Kushtetuta, Qeveria dhe Nene Tereza

13 Prill 2012, 15:33Blog TEMA
Kushtetuta, Qeveria dhe Nene Tereza

Halil Matoshi

Në Ditën e Kushtetutës së Kosovës, më 9 prill, as nuk u bë i gjallë shteti dhe as Kushtetuta. Në tokën kosovare (në veri të vendit) një turmë e vogël adoleshentësh të ndërsyer iu përgjigjën “trumbetave të luftës” dhe e demoluan fotografinë e mjerë të shtetit (një barakë plastmase), duke i përzënë dy policët e Bajram Rexhepit si të ishin hajdutë, duke e përsëritur pamjen e shtetit përmbys të Merdarit.
Presidentja, kryeministri, kryekuvendari dhe ministri i Drejtësisë recitonin në Prishtinë, keq e me patetizëm, vargje romantike për Kushtetutën

 

Rikthimi i kushtetutshmërisë në tërë tokën kosovare do ta detyronte NATO-n qysh të nesërmen që ta rikthente zonën tokësore të sigurisë mes Kosovës dhe Serbisë, sepse mbrojtja e Kosovës nga agresioni është mandati kyç i KFOR-t.

Po kush dhe si ta bëjë këtë?

Fashizmi koncesual serb po e tejkalon veten, po rritet në sytë e Europës në “totalnacionalizëm” (term i Edgar Morinit), sepse nuk po e shpreh më këtë vetëm ndaj fqinjëve, por ndaj tërë botës demokratike, duke e shpërfillur dhe poshtëruar. Totalnacionalistët serbë sërish po kamuflohen nën parullën millosheviqiane “ndodhi populli”, duke eksportuar dhunë, përmes ngacmimeve nëpër kufijtë e Kosovës, por edhe brenda saj.

Në këtë Luftë të re të Ftohtë me Kosovën, Serbia e sotshme po i kombinon metodat destabilizuese të shërbimeve sekrete me terrorizëm klasik.

Po ajo Serbi, e cila u mobilizua më 17 shkurt 2008, duke djegur madje ambasada perëndimore dhe firma-simbole të globalizmit dhe liberalizmit si “McDonald’s” etj., tashti e trimëruar, sepse po kalonte e pandëshkuar, iu riktkthye profesionit të vet të vjetër sa vetë serbizmi: vrasjes së shqiptarëve.

Edhe pas vrasjes së policit ukrainas të UNMIK-ut, më 17 mars të vitit 2008, gjatë operacionit për rikthimin e kontrollit të objektit të Gjykatës së Qarkut dhe asaj Komunale në veri të Mitrovicës dhe plagosjes së mbi 100 pjesëtarëve të KFOR-it dhe të Policisë së UNMIK –ut, NATO-ja heshti, duke ruajtur raportet e mira me Qeverinë e Boris Tadiqit, madje pothuajse duke pranuar, me këtë heshtje se Serbia paskësh një kauzë të drejtë në Kosovë!?

Pasoi vrasja e policit kosovar Zymberi në pritë dhe sërish NATO-ja heshti, duke i vështruar nga afër strukturat ilegale të Serbisë tek marrin në thumb me snajperë policët kosovarë. Pasi “u shkrepi” kryengritja e dhunshme, serbët ultranacionalistë u organizuan që t’i mbrojnë me barrikada këto të arritura, zmbrapsjen e Prishtinës nga veriu më 25 korrik 2011.

Pasuan sjelljet poshtëruese edhe kundër KFOR-it dhe EULEX-it, duke i ndaluar nëpër barrikada (relikte të luftës gjenocidale në Bosnjë, vetëm sa nuk i lidhën për shtyllash të elektrikut!?) ndërkohë që Brukseli zyrtar dhe selia e NATO-s vazhduan t’i toleronin.

Sepse disa politikanë në Bruksel duan negociata.

Për çka dhe me çfarë të drejte?

Derisa me bekimin e KS të OKB-së dhe me miratimin e Perëndimit Marti Ahtisaari e hartoi një Plan për Kosovën, nga i cili derivoi Kushtetuta e saj, çfarë mund të negociojë tash Prishtina. Pakon apo lirinë e vet?

Pakoja, u thonë shqiptarëve në Perëndim, është e panegociueshme, por të njëjtën gjë nuk ua thonë serbëve!?

Negociata për territore nuk ka mandat të bëjë askush në Kosovë, sepse këtë mandat nuk ua lejon Pakoja!?

Duke qenë se Qeveria kosovare po sillet si organizatë joqeveritare, mjaftohet me dënimin e dhunës në veri, pa u trembur se ajo kështu po e shkatërron kohezionin kombëtar. Kohezioni mbahet duke dhënë shëmbëlltyrë të mbrojtjes së Kushtetutës dhe lirisë e jo duke rënë në gjunjë, ose duke thirrur qytetarët që “të mos bien në provokime”, që tashmë është një parullë historike.

Kështu rrjedh koha kushtetuese në Kosovë, pa e respektuar atë. Madje në mungesë të kulturës kushtetuese, dy qytetarët e parë që u penalizuan nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës ishin pikërisht dy njerëz që ishin ngjitur në majat e shtetit, një president i zgjedhur legalisht dhe i dyti, një president nominal, por jokushtetues!?

Derisa një ditë komandanti i KFOR-it, gjermani Erhard Drews, doli në pikë të ditës dhe tha se problemi në veri të Kosovës është politik, së këndejmi kryeushtari i NATO-s në Kosovë u shpreh se nuk është këtu të bëjë politikë, por paqeruajtje, sepse, sipas tij, në veri “është krijuar një realitet i ri”!

Realitet pushtues që u dashka legjitimuar?

Agresion apo terrorizëm klasik, këtë përgjigje duhet kërkuar në Bruksel, e jo në Prishtinë.

Përligjje e hapët e pretendimeve territoriale të Serbisë ndaj Kosovës, apo tërheqje taktike!?

Edhe këtë përgjigje duhet kërkuar në Bruksel.

Tërheqja e vazhdueshme e mekanizmave ndërkombëtarë, por edhe lidershipit kosovar para mësymjeve serbe nuk u dëshmua pragmatike, por vetëm sa u dha strukturave ilegale të Serbisë kohë për t’u shtrirë të papenguar në tërë Kosovën, madje në mënyrë të tërthortë, një tërheqje e tillë u dha kurajë serbëve kosovarë të bëhen edhe më rezistentë për ta mbrojtur “Kosovën serbe”.

Dhe sot jemi në pikën kulmore.

Rezistenca dhe padëgjueshmëria e serbëve po merr gjithnjë e më shumë karakteristika të terrorizmit. Sulmi me eksploziv mbi një familje shqiptare në veri të vendit, ku u vra një qytetar, i ka të gjitha ngjyrat e terrorizmit, pa paragjykuar faktin se kush mund të jenë sulmuesit. Sepse në veri të vendit është suspenduar ligji, prandaj akëcili mund të terrorizojë qytetarët pa iu frikësuar ndëshkimit.

Sepse Kushtetutën e Kosovës nuk po e mbron më askush!?

Dhe NATO-ja sërish po hesht.

NATO-ja as atëherë dhe as sot nuk ia ka bërë qartë me dije Beogradit zyrtar se Aleanca Veriatlantike është këtu me mandat të qartë (sipas Rezolutës 1244 të KS të OKB-së) për paqeruajtje, pra edhe për mbrojtjen e kufijve që cilësohen si administrativë.

Prandaj, me urgjencë dhe pa i pritur zgjedhjet në Serbi (çfarë e mire i vjen Kosovës nga ato zgjedhje?) presidentja e Kosovës në marrëveshje me kryeministrin dhe sipas Kushtetutës duhet të shpallin gjendje të jashtëzakonshme të pjesshme në veri të vendit për ta rikthyer integritetin territorial, me mjete dhe metoda klasike shtetërore dhe tek pastaj t’i ftojë në bisedime serbët kosovarë si shtetas, qoftë edhe duke shpallur pastaj amnisti të përgjithshme për rebelimin e tyre.

NATO-ja kësisoj do të detyrohet që sa më parë ta rikthejë Zonën Tokësore të Sigurisë përgjatë kufirit Kosovë–Serbi, në bazë të Marrëveshjes tekniko–ushtarake të Kumanovës, të datës 11 qershor 1999.

Përndryshe Serbia edhe mund t’i zërë ushtarët e KFOR-it dhe t’i lidhë për shtyllat elektrike përgjatë rrugëve të Mitrovicës.

Është thënë nga shumë diplomatë e burra shtetesh se Serbia e njeh vetëm gjuhën e forcës. Por është thënë po ashtu shumë herë se gjuha e forcës i tolerohet vetëm Serbisë në rajonin e Ballkanit.

Rikthimi i Zonës Tokësore të Sigurisë do ishte premisë e parë e stabilitetit të sigurisë në Kosovë, pra duke ndaluar “mallrat e rrezikshme” – eksportin e dhunës në Kosovë dhe rajon.

Rikthimi i kësaj zone që ekskluzivisht është në kompetencë të KFOR-it dhe të Komandës së NATO-s  dhe ky hap do ta bindte edhe Rusinë, si një inspiruese e vazhdueshme e trazirave në Ballkan përmes Serbisë që t’ i bindet realitetit të ri, që madje të tërhiqet nga mundësia e vetos në KS të OKB-së për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizëm.

Rikthimi i kësaj zone për një afat të pacaktuar, derisa të denazifikohet Serbia, do të rriste shkallën e sigurisë brenda Kosovës, do ndikonte pas një kohe të shkurtër edhe në integrimin e serbëve kosovarë në institucionet dhe jetën publike të Kosovës, në pranimin e tyre gradual të Pakos së Presidentit Ahtisaari.

Rikthimi i kësaj zone nuk do të kishte efektin e duhur nëse nuk ndodh edhe demilitarizimi i veriut të Kosovës – çarmatimi i komandosëve të MUP-it serb – strukturat paralele të sigurisë.

Ky operacion do të duhej shtrirë edhe nëpër enklavat tjera serbe të Kosovës.

Dhe tek atëherë Prishtina zyrtare duhet të bisedojë për problemet politike, sociale dhe ekonomike me shtetasit e vet, serbët kosovarë.

Ndërkaq shoqata bamirëse “Nëna Terezë” duhet të dënojë çfarëdo dhune, ngado që vjen dhe të shpërndajë ndihma humanitare për këdo që është në nevojë imediate.

Dhe do të shihni pastaj tek betohen serbët kosovarë mbi Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Lajmi i 17 shkurtit (shpallja e Pavarësisë) arriti në Mitrovicë tek më 17 mars, kur ndodhi përpjekja e parë e Prishtinës për administrimin e tërë territorit kushtetues.

Por testi dështoi, sepse u pengua hapur nga disa qarqe proserbe në Bruksel.

Qeveria në Beograd përmes MUP-it dhe liderëve ultranacionalistë të serbëve të pjesës veriore të Kosovës testoi vendosmërinë e bashkësisë ndërkombëtare, posaçërisht NATO-s (shtetin e ri edhe ashtu në Beograd e cilësojnë si NATO-shtet!) për të administruar tërësinë e territorit të Kosovës sipas planit të “shpalljes së koordinuar të pavarësisë”.

Ivica Daçiq, kryepolic serb, ka hyrë në fushatën parazgjedhore në Serbi me parullën fashiste “për Kosovën”, madje ai hapur sfidoi politikën ndërkombëtare, duke folur për ndarjen e Kosovës.

Me përjashtim të Partisë Liberal-Demokratike të Çedomir Jovanoviqit, ekziston konsensusi për “ndarje të butë” të Kosovës, me synim krijimin e “konfliktit të ngrirë”.

Që shkurt e shqip d.m.th. Ahtisaari pa emër.

Që çon në ndarje, sepse strukturat paralele në veri të Kosovës nuk janë lehtë të demontueshme.

Disa mendonin se fushata zgjedhore serbe nuk do ta rikthejë Kosovën në skenë si bosht të nacionalizmit mobilizues serb, por këtë me të madhe po e rikthen partia e ish-diktatorit Millosheviq (SPS) dhe ajo e ultranacionalistit Vojisllav Koshtunica (SDS) që po hyjnë në fushatë të ndërtuar mbi postulatin e tradhtisë së serbizmit, pra në hedhjen e fajësisë se “kush e shiti Kosovën”.

Kosova do të jetë “Serbi” edhe në këto zgjedhje, dhe edhe në kampin e demokratëve proeuropianë të Tadiqit, sepse serbët, së pari e pranuan, më pas e kundërshtuan UNMIK-un, pastaj kërkuan  mbetjen e tij e më vonë e goditën me ‘kallashë’ edhe këtë mision në shkuarje e sipër.

E të cilin sërish e duan dhe i binden, si në rastin e zgjedhjeve të paralajmëruara për pushtetin vendor në Serbi.

Në anën tjetër “unicentristët” nacionalistë shqiptarë thonë se Pakoja e “shkombëtarizon” Kosovën, sepse u dedikohet vetëm serbëve, duke kërkuar nxjerrjen e Pakos jashtë ligjit dhe për të kërkuar solucione matanarrative-shtetomëdha.

Në anën tjetër, ndërkombëtarët me logjikë e dinë se nëse Pakoja bie në pjesën veriore të Kosovës, ajo do të bjerë në tërësi, prandaj aktualisht po e shtyjnë përpara opsionin e zgjidhjes së veriut sipas modelit “Pakoja pa emër” – që d.m.th. ruajtje e fytyrës Beogradit dhe “ruajtja” e mosfunksionimit të shtetit të Kosovës apo edhe dështim i tij.

Jo tanket dhe gjeneralët drejt Kosovës, por pikërisht destabilizimi është interesi vital kombëtar i Serbisë në Kosovë.

Thjesht: Serbia e ka ngritur në doktrinë qasjen armiqësore ndaj Kosovës, me synim që  shteti i ri të mos shohë ditë.

Të sundohet nga qeveri të korruptuara, të vidhet dhe mbi të gjitha të gjallnojë pa tru.

Në Kosovë mendimi dhe të menduarit janë shpallur herezi.

Ky është investimi më i madh i Serbisë për ruajtjen e interesave të saj në tokën kosovare.

Koha Ditore

7 komente në “Kushtetuta, Qeveria dhe Nene Tereza”

  1. Shkodrani says:

    Kushtetuta leshit,
    e Sales e Thaqit ne e Tan preshit !!
    A e ke ni si i thane ne Vlon Sales kur u coj kushtetuten?
    “kushtetuten maje tine
    neve na jep Lirine”
    http://imazheshqip.blogspot.com/2012/04/e-kane-zgjedhur-vete.html

  2. Ramy says:

    Ne shqiptaret nuk duhet te futim hundet ne punet e kosovareve

    1. Immi says:

      O ti lesho, nese nuk do ti futesh hundet ne punet e kosovareve, atehere e fut ti hunden ne prapanicen e tyre! Sa i mjer qe je, me kete konkludim: Kosovar-Shqiptar. E mjere kjo pjelle e memes sate!

  3. Sem Luma says:

    Kete radhe pajtohem plotesisht me keto fjale te Halil Matoshit. Artikull i qelluar – si analiza ashtu edhe sugjerimet per hapat e ardhshem qe duhet ndjekur… Te lumte!!!

  4. Cakalli7 says:

    Une e di qe ti sme honeps hic po po te them edhe ca te tjera: 1) a flet mo koken e vet edhe rri urte me koken e vet komandanti i natos ne kosove 2) a eshte rastesi qe eshte gjerman? Po jap pergjigjet e mia edhe po qe se nje udheheqesi si ti i bie ti lexoj me kthe ato te tuat 1) jo ai eshte qendrimi zyrtar i natos 2) jo sepse kosova nuk eshte ne karaibe por ne ballkan nje zone teorikisht ne seferen e influences gjermane ne kohen kur ne flasin, e cila sipas fese (katolike/ortodokse/myslymane) ka sponsoret e vet (Evrope Katolike/Rusi/Turqi+Arabe).
    Nuk jemi me ne 1990 as ne 2000 e as ne 2005, gjermania do ta keta mire me ruset qe sjellin gazin me te lire ne evrope edhe me arapet qe sjellin nafte. Amerika ka mbyllur pune ketu se do mbylle nje sy ajo ketu qe ruset edhe kinezet te mbyllin ndonje sy andej nga ben traplleqe ajo.
    Prandaj u them o njezer vraponi ne evrope me cdo kusht e sa me pare. Se po te jeni atje evropa nuk do merret me shkeputjen e nje cope nga nje shtet tja shtoje nje tjetri se nuk ka me kuptim. Duhet ta themi edhe kete tjetren qe serbet u thone evropianeve ikem ne rusin edhe keta mendohen dy here. Ne po u thame ikem me arapet/turqit ata do na thone vetem bujrum.

  5. Taulant says:

    Ne te dy anet e “kufirit” duhet te fillojme integrimin e institucioneve qe te filloje bashkimi kombetar.Me pelqen ideja qe ne Kosove kemi ShIK,KEK pra emrat analoge te instituconeve analoge ne shqiperi.Arsimi eshte ende larg drejt ketij unifikimi.
    Sa per Ramy dhe Cakalli7 jane thjesht plehra te hisorise kombetare.Shqiptaret gjithmone kane pasur tradhtare dhe spiuna.Keta jane spiuna denbabaden,qe nga gjysherit ,prinderit dhe vet ashtu jane.Jane xhins tradhtaresh me fjale te tjera.(perfshi ketu dhe H Matoshin)

    1. Cakalli7 says:

      =ste pelqeu bre mahmuti me emer “trendy”, merre me leng pra

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje