Rama: Për taksën progresive do biem dakord me sipërmarrësit. Do shfuqizojmë koncesionet që s’respektojnë afatet

6 Prill 2012, 21:26Politika TEMA
Rama: Për taksën progresive do biem dakord me sipërmarrësit.

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha në një tryezë të organizuar për çështjet e energjisë, se për taksën progresive do të vendosin në bashkëpunim me biznesin. Edi Rama tha se sipërmarrësit duhet të kenë parasysh se ata nuk paguajnë vetëm një taksë të sheshtë, por edhe shumë taksa e detyrime të fshehta. “Sot sipërmarrësit kanë hyrë në një debat për parimin tonë të progresivitetit edhe pse ne e kemi thënë dhe e përsërisim që ne progresivitetin e kemi parim dhe vlerë të forcës që përfaqësojmë, por përsa i përket artikulimit të këtij parimi në reformën fiskale do të bashkëpunojmë dhe do të dakordësohemi me ta bazuar në ekspertizë ndërkombëtare, bazuar në eksperiencat më të mira, bazuar në nevojën për të ecur në mënyrë harmonike. Por, ama ajo që sipërmarrësit s’duhet ta harrojnë asnjëherë është se nëse sot paguajnë një taksë të sheshtë 10 %, paguajnë dhe një taksë të fshehtë, me referenca, me gjoba, me ryshfete, me kohë, me burokracira, me stres. Nëse në fund të vitit llogaritë që bëjnë në raportet me shtetin i kanë llogari që i mbyllin tek 10% nuk duhet të ndalen këtu. Duhet të shohin edhe llogarinë tjetër, atë që ka dalë nga arka e tyre për të paguar gjithë hapjen e rrugëve të informalitetit prej korrupsionit dhe hapjen e rrugëve në postblloqet ku janë ryshfetet. Dëshmitë e sipërmarrësve që hyjnë në procese privatizimi janë rrëqethëse, nuk kanë kurajën të dalin në publik dhe nuk mund ta bëjnë këtë gjë, sepse menjëherë kthehen në armiq publik të pushtetit dhe kjo ju kushton shumë. Por, ama ne kemi dëshmi sipërmarrësish që në rrugën drejt privatizimit të një aseti që ju takon me ligj e me zakon, kanë shpenzuar më shumë se gjysmën e vlerës së asetit që kanë privatizuar,” tha Rama.

 

I eksportojmë më lirë, i importojmë më shtrenjtë

Duke folur për problemin e energjisë, Rama tha se të njëjtat produkte ne i eksportojmë me çmime të ulëta dhe i importojmë me çmime të larta. “Ne importojmë energji elektrike me 60 euro dhe eksportojmë energji elektrike me 40 euro. Eksportojmë naftë bruto me rreth 450 $ për ton dhe importojmë gazoil me rreth 600$ për ton. Prej 2006 janë nxjerrë jashtë vendit 800 milionë euro duke furnizuar indirekt sistemet energjetike të vendeve furnitore të Shqipërisë dhe humbjet nga keqpërdorimi i energjisë elektrike, qoftë për shkak të mungesës së vizionit, qoftë për shkak të mungesës së strategjisë, qoftë për shkak të korrupsionit, janë të barabarta me gjithë prodhimin e hidrocentralit të Vaut të Dejës. Një hidrocentral ndër më kryesorët në vend në masën e energjisë që prodhon është baraz me të gjithë faturën e shpërdorimit dhe të humbjeve. Sot kompanitë private ku ende shteti ka pjesëmarrje janë, praktikisht, në një krizë financiare që i ngjan një qorrsokaku. Asnjë nga këto kompani, po edhe nga të tjerat, po këto në radhë të parë, nuk ka realizuar programin e investimeve. Çfarë do të thotë kjo?! Do të thotë, shumë thjeshtë, qindra miliona euro i mungojnë ekonomisë kombëtare, sepse kontrata e privatizimeve në funksion të investimeve nuk është respektuar,” tha Rama.

 

Një mesazh drejtësisë për Rulin

Rama ka theksuar sërish çështjen e koncesionit të minierës së Bulqizës. Ish- ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, anashkaloi Kuvendin kur vendosi të zgjaste koncesionin, duke shkelur Kushtetutën. “Rasti i koncesionit në fushën e industrisë minerare ku ministrat kanë anashkaluar Kuvendin e Shqipërisë, dhe që mbetet një pikëpyetje e madhe mbi drejtësinë pse nuk hetohen dhe pse nuk ndëshkohen për shkelje të drejtpërdrejt të Kushtetutës, flet në mënyrë shumë ulëritëse për gjithshka sot kemi në këtë sektor. Dhe, pikërisht, aty te ai koncesion çdo dy muaj një shqiptar humb jetën, minator. Sot si sektori i përpunimit të naftës dhe sektori i shpërndarjes me pakicë të energjisë janë në krizë dhe për fat të keq krizë e ka përfshirë gjithë sektorin,” tha Rama.

 

Cilësia e energjisë dhe e naftës është e dobët

“Sot jemi njësoj siç ishim, por ndryshimi është që humbja në ekonomi është e pakrahasueshme me atë që ishte. Sot cilësia e furnizimit të qytetarëve shqiptarë nuk është më e mirë. Energjia elektrike vjen me tension të luhatshëm, nafta në automjete është me cilësi të keqe. Marrëdhëniet klient–furnizues nuk janë përmirësuar dhe mbifaturimi i atyre që paguajnë vazhdon, ndërkohë që kush nuk paguan, institucionet shtetërore në radhë të parë vazhdojnë të akumulojnë në kurriz të ekonomisë kombëtare, në kurriz të gjithë shqiptarëve që paguajnë taksa, borxhe të cilat në fund janë përsëri llogari e hapur për shqiptarët që paguajnë taksa. Sot energjia elektrike është 65% më e shtrenjtë se në vitin 2005. Nafta është 3 herë më e shtrenjtë se në vitin 2005. Këtu nuk ka ndikim vetëm konjuktura ndërkombëtare, që do të ishte një argument normal për të mos drejtuar gishtin ndaj qeverisë, por këtu ka ndikim edhe rritja e taksave. Evazioni fiskal është shtuar, aktivitet kriminale në këtë fushë po lulëzojnë dhe më në fund u provua me fakte, se kontrabanda me naftën ‘virgin’ është në fakt një aktivitet kriminal i koordinuar politikisht. Ndërsa në Bulqizë, e ashtuquajtura luftë për kromin është kthyer në luftë mes grupeve të armatosura.”

 

Subvencionim çmimit të energjisë për familjet në nevojë

“Ekspertët tanë po punojnë për të hartuar një skemë që çmimi i subvencionuar të jetë vetëm për familjet në nevojë, për familjet e varfra në nevojë. Jo si sot ku edhe të pasurit, edhe kryeministri, edhe ministrat, edhe deputetët janë pjesë e fashës së konsumit të subvencionuar. Kjo është paradoksale dhe absurde. Paratë e alokuara deri më sot për të subvencionuar rritjen e çmimit të energjisë nuk kanë adresuar shtresat në nevojë dhe nuk janë ndërtuar në mënyrë të atillë që të shkojnë pikërisht tek burimi i arsyes pse është vendosur që të subvencionohet konsumi i energjisë.”

 

Shfuqizim i lejeve koncensionare

“Ne kemi marrë një angazhim solemn për t’i shfuqizuar të gjitha lejet koncesionare për vepra energjetike që nuk i kanë respektuar afatet ligjore dhe për të krijuar mundësi për përfshirje përmes konkurrencës dhe transparencës të investitorëve seriozë vendas apo të huaj që kanë kapacitetin për të zhvilluar projekte në mënyrë transparente.”

1 komente në “Rama: Për taksën progresive do biem dakord me sipërmarrësit. Do shfuqizojmë koncesionet që s’respektojnë afatet”

  1. raimondi says:

    Koncesioni nuk duhet shfuqizuar per shkak te afateve , por per shkak se nuk eshte i drejte te jept koncesion per nje pasuri te Shqiperise , te cilen shteti shqiptar mund ta shfrytezoje vete shume here me mire dhe ne menyre me produktive per shtetasit e tij

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje