthesën e pistës së Sepang ku ai humbi jetën me 23 tetor të vitit të kaluar. Thuajse të gjithë pilotët e Formula 1, të cilët kanë mbërritur në pistën e Sepang për garën e të dielës, kanë kaluar në atë pjesë të pistës duke kujtuar një prej personazheve më simpatikë të viteve të fundit në Moto GP, i cili u nda tragjikisht nga jeta në një moshë të re.

Të parët kanë qenë pilotët e Ferarrit, Felipe Masa dhe Fernando Alonso, të cilët kanë bërë edhe një foto me një prej sinjalizuesve të garës, për të kujtuar italianin. “Kam patur gjithmonë kujtime të bukura në këtë pistë, nga pole position i parë në gara të mëdha. Po që kur ka vdekur Simonçeli, Sepang nuk është më e njëjta për mua. Është ndarë nga ne një figurë e rëndësishme e garave, ishte një vdekje që ka lënë shenjë”, ishin fjalët e Fernando Alonsos.

Edhe Mikael Shumaher ka dashur të kujtojë Markon. “Kam kaluar te ajo kthesë me motor duke bërë kontrollin e pistës dhe vendosa të ndalesha. Mu kujtua Simonçeli. E njihja, ishte një djalë i shkëlqyer dhe diellor”.

“Nuk e njihja personalisht por shihej që ishte një pilot dhe person i veçantë. Ajo fundjavë, bashke me vdekjen e Dan Ueldon në garat Indi, është një prej më tragjikeve në botën e garave”, ishte komenti i Xhenson Baton.

“Jam një tifoz i garave me motor dhe jam ndalur edhe unë për të medituar në atë kthesë. Atë ditë po e ndiqja garën dhe nuk më besohej ajo që shihja. Simonçeli ishte një person fantastik dhe gjithmonë i qeshur. Pas vdekjes së tij, babai i Markos na çuditi të tërëve, pasi gjeti forcën e madhe për të reaguar dhe duhet të jetë një dritë dhe një shembull për botën tonë. Jemi një komunitet i vogël garuesish dhe kur një nga ne ndahet nga jeta, është gjithmonë një traumë e rëndë për të tjerët”, ishte komenti i Mark Ueber./lajmeshqip

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje